Janevska: Dy institute janë mbyllur për shkak të parregullsive, ndërsa në rrjedhë është procedura edhe për tre të tjerë

Pasi në një intervistë javore për Radion Evropa e Lirë ka bërë të ditur se janë konstatuar parregullsi në tri universitete, sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska tha se parregullsi ka jo vetëm në universitete, por edhe në institute, dy prej të cilave janë mbyllur, transmeton Portalb.mk.

Ministrja nuk deshi të zbulojë se për cilat institute bëhet fjalë, por tha se procesi ka përfunduar plotësisht dhe për momentin janë duke u zhvilluar procedura në tre institute të tjera, të cilat pritet të përfundojnë.

“Procesi i mbylljes së dy instituteve ka përfunduar plotësisht, vijon në këtë moment, ndoshta në tre të tjera, por edhe këtu duhet të përfundojë dhe do të merrni informacion. Le t’i mbyllim dhe siç thashë do t’i publikojmë në mënyrë transparente”, tha Janevska, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në shkollën e mesme komunale “Kole Nehtenin” në Shtip me rastin e shndërrimit të saj në qendër rajonale për arsim të mesëm profesional dhe trajnimi.

Sa i përket universiteteve, ministrja tha se Inspektorati Shtetëror Arsimor është duke punuar vazhdimisht për të gjitha raportet që u arrijnë dhe deri më tani në disa prej tyre janë konstatuar parregullsi të caktuara.

Për disa prej tyre, shtoi ajo, procesi pothuajse ka përfunduar dhe ka filluar procedura për pagesën e gjobave nga komisionet recensuese, dekanët dhe rektorët.

E pyetur për universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, Janevska tha se aty është bërë inspektim dhe se për momentin pritet raporti.

“Është e rëndësishme që të gjitha universitetet, pa përjashtim, të kalojnë në këtë proces dhe kudo që të përfundojnë proceset, rezultatet të publikohen në mënyrë publike dhe transparente”, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), e cila u transmetua të dielën, Janevska zbuloi se parregullsi janë konstatuar në Universitetin e Tetovës, në Universitetin “Shën. Apostull Pal” në Ohër dhe në universitetin në Strugë.

“Kemi zgjedhje të kundërligjshme të dy ligjëruesve në Universitetin e Tetovës dhe atje inspektimi është ende në vazhdim. Kemi probleme në universitetin “Apostol Pavle” dhe aty janë konstatuar parregullsi. Kishte një problem serioz në universitetin e Strugës, ku mbyllëm departamentin e shkencave mjekësore. Këto janë sërish procese në vijim që janë ende në fazën e analizës, sepse Ligji për Inspeksionin Arsimor jep edhe udhëzime të caktuara se si të punohet. Për disa lëshime thuhet se duhet të hiqen brenda një afati, pastaj Inspektorati Shtetëror Arsimor shkon të kontrollojë nëse janë hequr apo jo… Kemi mbyllur dy institute shkencore dhe mendoj se do mbyllim edhe dy të tjera shumë shpejt, në një të ardhme shumë të afërt”, tha Janevska në intervistë.

I pyetur nëse do të ketë mbyllje të universiteteve, ministrja u përgjigj:

“Nuk mund të them në këtë pikë që do të mbyllen, por inspektimi do të thotë çfarë duhet bërë dhe kur”.

Inspektorati Shtetëror i Arsimit RMVMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Vesna Janevska