Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk ka ligje që rregullojnë përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale (IA), raporton Radio Evropa e Lirë. Shumica e institucioneve nuk kanë rregulla të qarta nëse nëpunësit publikë mund të përdorin mjete të inteligjencës artificiale në punën e tyre.
Disa institucione pranojnë se nëpunësit publikë e përdorin inteligjencën artificiale në punë, ndërsa të tjera thonë se kjo nuk ndodh.
“Unë jam asistenti juaj virtual. Mirë se vini!”
Ky është mesazhi me të cilin qytetarët në Ballkanin Perëndimor përballen gjithnjë e më shpesh kur vizitojnë faqet zyrtare të institucioneve ose bankave.
Në vend të një punonjësi, pyetjeve të tyre u përgjigjen chatbotë, ose asistentë virtualë, të bazuar në inteligjencën artificiale (IA).
Megjithatë, përdorimi i teknologjive si kjo ende nuk është i rregulluar qartë me ligj.
Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia ndodhen në faza të ndryshme të zhvillimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale, veçanërisht në administratën publike.
Përgjigjet e institucioneve shtetërore, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se shumica nuk kanë rregulla të qarta nëse nëpunësit publikë lejohen të përdorin mjete të inteligjencës artificiale, si ChatGPT, Copilot apo Gemini, gjatë kryerjes së punës së tyre.
Po ashtu, shumica e institucioneve nuk mbajnë evidencë se sa dhe si përdoren këto mjete.
Në disa raste mungojnë edhe masat teknike që do të parandalonin futjen e dokumenteve zyrtare ose të të dhënave personale të qytetarëve në platformat e inteligjencës artificiale.
Disa institucione e pranojnë se punonjësit e tyre e përdorin inteligjencën artificiale për të hartuar dokumente, për të përkthyer tekste, për të korrigjuar shkrime, për të kryer detyra administrative, për të analizuar sasi të mëdha të të dhënave ose për të kërkuar informacione.
Të tjerat thonë se një praktikë e tillë nuk përdoret.
Por, pavarësisht kësaj, gati të gjitha pajtohen se mungon një kuadër i posaçëm ligjor për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe se rreziqet më të mëdha lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë e informacionit.
Sipas tyre, përgjegjësinë për çdo keqpërdorim të dokumenteve ose të të dhënave e mban vetë personi që përdor mjetet e inteligjencës artificiale.
“Përdorimi i inteligjencës artificiale nuk mund të ndalohet. Është njësoj sikur dikush të më ndalonte të përdor një nga gjuhët që di. Por, ai mund të rregullohet me ligj”, thotë për Radion Evropa e Lirë eksperti gjyqësor i teknologjisë së informacionit në Bosnje dhe Hercegovinë, Enes Çengiq.
Ai paralajmëron se përdoruesit duhet të jenë të kujdesshëm me informacionin që fusin në platformat e inteligjencës artificiale, pasi, sipas tij, të dhënat e futura në këto sisteme mund të ruhen në serverë dhe, në rrethana të caktuara, të rikuperohen edhe më vonë.
Mjetet e inteligjencës artificiale, pa rregulla të qarta përdorimi
Ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Evropian tashmë kanë nisur zbatimin e Aktit për Inteligjencën Artificiale (AI Act), vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende në fazën e hartimit të ligjeve, strategjive dhe udhëzimeve për përdorimin e inteligjencës artificiale, si dhe të përafrimit të tyre me rregullat e BE-së.
Bosnje dhe Hercegovina nuk ka ende ligj që e rregullon përdorimin e inteligjencës artificiale, sidomos në institucionet shtetërore.
Një ligj i tillë, madje, nuk është hartuar as në formë drafti.
Nga përgjigjet që Radio Evropa e Lirë ka marrë nga disa institucione shtetërore, rezulton se disa prej tyre kanë vërejtur se punonjësit ose nuk përdorin fare mjete të inteligjencës artificiale, ose i përdorin në masë të kufizuar.
Kur përdoren, ato shërbejnë kryesisht për hartimin e teksteve, përkthime, korrektim gjuhësor dhe detyra administrative.