Izraeli pas armëpushimit: Do t’i rrënojmë tunelet e mbetura të Hamasit pasi të jenë liruar pengjet

Izraeli do t’i shkatërrojë të gjitha tunelet e mbetura nëntokësore në Rripin e Gazës, të cilat përdoren nga luftëtarët e Hamasit, pavarësisht arritjes së armëpushimit tha të dielën ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“Sfida e madhe e Izraelit pas fazës së kthimit të pengjeve do të jetë shkatërrimi i të gjitha tuneleve terroriste të Hamasit në Gazë”, shkroi Katz në platformën sociale X.

Ai tha se operacioni do të kryhet drejtpërdrejt nga ushtria izraelite, si dhe “përmes mekanizmit ndërkombëtar që do të krijohet nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara”.

Katz tha se u kishte dhënë urdhër trupave “të përgatiten për realizimin e misionit”, duke shtuar se qëllimi i Izraelit mbetet çmilitarizimi i Gazës dhe çarmatosja e Hamasit.

Pas tërheqjes fillestare të trupave, raportohet se forcat izraelite ende kontrollojnë më shumë se gjysmën e Rripit të Gazës. Çdo tërheqje e mëtejshme varet nga gatishmëria e Hamasit për t’i dorëzuar armët.

Gjatë luftës dyvjeçare në Gazë, ushtria izraelite ka raportuar në mënyrë të përsëritur se ka shkatërruar tunele të Hamasit, por ndërkohë vriteshin shumë civilë.

Para ofensivës izraelite, zyrtarët thoshin se tunelet shtriheshin për disa qindra kilometra, përfshirë edhe nën zona urbane.

Armëpushimi në Gazë filloi të zbatohet më 10 tetor, dy ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se Izraeli dhe Hamasi e arritën marrëveshjen e shumëkërkuar për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve, sipas planit të tij për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në enklavën palestineze.

Lufta në Gazë filloi më 7 tetor 2023 dhe që atëherë Izraeli ka kryer gjenocid mbi popullsinë e Gazës, duke vrarë mbi 67.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Ofensiva ka zhvendosur shumicën e 2 milionë banorëve të Gazës, ka shkaktuar shkatërrime masive dhe uri të madhe.

GazaGjenocidIzraeliPalestina