Pa ndryshime kushtetuese nuk ka proces formal: Çfarë mesazhesh solli Marta Kos për rrugën eurointegruese të RMV-së?

Vizita e komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Shkup solli edhe mesazhe inkurajuese dhe paralajmërime të qarta për të ardhmen e procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Hristijan Mickoski, Kos vlerësoi përparimin e qeverisë në zbatimin e reformave dhe e cilësoi vendin si një nga performuesit më të mirë në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Megjithatë, pas toneve optimiste erdhi një mesazh i prerë, “pa ndryshimet kushtetuese, procesi formal i negociatave nuk mund të ecë përpara”, raporton Portalb.mk.

Në të gjithë paraqitjen e saj, Kos u përpoq të krijonte një ekuilibër mes lavdërimit për reformat dhe kushtëzimeve të procesit të zgjerimit. Ajo e përshkroi Maqedoninë e Veriut si një vend që po jep rezultate konkrete dhe që, për këtë arsye, do të përfitojë fonde shtesë nga Bashkimi Evropian. Sipas saj, kjo është dëshmi se Komisioni Evropian shpërblen vendet që zbatojnë reformat.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, Komisionerja e bëri të qartë se progresi në reforma nuk është i mjaftueshëm për të kaluar pengesën politike që e mban të bllokuar procesin e anëtarësimit.

“Miratimi i ndryshimeve kushtetuese të dakorduara mbetet hapi i domosdoshëm për fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit. Prandaj, edhe një herë e inkurajoj Qeverinë që të nisë këtë proces, i cili mund të çojë së shpejti në ndryshimin e Kushtetutës”, tha Kos.

“Besimi”, jo garancitë

Një nga mesazhet më të rëndësishme të Kos ishte se procesi i zgjerimit nuk funksionon mbi bazën e garancive, por mbi bazën e besimit.

“Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk ndërtohet mbi garanci të dhëna paraprakisht. Ai ndërtohet mbi besimin. Ai ndërtohet mbi angazhimet dhe përmbushjen e tyre. Dhe ndërtohet mbi punën e palodhur”, tha Kos.

Ajo la të hapur pikërisht pyetjen që vazhdon të dominojë debatin në Maqedoninë e Veriut, “çfarë ndodh nëse, edhe pas ndryshimeve kushtetuese, shfaqen kërkesa të reja nga një shtet anëtar?”. Kos nuk ofroi asnjë garanci se kjo nuk mund të ndodhë.

Përkundrazi, ajo e pranoi se procesi i zgjerimit është i ndikuar edhe nga dinamika politike në shtetet anëtare, duke përmendur rastin e Ukrainës, e cila u bllokua për një periudhë nga Hungaria.

Marta Kos. Foto: Qeveria e RMV-s.

Ky pranim, në fakt, bie ndesh me argumentin se procesi është plotësisht i bazuar në meritë.

Ndryshe nga Komisionerja Kos, kryeministri Hristijan Mickoski u përpoq ta vendoste theksin te ajo që Qeveria e konsideron problemin kryesor të procesit eurointegrues,kushtëzimin e procesit me çështje dypalëshe.

Në fjalën e tij hyrëse, ai tha se Maqedonia e Veriut pret që integrimi evropian të mbetet një proces i bazuar në meritë, ku përparimi vlerësohet sipas reformave dhe përmbushjes së obligimeve, e jo të pengohet nga konteste dypalëshe që krijojnë pasiguri te qytetarët.

Mickoski rikujtoi se qytetarët e vendit kanë marrë vendime të vështira dhe kanë bërë kompromise për vite me radhë, me bindjen se çdo kriter i përmbushur do të vlerësohej në mënyrë objektive. Sipas tij, tani është thelbësore që Bashkimi Evropian të dëshmojë se të gjitha vendet kandidate trajtohen sipas të njëjtave rregulla.

“Presim që integrimi evropian të mbetet një proces i bazuar në meritë, ku përparimi matet me përmbushjen e detyrimeve dhe jo pengohet nga çështje dypalëshe që krijojnë pasiguri te qytetarët. Për vite me radhë, qytetarët tanë kanë treguar përkushtim të palëkundur ndaj idealit evropian. Gjatë kësaj kohe janë marrë vendime të vështira, janë ndërmarrë angazhime serioze dhe janë bërë hapa të rëndësishëm, me bindjen se çdo kriter i përmbushur do të vlerësohej në mënyrë objektive dhe të parashikueshme. Prandaj, sot është me rëndësi të veçantë të ruhet besimi se procesi do të vazhdojë sipas të njëjtave rregulla për të gjitha vendet kandidate”, tha Mickoski.

Ky ishte një mesazh indirekt drejtuar Bullgarisë, por edhe institucioneve evropiane, të cilat Shkupi i konsideron përgjegjëse për lejimin e futjes së mosmarrëveshjeve dypalëshe në procesin e zgjerimit.

Megjithatë, përgjigjja e Komisioneres Kos tregoi se Brukseli nuk ka ndërmend të ndryshojë këtë qasje.

Reformat po ecin, negociatat jo

Një tjetër mesazh i rëndësishëm ishte ndarja që Komisioni Evropian po bën gjithnjë e më shumë mes reformave dhe procesit formal të negociatave.

Kos e pranoi hapur se edhe nëse Maqedonia e Veriut nuk mund të avancojë në negociata, ajo mund të vazhdojë të përfitojë nga fondet evropiane përmes Planit të Rritjes. Në vend që përfitimet të vijnë vetëm pas anëtarësimit, Bashkimi Evropian po përpiqet të ofrojë përfitime konkrete edhe para tij.

Kjo përfshin fonde shtesë, pjesëmarrje në programe si EU4Health, integrim në SEPA, bashkëpunim në fushën e sigurisë kibernetike dhe heqjen e tarifave të roamingut.

Në tërësi, vizita e Marta Kos prodhoi dy mesazhe paralele. I pari ishte inkurajues se Komisioni Evropian e vlerëson punën e qeverisë në reforma dhe është i gatshëm të rrisë mbështetjen financiare për vendin.

I dyti ishte shumë më i prerë se, pa ndryshimet kushtetuese nuk do të ketë përparim në negociatat e anëtarësimit dhe Bashkimi Evropian nuk do të japë garanci se në të ardhmen nuk do të ketë pengesa të tjera politike.

Ajo konfirmoi se Maqedonia e Veriut po përparon në reforma dhe po fiton besimin e Komisionit Evropian si administratë, por jo domosdoshmërisht sigurinë politike se rruga drejt anëtarësimit do të jetë lineare.

Ambasadori i Francës në Maqedoninë e Veriut, Christophe Le Rigoleur

Edhe ambasadori i Francës në Maqedoninë e Veriut, Christophe Le Rigoleur, në një intervistë për Portalb.mk, e bëri të qartë qëndrimin e Brukselit, duke theksuar kompromisi i vitit 2022, i njohur si “propozimi francez”, është pjesë e marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, e jo një marrëveshje dypalëshe me Bullgarinë.

“Pak semantikë. Të saktësoj, kompromisi i vitit 2022 nuk është një kompromis i Bullgarisë, por është një tekst që u nënshkrua midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Dhe me atë tekst Maqedonia e Veriut merr obligime ndaj Bashkimit Evropian”, tha ambasadori francez.

Ai është i qartë se ky dokument nuk do të hapet sërish për negociata, pavarësisht kërkesave politike që herë pas here vijnë nga politikanët në vend.

“Me të vërtetë do të dëshiroja të shprehem si mik i maqedonasve dhe i Maqedonisë së Veriut. Mendoj se duhet të jemi realistë, kompromisi i vitit 2022 nuk do të rihapet dhe nuk do të negociohet përsëri. Të negociohet sërish për këtë kompromis të vitit 2022 do të na çonte vetëm në një rezultat, të gjithë të humbasim kohë. Mendoj se kjo nuk është një ide e mirë”, deklaroi Le Rigoleur.

Sipas tij, rruga përpara nuk është rinegocimi, por gjetja e mënyrës për zbatimin e kompromisit në mënyrë politikisht të pranueshme dhe brenda një afati të arsyeshëm.

“Ajo në të cilën ne duam të punojmë është të gjenden mënyrat jo për të negociuar sërish, por për ta zbatuar atë duke u përpjekur të gjendet një mbështetje në mënyrë që të pranohet politikisht dhe të jetë e mundur, dhe kjo brenda një afati të arsyeshëm. E dimë se kompromisi i vitit 2022 është kompleks, i komplikuar, ka elemente që shfaqen njëri pas tjetrit dhe e dimë se nuk është gjithmonë e thjeshtë”, tha ai.

Ambasadori francez thekson se për këtë arsye është i domosdoshëm dialogu i sinqertë, i hapur dhe i qetë mes Shkupit dhe Sofjes. Ai vlerëson se pas formimit të qeverisë së re në Bullgari ka shenja të para të ripërtëritjes së komunikimit bilateral, përfshirë takime dhe kontakte të nivelit të lartë.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Bashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEHristijan Mickoski HristianMarta KosNdryshime Kushtetuese RMV