Intelektuali dhe pavdekësia

“Intelektuali e relativizon vdekjen. Krijon kulturë jete edhe pas ikjes nga kjo botë!”

Njeriu i kënduar, njeriu i dijes, dijësi, i përndrituri, me shkollë e pa të, intelektuali, kjo qenie e lirisë epistemike, si gjithë frymorët e tjerë jeton, ushqehet, sëmuret, gëzohet, përjeton, ndërvepron, dhe në fund shpirtin e dorëzon. Pra edhe ai është njeri, pjesë e llojit të vet, por ama me disa cilësi të veçanta. Intelektuali nuk është ai që lexon shumë libra, por ai që synon ta ndryshojë botën përmes asaj që lexon. Ai nuk mjaftohet vetëm duke u mbushur plot me informacion e të dhëna, por është dikush që e vë në dyshim këtë dije dhe i bën pasqyrë mjedisit, shoqërisë. Ai është një individ që e përsos veten vazhdimisht, që del jashtë kornizave dhe guxon të mendojë zëshëm, me trimëri.

Intelektuali rrugëtimin e ka më të mundimshme në jetë, sepse vijën e jetës e ka me më shumë sfida; kultura e tij është ajo e ballafaqimit me problemet, jo vetëm me ato materiale, por edhe me ato që ordinerit nuk i shkon mendja. Ai nuk merret vetëm me fatin e vet, por edhe me të të tjerëve. Me një fjalë ai është njeri me mision, misionar.  A thua ia ngarkoi Qielli këtë detyrë, apo ia ka dhënë ai vetë vetes një mision të tillë? Kjo është çështje tjetër, por se ai bën jetën duke u marrë me kauzën e komunitetit kjo është një e vërtetë. Natyrisht kjo vlen për intelektualin e mirëfilltë, që ka interesa sublime, jo sipërfaqësore, jo terciare. Pra jo çdo njeri që veten e quan intelektual ose të tjerët ia japin epitetin shkollar ka një veti të tillë.

Intelektuali i mirëfilltë është urtar, ai nuk e ka veprimtarinë e tij për të fituar -vetëm – kafshatën e gojës. Ai nuk shitet për një copë bukë apo për lëndshmërinë e tre-katërditësisë së kësaj bote. Ai në asnjë mënyrë nuk bëhet objekt i transaksioneve të subjekteve, nuk lejon të infiltrohet në partikularitete të ditores. Ditorja është një hiç për të ngase ka një agjendë tjetër, atë të përjetësimit të vetes edhe pas “shuarjes fizike” të kësobotshme. Ai ka një identitet të paidentifikueshëm me palë, qarqe, sekte, fraksione, parti; identiteti i tyre është supraidentitet. E ky supraidentitet e bën atë që të duhet e të respektohet nga të gjithë. Identiteti i tij është ai i ballafaqimit dhe kundërshtimin të klanizmave e dinosaurëve që kërkojnë famën këtu, me gjëra të konsumueshme.

Megjithatë, ai ka çmim dhe çmohet lart, ngase nuk përlloçet në rrugët e pista të oportunizmit. Ndershmëria dhe dinjiteti i tij janë monedha e vetme që nuk zhvlerësohet kurrë; sa më shumë që bota për rreth të ndotet, aq më shumë shkëlqen pastërtia e tij e paprekshme. Ai mund të sulmohet, ndodh që edhe të gurëzohet, por ama kurrë nuk nënçmohet, nuk e humb vlerën ngase mbron vlera, virtyte. Ai nuk përulet, nuk thyhet në kurriz ngase aty ku gjendet ka mbërritur me përpjekje, mund, me punë të palodhshme; nuk e ka zbritur dikush aty hë për hë, që të sillet vërdallë si i çorientuar. Ai nuk menaxhohet as dirigjohet nga distanca. Ai nuk u bë “dikushi” nga dëshira apo ndihma e dikujt tjetër; ai është dikushi sepse vlera, karakteri dhe puna e tij e bëjnë të tillë.

Për të dhoma e zyrat janë të ngushta, ai është pjesë e sheshit publik, e agorës. Është modest, ngase s’e njeh pallatin dhe  aristokracinë. Ky lloj nuk ikën, sepse s’ka ku të ikë, është aty sepse janë pjesë e atysisë. Nuk aktron eremitërinë. Nuk shet fe, fetari, shpërfaq moralitet e njerëzishmëri. Nuk fshehet sepse s’ka çka të fshehë, gjithçka e ka të hapur, transparente. S’ka ngritje-rënie të çastit, ka kontinuitet. Edhe me fjalë, edhe me vepra, edhe me shkrime. Në shkrimet e tij ka tone të kriticizmit konstruktiv jo të konformizmit të turpshëm. Intelektuali i vërtetë nuk shkruan me porosi, ngase nuk ka dyqan ku vendoset etiketa “me porosi”; ai ua prish porosinë porositësve të pandershëm. Ka porosinë e vet që e legjendarizon atë, që e bën atë të pavdekshëm. Ai pas vetes lë fjalë, lë tekst, lë dije që e ngre atë në kategorinë e pavdekshmëve. Që e martirizon atë.

A gabon vallë hiç? Po si jo. Bile edhe shpesh. Ama edhe gabimin e ka të dëlirë, ngase s’ka qëllime anësore, jonjerëzore, s’ka agjendë. Edhe huqjen e ka të kuptimtë. Gabon ngase është njerëzore të gabosh; gabon sepse ka synim, synon diçka sublime. Prej tij mësohet edhe kur keqkuptohet. Ngase nuk dredhon, nuk manipulon, askënd nuk e shënjestron. Pra ky soj, jeton për të qenë. Atij Zoti ia mundëson të jetë edhe tash edhe pas. Edhe kur viza i vendoset mes dy datave. Ai e kapërcen datën e dytë në epitafin e varrit. Data e dytë s’ka kuptim për të, as për popullin sepse askush as që e shikon e as e mban mend atë. Të gjithë e mbajnë mend atë vizën në mes që pasqyron gjitha të bëmat e tij për një periudhë sa ka gjallnuar.

Njeriu mund ta arrijë pavdekësinë e frymës në disa mënyra: rimishërimit, devotshmërisë, riprodhimit/trashëgimisë dhe intelektualitetit. (Cündioǧlu) Intelektuali e relativizon vdekjen! Ai me vdekjen e tij krijon kulturë jete! Të pavdekshëm atë e bëjnë veprat jo dukja, as ekonomia e aritmetikat e jetës. Fjalët e tij kujtohen sa të ketë jetë e mot. Takimet me të janë evokime të paharrueshme. Sa mirë të jesh nga të tillët! Edhe nëse s’kanë pasur kurrë dhe kurrfarë dekorate. Firma e certifikatës së tyre vlerore nuk është bojë mbi letër. Është aprovim dhe konfirmim  masovik dhe metafizik. Ngase atë që njerëzit e shohin të mirë, është e mirë! Vdekja e intelektualit është e dhimbshme, është vdekje e një bote sado që ai për veten thotë “ime vogëlsi”. Zëvendësimi i këtij vdekatari të pavdekshëm është i vështirë, ngase ai është unik, s’ka dytëshorin e vet. Thagma e tij jeton gjithandej dhe përjetësisht.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit