Mendjendrituri madhështor

Është i madh trishtimi kur largohet nga kjo botë një mik i shtrenjtë, që shpesh më ka udhëzuar kur ngatërrohesha në kaosin e jetës dhe të botës.

Në heshtje kujtoj çastet e paharrueshme që kam ndarë me të, çaste që do të mbeten përgjithmonë të gdhendura në pllakën e kujtesës.

Kujtesa është shtëpia qiellore e të amshuarve të gjithëpranishëm. Është arka ku ruajmë thesare prej fryme. Aty janë jehonat që vijnë nga thellësia e kohërave dhe imazhet që nuk zbehen nga rrezet e harresës…

Tani, kur mendimtari i shquar Nijazi Muhamedi fle në paqe, mbetet ta kujtojmë me admirimin më të thellë.

Thënia se kur largohet një mendimtar, shuhet një bibliotekë, sikur është shkruar për ikjen në amshim të Nijazi Muhamedit.

Mendjendrituri dhe gjuhëpasuruesi, me dije të thelluara mbi letërsinë, sociologjinë e filozofinë, ishte një bibliotekë që ecte.

Ai ishte mendimtari i kthjellët dhe shpirtkërkimtari me “uri të pangopshme për njohjen”, siç tha Saramago. Me pak fjalë thoshte shumëçka. Sikur bazohej në atë që tha Carducci: “Ai që mund të thotë diçka me dy fjalë, por e thotë me tre, nuk është njeri i ndershëm”.

Ai shkroi me ndershmëri jo për buçimat e ditës, por për proceset e rëndësishme shoqërore.

Kur na kapte dalldia rinore pas shfaqjeve rastësore e kalimtare, atëherë ai sillej me urtësi e ndjenjë prindërore, duke na lënë ta kuptonim se njeriu i penës s’duhej të bëhej rob i gjërave kalimtare, por të dallonte dhe të ndriçonte tronditjet e mëdha që ndodhnin në jetë e në shoqëri.

Kur përgatitnim ndonjë revistë për botim, e shihje të zhytur në mendime dhe me një cigare në cep të buzëve. Kur zyra mbushej me tym sa mezi e shihnim njëri-tjetrin, madje shpesh ndiznim njëkohësisht edhe nga dy cigare, ai, me humorin e tij të këndshëm, thoshte: “Ka ardhur koha t’i hapim dritaret!”

Sa herë përballeshim me dilema, Nijazi Muhamedi ishte adresa e parë ku kërkonim ndihmë. Rrallë kam takuar njerëz aq fisnikë dhe aq të gatshëm për t’u ardhur në ndihmë të tjerëve, pa kërkuar asgjë në këmbim. Në fund të fundit, ne ishim dishepujt, ndërsa ai ishte mësuesi ynë.

Me sjelljen fisnike dhe dijen e gjerë, ai rrezatonte madhështi dhe ngjallte respekt te kushdo që e njihte.

Nijazi Muhamedi botoi shumë shkrime dhe disa libra me ese. Vepra e tij madhore është “Maqedonia Shqiptare”, që përmbysi falsifikimet e Enciklopedisë Maqedonase…

Vlerësimi i madhështisë së njerëzve të mëdhenj s’mund të përmblidhet në një shkrim, sepse ata hapën shtigje ku ecëm më vonë.

Është detyrë morale që t’i mbledhim shkrimet e Nijazi Muhamedit, të shpërndara nëpër gazeta e revista të ndryshme, dhe t’ua ofrojmë lexuesve në një botim, sepse përbëjnë një trashëgimi të çmuar kombëtare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu