Shkruan: Mirhat Aliu
Në një botë që na mëson të vrapojmë gjithmonë pas suksesit, arritjeve të mëdha dhe miratimit të të tjerëve, shpesh harrojmë veten dhe një të vërtetë të thjeshtë, pra paqen. Ajo nuk varet nga ajo që zotërojmë apo arrijmë, por nga marrëdhënia që ndërtojmë me veten tonë.
Shpesh e kërkojmë qetësinë jashtë vetes, pa e kuptuar se ajo lind në heshtjen e brendshme të shpirtit. Të bësh paqe me veten nuk është shenjë dobësie, përkundrazi, është një akt i rrallë guximi. Është pranimi i asaj që je, me gjithë dritën dhe errësirën që mbart brenda.
Ëndrrat, qëllimet dhe idealet nuk janë thjesht dëshira, ato janë thirrje të brendshme që burojnë nga thellësia e qenies sonë. Dhe, për t’i arritur, nevojiten durim, besim dhe përkushtim që sfidon lodhjen.
Do të ketë ditë kur rrethanat do të na thyejnë. Do të ketë njerëz që do të përpiqen të na bindin se ëndrrat janë iluzione dhe se besimi është naivitet. Pikërisht në ato çaste, njeriu duhet të zgjedhë që ose të heshtë përballë frikës, ose të dëgjojë zërin e vet të brendshëm.
Jeta nuk është e butë, ajo godet, sfidon, trondit dhe të hedh në dallgë që duken të pakapërcyeshme. Por çdo ngritje është një akt besimi ndaj vetes dhe ndaj mundësisë për një fillim të ri.
Në një botë të mbushur me gjykime dhe mendësi të ngushta, arritja më e madhe është të mbetesh vetvetja dhe të mos tradhtosh kurrë vlerat personale, pavarësisht se çka.
Në fund të fundit, prano gabimet dhe brishtësinë tënde, sepse aty lind edhe forca. Prano se je i papërsosur, por i aftë të ndryshosh, të rritesh dhe të krijosh kuptim. Paqja e vërtetë nuk gjendet në atë që bota të jep, por në atë që zgjedh të kultivosh brenda vetes.