Një pjesë e institucioneve publike në rajonin e Çairit janë të paarritshme për personat me aftësi të veçanta, sidomos për ata në karroca. Rrugët dhe infrastruktura rrugore gjithashtu lë shumë për të dëshiruar. Disa nga sfidat e përditshme që këta qytetarë përjetojnë janë trotuaret e bllokuara nga veturat, mungesa e stazave të posaçme, mungesa e ashensorëve dhe të tjera. Ertan Shakiri dhe Zhivko Milevski nga shoqata “SOS Vita” për Portalb.mk treguan vështirësitë me të cilat ata përballen për çdo ditë. Përderisa ka ankesa te Komision për Parandalimi dhe Mbrojtje nga Diskriminimi vrejtje të mëdha ka edhe Avokati i Popullit. Por, ky grup i qytetarëve, vazhdon të mos jetë prioritet për institucionet.
Institucionet publike të paarritshme për personat në karroca
Institucioni i Shëndetit Publik, Shtëpia e Shëndetit “Poliklinika në Çair” është një ndër institucionet ku këta qytetarë e kanë të vështirë qasjen. Portalb.mk vizitoi këtë objekt, aty pamë se brenda objektit nuk kishte ashensorë.
Posta e cila gjendet në Komunën e Çairit kishte stazë për karroca, mirëpo ngjitja në të ishte e vështirë sepse e njëjta ishte e dëmtuar.
Objekti i Komunës së Çairit ka stazë të posaçme dhe ashensorë.
Përveç institucioneve të lartpërmendura, në rajonin e Çairit veturat parkohen nëpër trotuare ndërsa bllokojnë rrugët dhe kalimi i personave në karrocë është thuajse i pamundur.
Çdo ditë e re me sfidat e vjetra
Ertan Shakiri, kryetar i shoqatës “Sos Vita” në Shkup i cili jeton në Çair për Portalb.mk rrëfeu vështirësitë me të cilat ai përballet çdo ditë.
Si shembull më eklatant, Shakiri e përmendi Bit Pazarin ku parkohen veturat dhe ku e kanë vështirë kalimin.
“Në Bit Pazar parkohet çdo lloj veture dhe nuk kemi si të lëvizim. Nëse ka thënë kështu Zoti pse njerëzit mos të na kuptojnë pse njerëzit duhet të heshtin në këtë rast për persona me nevoja të veçanta. Ata të cilët ndërtojnë ndërtesa xhami, kisha duhet ta kenë parasysh edhe ai investitori edhe nëpër shkolla duhet ta ketë parasysh që të bëhet një vendkalim për këta persona”, tha Shakiri.
Ai apeloi deri te institucionet publike që tu qasen këtyre problematikave më seriozisht dhe mos të përjashtojnë këtë kategori të qytetarëve.
Ngjashëm si Ertani, Zhivko Milevski, anëtar i shoqatës “Sos Vita” në Çair, foli për sfidat e përditshme me të cilat ata ballafaqohen.
“Nëpër spitale nuk kemi qasje të mirë, çdoherë kemi dalë nëpër media dhe e kemi thënë të njëjtën gjë por deri më tani nuk e kanë marrë parasysh thirrjen tonë. Po ashtu kemi kërkuar qasje edhe në Komunën e Çairit nëpër trotuare nuk kemi barriera dhe qasje të mira”, tha Milevski.
Vërejtje edhe nga Avokati i Popullit
Për këtë problem Portalb.mk bisedoi me Avokatin e Popullit Naser Ziberi, ai tregoi se Maqedonia e Veriut në vitin 2011 ka ratifikuar konventën për të drejtat e personave me aftësi të veçanta, por që shumë pak është bërë në implementim.
Ziberi theksoi se nga përvoja e deri tanishme është konstatuar se RMV-ja as përafërsisht nuk i plotëson ato kushte që parasheh konventa ndërkombëtare, edhe atë si në fushën e arsimit, punësimit, mbrojtjes shëndetësore, qasjes në institucionet me karakter publik, infrastrukturë dhe në punësim.
“Qasja nëpër institucione publike dhe jo vetëm është jashtë standardeve ndërkombëtare që parasheh kjo konventë, objektet që ndërtohen të karakterin publik nuk i plotësojnë standardet që parasheh kjo konventë dhe jo vetëm kaq eliminimi i pengesave fizike për qarkullimin e këtyre personave është vetëm një dimension i problemit”, tha Ziberi.
16 ankesa në Komisionin për Parandalimi dhe Mbrojtje nga Diskriminimi
Në Komisionin për Parandalimi dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPDM) në RMV, nga viti 2021 deri më 31 korrik 2024 janë paraqitur 16 ankesa të diskriminimit mbi bazën e aftësisë së kufizuar në Shkup.
“Katër raste janë paraqitur në fushën e qasjes në shërbime publike, nga të cilat tre për diskriminim në qasjen në mallra dhe shërbime publike dhe një rast për diskriminim në qasjen në shërbimet e subjekteve private”, thanë nga KPMD.
Komuna e Çairit premtoi por tani hesht
Komuna e Çairit nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske se pse komuna nuk merr masa për rregullimin e kushteve për qasje dhe infrastrukturë më të mirë të qytetarëve me aftësi të kufizuara nëpër institucionet publike.
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu në programin e tij parazgjedhor 2021 ka premtuar se përpos mbështetjes dhe asistimit për individët me nevoja të veçanta, Komuna e Çairit do të angazhohet për ndërtimin e një qendre sociale në mbështetje të këtyre personave të cilët janë pjesë e pandashme e shoqërisë sonë.
Në vitin 2019, Ganiu deklaroi se në Komunën e Çairit kanë bërë disa hapa që të sigurohen ashensorë specialë për kategorinë e personave me karroca dhe që ata të kenë qasje më të lehtë në çdo zyrë.
Problem i të gjithë vendit, kritika nga BE-ja
Portalb.mk ka raportuar mbi këtë problematikë për Tetovën, Kumanovën dhe Likovën.
Vendi vazhdimisht merr kritika nga BE-ja. Për shembull Bashkimi Evropian, në Raportin e përditësuar vjetor 2023 mbi të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Botë thekson se çështja e diskriminimit dhe margjinalizimit të personave me aftësi të kufizuar mbetet problem që kërkon zgjidhje.
Ndryshe, në dhjetor të vitit 2023 Qeveria e RMV-së miratoi Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Personave me Nevoja të Veçanta 2023-2030, me Plan Veprimi të strategjisë nacionale për vitin 2023-2026.
- LEXO: Kumanovë, institucionet “mbyllin sytë” para personave me aftësi të veçanta fizike, infrastruktura lë për të dëshiruar.
- LEXO: Për institucionet në Tetovë personat me karroca mbeten të padukshëm, nuk ka as kushte infrastrukturore dhe as trajtim të denjë
- LEXO: BE: Diskriminimi i personave me aftësi të posaçme, situata me burgjet dhe kushtet e gazetarëve në RMV mbeten shqetësuese
- LEXO: Qeveria miratoi Strategjinë e re Nacionale për të Drejtat e Personave me Nevoja të Veçanta 2023-2030