Ministri i Shëndetësisë në largim, Azir Aliu nuk e ka përmbushur premtimin e tij për ndërtimin e parkut memorial për viktimat e spitalit modular në Tetovë i cili u premtua para një viti me shumë pompozitet, shkruan Portalb.mk.
Edhe pak ditë bëhen fiks një vit që kur u shpall plani për ndërtimin e parkut memorial pak para zgjedhjeve lokale, ndërkaq edhe dy ditë ministri aktual i Shëndetësisë do të largohet nga ky funksion pas rikonstruimit të qeverisë, kështu duke lënë pas këtë premtim të papërmbushur.
Ministria e Shëndetësisë nuk ka shpallur ende as tender për këtë projekt.
Pyetëm në Ministri të Shëndetësisë se pse po zvarritet ky projekt, nga kabineti i Aliut na thanë se do të kontaktojnë me ekipin e marrëdhënieve me publikun, por përgjigje nuk na kthyen.
Derisa ministrat vijnë e shkojnë, familjarët e viktimave të modularit dhe qytetarët vazhdojnë të presin realizimin e projektit i cili u prezantua si detyrim moral ndaj viktimave të tragjedisë.
Parku memorial për 14 viktimat e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës vazhdon të mbetet vetëm një tabelë informuese.
Ndërtimi i këtij parku memorial u paralajmërua më 30 korrik 2025, ku në këtë ngjarje morën pjesë deputetë të zonës gjashtë nga pozita, ministra nga kabineti qeveritar dhe funksionarë.
Parku memorial nuk do të ndërtohet në vendin ku ishte objekti i spitalit modular, por pak më poshtë.
Kujtojmë që në qershor 2025 Nisma Zero së bashku me familjarët e viktimave të tragjedisë në spitalin modular dorëzuan në Komunën e Tetovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë kërkesë ku propozuan që hapsira ku ndodhej objekti i spitalit modular të shndërrohet në park memorial publik.
Hapsira ku ishte spitali modular u shndërrua në parking.
Kujtojmë që në nëntor të vitit 2022 drejtori i atëhershëm i Spitalit të Tetovës Amir Elezi paralajmëroi se në këtë në vendin ku ndodhej objekti i spitalit modular, parashihej të vendosej pllakatë përkujtimore për viktimat e tragjedisë. Mirëpo kjo pllakatë nuk u vendos asnjëherë.
Me 8 shtator 2021 në Spitalin Modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.
Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.
Deri tani ka pasur dy procese gjyqësore për këtë rast, por të akuzuarit nuk u thirrën në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.
Në ndërkohë, pavarësisht se kanë kaluar gati tre vite që kur Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se po zhvillohet një hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për zjarrin në spitalin modular, ende nuk ka vendim.
Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.