Shoqëria ku mungon dhembshuria për të përvuajturin, varfanjakun, të sëmurin apo viktimën, është e mjerë. Ajo, edhe nëse është e pasur materialisht, mbetet e varfër shpirtërisht. Kur faktori material e mbizotëron faktorin shpirtëror, atëherë e ardhmja është e errët.
Shoqëria ku i duartrokitet ligësisë, përjeton krizë të thellë morale. Kur egoizmi i sundon shpirtrat e njerëzve, atëherë keqbërësit besojnë se kanë tagër mbi jetën e të tjerëve.
Në shoqërinë që përjeton krizë morale, humb besimi në institucionet publike dhe autoritetet morale. Aty, ndonëse flitet në emër të kombit, mungon përgjegjësia ndaj së mirës së përgjithshme.
Njerëzorja dëshmohet duke bashkëndjerë me atë që vuan, pra nëpërmjet empatisë.
Ndjenja e empatisë ngjallet që në fëmijëri: brenda familjes dhe shkollës. Familja dhe shkolla mund të na mësojnë të jemi përkrah viktimës si fituese morale dhe ta distancohemi nga i ligu.
Në shkollat japoneze i kushtohet më shumë rëndësi formimit të karakterit sesa notës. Shkollari fokusohet te vlerat morale dhe përgjegjësia ndaj jetës së përbashkët.
Bernard Shou tha se mëkati më i madh dhe kulmi i jo njerëzores ndaj të afërmit nuk është urrejtja, por moskokëçarja.
Shoqëria moderne ka shumë nevojë për disa vlera tradicionale, sepse na bëjnë solidarë në raport me të tjerët.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.