Artisti amerikan George Bellows iu kundërvu estetikisht linçimit racist nëpërmjet veprës pamore “Ligji është shumë i ngadalshëm” (1923). Linçuesit shpejtojnë të hakmerren kundër armiqve të supozuar dhe duan sa më shpejt t’i dënojnë apo t’i vrasin pa gjyq, pa prova dhe pa argumente.
Linçimet dhe demonizimet si spektakle publike, që e kënaqin oreksin e turmës, bëhen në emër të traditës, të shoqërisë, të fisit, të kombit, të shtetit, të ideologjisë, të religjionit, por edhe për shkak të smirës, të xhelozisë dhe të ndjenjës për hakmarrje.
Linçimi nxitet nga regjimet totalitare, që nëpërmjet frikës duan të kontrollojnë çdo hapësirë publike, madje edhe privatësinë e njerëzve.
Linçimet sot bëhen edhe nëpërmjet rrjeteve që, ndonëse i quajnë sociale, në thelb janë asociale. Mund të linçohesh nga turma, nëse asaj i shkon kundër ose nga ndonjë parti apo pushtet, kur shpreh mendime që bien ndesh me qëndrimin e tyre.
Nëse e mbron një mendim që nuk e pranon autoriteti apo turma, atëherë bëhesh i papranueshëm dhe linçohesh e demonizohesh sipas kodeve të çarshisë. Sulmohesh nga hienat që ligjërojnë për moralin të cilin nuk e kanë, për devotshmërinë që u mungon, për interesin e përgjithshëm që nuk e njohin, sepse bota u shtrihet deri te kufiri i oborrit të tyre.
Autoritetet politike dhe ideologjike i kanë edhe makineritë e linçimit dhe të demonizimit sistematik të kundërshtarëve politikë.
Linçuesit dhe demonizuesit nuk shqetësohen për dramat dhe traumat që ia shkaktojnë të linçuarit. I linçuari është vetëm mjet, nëpërmjet të cilit arrihen qëllime të ndryshme, veçanërisht politike.
Linçuesit dhe demonizuesit nuk kanë empati për të linçuarin. Ata nuk janë sojli. Të përvuajturit nuk i japin një pikë ujë në emër të njerëzores, pa pyetur se çfarë ka bërë ai.
Linçimi e rrezikon demokracinë dhe lirinë. Frika nga linçimi i shtyn njerëzit të heshtin, të tërhiqen, të bëhen oportunistë dhe konformistë.
Sado të punosh me sakrificë dhe përkushtim, sërish s’do t’u shpëtosh ofendimeve e sharjeve të linçuesve dhe demonizuesve me pagesë, të cilët shesin moral, por janë të pistë; shesin mençuri, por s’kanë mend; shesin trimëri, por janë frikacakë.
Linçuesit ndjehen të sigurt, të rëndësishëm dhe të vlerësuar vetëm në turmë. Turma, që i nënshtrohet prijësit, siç thonë studiuesit, kërkon nivelizim të dallimeve individuale, homogjenizim të përgjithshëm dhe i përjashton apo i lufton të gjithë ata që nuk mendojnë sipas një skeme të paracaktuar.
Studiuesit që e kanë studiuar psikologjinë e turmës, e përkufizojnë turmën si masë amorfe që nuk shquhet për cilësi. Turma ka inferioritet intelektual. Ajo udhëhiqet nga instinktet parake, nga pavetëdija, nga ndjenja e ekstremizmit, e shkatërrimit, e anonimitetit, e linçimit, e përndjekjes. Ajo, ndonëse duket e pamposhtur, ka frikë nga liria dhe nga dija.
Botën nuk e çuan drejt përparimit hienat që i bashkohen turmës, por individët që e mbrojnë të vërtetën dhe i kundërshtojnë autoritetet.
Hienat e secilës kohë, në mesin e të cilëve ka që quhen intelektualë, kënaqën kur dënohen gjordanobrunët. Nëse Gjordano Bruno do të “pendohej” dhe do të vepronte në kundërshtim me moralin dhe ndërgjegjen e tij, atëherë turrës së drunjve nuk do t’i vihej zjarri.
Galileo Galileu ishte shkencëtari, por nuk ishte intelektuali. Ndonëse e dinte të vërtetën, ai u tërhoq duke pëshpëritur: “Megjithatë rrotullohet”.
Po të mos ishte Gjordano Brunoja, bota do të vazhdonte t’i besonte teorisë gjeocentrike të Ptolemeut, sepse kështu donte autoriteti kishtar, që kishte monopol mbi të vërtetën. Kush ka monopol mbi të vërtetën, ai i sundon shpirtrat dhe mendimet e njerëzve.
Edhe historia shqiptare njeh hiena që i linçuan dhe i demonizuan kolegët e tyre. Gjatë regjimit komunist ishin të njohura “fletërrufetë” dhe linçimet e salierëve.
Për mua janë më të dashur ata që sulmohen, edhe kur nuk pajtohem me mendimet e tyre. Sepse jam kundër linçimeve, demonizimeve dhe tabuve që i kufizojnë njerëzit ta thonë atë që e mendojnë.
Shoqëria linçuese, demonizuese dhe dogmatike është e padurueshme. Ajo ta ngjet shenjën e Kainit, të degdis, të burgos, të çon në gijotinë.
Përherë duhet të dyshojmë te ligjërimet për patriotizëm dhe për ndershmëri. Kush ngulmon ta dëshmojë patriotizmin dhe ndershmërinë me bërtitje, e maskon një mëkat që e ka bërë. Ka “personalitete” me dekorata patriotizmi që i spiunuan miqtë e tyre…
Kush na jep të drejtën që të flasin në emrin e kombit?
Unë flas vetëm në emrin tim, sepse kombi është më shumë se unë; sepse kombi janë edhe Ata që kanë ikur, por edhe Ata që s’kanë lindur. Si të flas në emrin e të ikurve dhe të të palindurve?
“Gjithçka do të bëja për ty Skoci, përveç se t’i ngjaja shumicës së skocezëve. Kjo do të ishte një sfidë shumë e madhe për mua”, shkroi poeti skocez Hugh MacDiarmid.
Dhe as nuk dua t’ia di për ekstazat e turmës dhe të hienave, sepse nuk u detyrohem për asgjë.
“Kur e sheh turmën, kthehu shpejt në shtëpi!”, tha poeti polak Julijan Kornhauzer.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.