Sot më 10 janar, duke filluar nga ora 13:00, në ambientet e Shkollës së Mesme “Zeflush Marku” në Shkup, do të organizohet panel diskutimi me temë: “Koreografia shqiptare: dje, sot dhe nesër”. Ky panel i kushtohet tërësisht artit koreografik shqiptar dhe synon të hapë një hapësirë profesionale dialogu mbi rrugëtimin e koreografisë shqiptare nga trashëgimia tradicionale, te sfidat e së tashmes dhe vizioni për të ardhmen. Në një bisedë për Portalb.mk, koreografi Ilir Loku foli gjerësisht për vallen, këngën dhe koreografinë shqiptare, duke vënë në pah rolin e tyre si pasuri kulturore dhe si një formë arti që kërkon zhvillim të vazhdueshëm. Ai theksoi se koreografia shqiptare nuk duhet të mbetet vetëm brenda kornizës së traditës, por duhet të pasurohet dhe të përshtatet me kohën, duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe vlerat burimore.
Portalb.mk: Si e vlerësoni trashëgiminë e koreografisë shqiptare dhe vallet tradicionale: Çfarë kemi ruajtur mirë, çfarë kemi humbur dhe çfarë duhet patjetër të mbrojmë për të mos e deformuar identitetin tonë?
Ilir Loku: Trashëgimia e koreografisë shqiptare është themel i identitetit tonë kulturor dhe institucioni pare dhe i vetëm për ruajtjen e tij dasma tradicionale dhe më vonë nga ansamblet, të cilat i kanë sistematizuar vallet duke i sjellë në skenë të strukturuara. Kemi ruajtur motivet bazë të lëvizjes, raportin me muzikën dhe karakterin krahinor, por rrezikojmë të humbasim kuptimin e brendshëm kulturor të valles, funksionin e saj social dhe autenticitetin, për shkak të mungesës së dokumentimit profesional dhe ndërhyrjeve jo të vetëdijshme. Ajo që duhet patjetër të mbrojmë është struktura, karakteri dhe etika e valles shqiptare, duke e ruajtur identitetin e saj jo si një element i ngrirë folklorik, por si një trashëgimi e gjallë që zhvillohet me përgjegjësi artistike dhe profesionale, nga individë të dëshmuar dhe të fushës së koreografisë.
Portalb.mk: Cila është gjendja reale e koreografisë shqiptare sot: A kemi profesion, institucione, hapësirë dhe mbështetje të mjaftueshme dhe cilat janë sfidat kryesore që po e pengojnë zhvillimin e saj?
Ilir Loku: Gjendja reale e koreografisë shqiptare sot tregon një mospërputhje të qartë mes potencialit dhe kushteve reale të zhvillimit. Ekziston aktivitet i vazhdueshëm në ansamble dhe iniciativa individuale, por mungon profesionalizimi i qëndrueshëm përmes institucioneve arsimore, platformave kërkimore dhe mbështetjes institucionale. Sfidat kryesore mbeten mungesa e koreografëve të shkolluar, amatorizmi i normalizuar, frika ndaj qasjeve bashkëkohore dhe mungesa e politikave kulturore që e trajtojnë koreografinë si disiplinë artistike të pavarur.
Portalb.mk: Si mund të ndërtojmë koreografi shqiptare moderne pa e humbur lidhjen me traditën: Ku është kufiri mes ruajtjes së autentikes dhe krijimit bashkëkohor, dhe si të shmangim komercializimin apo karikaturën skenike?
Ilir Loku: Koreografia shqiptare bashkëkohore mund të ndërtohet në mënyrë të natyrshme, duke e ndier dhe duke e trajtuar traditën si burim frymëzimi, e jo si diçka që duhet kopjuar apo kufizuar. Ruajtja e autentikes nuk nënkupton përsëritje të formës; ajo nuk humbet kur zhvillohet, por vetëm kur keqkuptohet dhe keqtrajtohet. Autenticiteti kërkon një kuptim të thellë të strukturës, karakterit, ritmit dhe etikës së valles. Kufiri mes traditës dhe krijimit bashkëkohor qëndron te përgjegjësia artistike dhe te njohja profesionale e materialit burimor. Sa i përket rrezikut të komercializimit apo karikaturës skenike, ai shmanget kur procesi krijues udhëhiqet nga njohja, kërkimi dhe integriteti artistik, e jo nga efektet e shpejta apo pritjet sipërfaqësore të tregut.
Portalb.mk: Sa i shëndetshëm është raporti mes koreografit, kërcimtarit dhe audiencës: a jemi ende në modele të vjetra ku koreografi vetëm udhëzon, apo kemi bashkëkrijim dhe si mund të edukojmë publikun që ta kuptojë koreografinë si art?
Ilir Loku: Raporti mes koreografit, kërcimtarit dhe audiencës është thelbësor për shëndetin e koreografisë. Koreografi krijon vizionin, kërcimtari e mishëron atë, ndërsa audienca e plotëson veprën me përjetimin e saj. Koreografia më e gjallë lind nga bashkëkrijimi, ku ideja evoluon mes skenës dhe interpretuesve. Për ta edukuar publikun, duhet të krijojmë hapësira ku ai mund të ndjekë procesin, jo vetëm produktin: prova të hapura, shpjegime para ose pas shfaqjes, ligjërata të thjeshta mbi konceptin dhe lëvizjen. Kur audienca kupton përpjekjen, lidhjen me traditën dhe mesazhin artistik, marrëdhënia mes skenës dhe saj forcohet dhe vepra merr kuptim të plotë.
Portalb.mk: Çfarë duhet të ndodhë pas këtij paneli që koreografia shqiptare të ketë të ardhme të qëndrueshme: cilat janë hapat konkretë për bashkëpunim Shqipëri-Kosovë-Maqedoni e Veriut, dhe si mund të ndërtojmë një platformë profesionale që vazhdon edhe pas këtij aktiviteti?
Ilir Loku: Pas këtij paneli, është e rëndësishme që koreografia shqiptare të mos mbetet vetëm diskutim, por të kthehet në veprim konkret. Ky panel ka për qëllim të hapë një dialog të gjallë për koreografinë shqiptare dhe të krijojë një platformë bashkëpunimi që do të shtrihet përtej këtij aktiviteti. Është e rëndësishme që ai të mbështetet mediatikisht dhe institucionalisht, duke përfshirë televizionet, portalet, revistat shkencore, institucionet shtetërore dhe ambasadat shqiptare. Pas këtij paneli, synojmë të krijojmë një rrjet të qëndrueshëm bashkëpunimi mes koreografëve, kërcimtarëve dhe institucioneve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Kjo do të mundësojë zhvillimin e projekteve të përbashkëta, punëtorive dhe kurseve edukative. Hapja e shkollave dhe degëve të specializuara për koreografinë tradicionale dhe bashkëkohore do të ndihmojë që trashëgimia të ruhet, ndërsa krijimtaria dhe inovacioni të ecin paralelisht me traditën. Në këtë mënyrë, jo vetëm që forcohet identiteti artistik i koreografisë shqiptare, por krijohet edhe një mjedis i gjallë dhe profesional ku brezat e ardhshëm mund të zhvillojnë potencialin e tyre në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ky panel i kushtohet tërësisht artit koreografik shqiptar dhe synon të hapë një hapësirë profesionale dialogu mbi rrugëtimin e koreografisë shqiptare, që nga trashëgimia tradicionale, te sfidat e së tashmes, si dhe vizioni për të ardhmen. Qëllimi i panelit është të krijojë një platformë reflektimi dhe diskutimi profesional, të nxisë mendimin kritik dhe bashkëpunimin mbarëkombëtar në fushën e koreografisë shqiptare, si dhe të trajtojë raportin mes koreografit, kërcimtarit dhe audiencës. Ky aktivitet përfaqëson një hap të parë drejt ndërtimit të një dialogu të qëndrueshëm profesional për Artin Koreografik Shqiptar.
Panelistët e këtij eventi do të jenë koreografë të diplomuar nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut: Uesli Alushi, Gëzim Sertollaj dhe Ilir Loku.
Temat kryesore të diskutimit: Trashëgimia dhe vallet tradicionale shqiptare, gjendja aktuale e koreografisë dhe sfidat profesionale, raporti mes traditës dhe koreografisë bashkëkohore.
-
Afishja e aktivitetit. Foto: Ilir Loku