LSDM alarmoi për përmbytje në Klinikën e Onkologjisë, Klinika mohoi rrezikun për pacientët

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka alarmuar se pas motit të keq që përfshiu Shkupin, Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji është përmbytur, ndërsa aparatet për radioterapi janë nxjerrë jashtë funksionit. Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, deklaroi në konferencë për media se në Klinikë ka pasur përmbytje me ujëra fekale dhe se ujë ka depërtuar edhe në hapësirën ku pacientët marrin terapi me jod radioaktiv, transmeton Portalb.mk.

“Alarmojmë për një situatë jashtëzakonisht serioze që paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin dhe sigurinë e pacientëve dhe personelit mjekësor”, tha Kuzeska.

Sipas saj, nuk bëhet fjalë për ujë shiu, por për shpërthim të kanalizimit. Ajo tha se pacientët janë ekspozuar ndaj një rreziku të dyfishtë – radiologjik, për shkak të depërtimit të ujit në hapësirën ku jepet terapia me jod radioaktiv dhe biologjik, për shkak të ujërave fekale në Klinikë.

LSDM pretendon se bunkeri i vetëm i izoluar me mure plumbi është përmbytur plotësisht dhe kërkoi përgjigje nga menaxhmenti i Klinikës dhe nga Drejtoria për Siguri nga Rrezatimi lidhur me mënyrën se si është menaxhuar situata, ku janë vendosur pacientët që kanë marrë terapi me jod dhe nëse ka pasur kontaminim radioaktiv apo biologjik.

Partia opozitare kërkoi gjithashtu përgjegjësi për, siç tha, rrezikimin e mundshëm të pacientëve dhe personelit shëndetësor.

Nga ana tjetër, Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji ka reaguar me një komunikatë, duke theksuar se siguria e pacientëve nuk ka qenë e rrezikuar në asnjë moment dhe se situata është vënë plotësisht nën kontroll.

Nga Klinika konfirmojnë se pas reshjeve të dendura është regjistruar depërtim i ujit në nivelin -1, ku ndodhet Reparti i Radioterapisë, ndërsa aparatet janë fikur vetëm si masë parandaluese.

“Pas sanimit të rrjedhjes, hapësirat u pastruan dhe u dezinfektuan, ndërsa pajisjet u kontrolluan nga persona të autorizuar. Gjatë kontrollit nuk u konstatua asnjë defekt dhe, pas përfundimit të verifikimeve, trajtimet me radioterapi vazhduan për të gjithë pacientët”, thuhet në reagimin e Klinikës.

Sa i përket hapësirës për terapi me jod radioaktiv, Klinika pranon se është vërejtur depërtim i ujit, por thekson se personeli reagoi menjëherë dhe pacientët u zhvendosën në mënyrë parandaluese në një hapësirë tjetër të përshtatshme brenda Klinikës.

Në koordinim me Institutin e Mjekësisë Nukleare dhe Drejtorinë për Siguri nga Rrezatimi janë kryer matje të detajuara, të cilat, sipas Klinikës, kanë konfirmuar se nuk ka pasur asnjë kontaminim radioaktiv.

Klinika e Onkologjisë ShkupLidhja Social Demokrate (LSDM)