Misionarët e doktrinave të huaja

Gjatë viteve të 80-ta, në qytetin tim jetonte një kurbetçi i pensionuar parakohe për shkak të problemeve shëndetësore. Asokohe flitej gjithandej për spiunët e ish-pushtetit – gurubitë, shvepsat, qeniet njëqelizore… Dhe meqë plakut s’ia ndinte fare për pasoja, njerëzit e pyesnin:

Xhi do vu bajshe argjatëve të dushmajve tuan, po të kishe mundsaj?

– Do va kaja n… me shpatën e Skenderbegjit: fap-fap-fap, se çatë e kan hak pisat.

Kështu shprehej ai për mashat mbrojtëse të duarve të pista të pushtetit antishqiptar, por, një ditë e modifikoi përgjigjen.

– Jo, tha! Sën sosi punë me shpatë se jan ba shaum e do t’i korri me kombajn, zhing-zhing-zhing…

Natyrisht, njerëzit e urtë nuk janë për herrjen e metilit shoqëror me kombajna, sepse, kur Zoti vendosi të krijojë njerëzit, mbi shpatullat e disave e mbështeti më gjatë dorën dhe i bëri të mbarë, kurse disa të tjerë i la me plot gunga, sepse është i gjithfuqishëm dhe i di punët e Tij. Gjithsesi, hile nuk bëri, prandaj bota nuk është uniforme. Prandaj ka ditë dhe netë, dritë dhe erësirë, diej dhe thengjij. Hile nuk u bëri as “drunjve të shtrembër”, as “gurrëve të varrit”. Në vend të tyre, krijoi kokat sipër qafave tona dhe na dha mundësi përzgjedhjesh të rrugëve të jetës.

Pra, nuk preferoi disiplinimin e gjynahëve me almiset e plakut të stërlodhur, ama logjika e tij na më mban larg përmendjes së emrave konkretë të ukubetëve, për aq kohë sa të ligat tona kanë për objekt dukuritë oqeanike.

Kjo duhet të vlejë veçanërisht për ata që shpërfaqin me kompetencë mendimet mbi fenomenet shoqërore, politike e kulturore, pa vënë në shërbim meskinëritë e shpifarakëve të shumuar si shtogu n’m…, të cilët kanë mision katranosjen e gjithsecilit që nuk është si ata dhe që ka arritur të dallohet me bëma të mira dhe vepra konkrete, pavarësisht stërkalave të helmta, që bien mbi surratet e dështakëve të cilët aftësitë e munguara i kompensojnë duke fyer ata që ua prishin keq mesataren.
Renegatët e këtillë përbaltin antipodët, të cilët u janë bërë tollosum – makthe që u faniten në ëndrra kudrash. Ata hungërrijnë harbueshëm, ndonëse nuk i njohin personat që fyejnë. Ata shajnë pa asnjë shkas nënat e njerëzve të konceptuar si armiq, që thua ti se ua kanë vrarë djemtë e hasretit, por ne duhet ta kuptojmë se kjo është detyra e tyre, që synon të lë shqiptarët pa asnjë kokë të mençur, pa asnjë kuotë që bën imazhin e etnisë, pa asnjë shpresë për të ardhmen.

Paranjerëzit përbaltin madje dhe institucione të rëndësishme për të nesërmen tonë në këto hapësira. Sulmojnë idiotësisht, jo për të mobilizuar forcat e etnisë për dalje nga gjendjet e pakënaqshme, po për t’u tebdilosur me rrobat e shpëtimtarëve të arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare.

Thënë shkurt: ata shajnë sepse paguhen për të sharë. Shihni sa peshon për ta shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare – krijuesi përpara të cilit përkulej bota letrardashëse. Ata janë të paskrupullt, të pandërgjegjshëm, të paedukuar, të pamoralshëm, të pa-miq, të pa-atdhe, të paaftë… Janë monstra për të cilët njerëzit besojnë se nuk i mban varri – janë pronarë bordelesh që shfrytëzojnë tezgat shqiptare për të shitur moral.

Nëse nuk besoni, lexoni me vëmendje shkarravinat e tyre trapa-trupa, prej nga do ta kuptoni se është fjala për qenie me përmasa papuçoresh, për “analistë” me misione të dëmshme, që fatmirësisht janë ahistorike dhe të dështuara.

Prandaj them se, nga pronarët e bordellos, që vetëm në shqiptari kanë të drejtën e shitjes së moralit, duhet të druhemi, jo kur na përbaltin, por kur na lavdërojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit