Tre persona rrahën një të mitur dhe e therën me thikë në lagjen Hasanbeg

Një djalë 14-vjeçar u plagos rëndë në një sulm brutal që ndodhi më 22 qershor në lagjen Hasanbeg të Shkupit. Sipas familjes së tij, ai u sulmua pa asnjë arsye nga tre persona ndërsa po ecte drejt Rrugës “Finska”, transmeton Portalb.mk.

Sulmuesit fillimisht e rrahën, dhe më pas njëri prej personave e goditi shtatë herë me thikë në shpinë.

Pas sulmit, djali mbeti pa ndjenja derisa një kalimtar e gjeti dhe thirri shërbimet e urgjencës dhe policinë.

I mituri i lënduar u dërgua me urgjencë në Qendrën e Emergjencës, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Familja kërkon hetim të shpejtë të rastit dhe gjetjen e autorëve. Ministria e Brendshme konfirmon se rasti është raportuar dhe se po merren masa për ta hetuar atë.

“Më 22.06.2026 rreth orës 23:05, SPB Shkup mori njoftim se në zonën e Gazi Babës, një i mitur është sulmuar fizikisht nga tre persona, njëri prej të cilëve e ka plagosur me një objekt të mprehtë. Po merren masa për sqarimin e rastit”, thonë nga MPB.

Fëmija/ëHasanbegMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Rrahje