Nuk ka një përqindje të madhe të përmbushjes së zotimeve për transparencë më të madhe në punën e institucioneve që merren me çështjet e mjedisit jetësor dhe klimës. Planet Aksionare Kombëtare të përgatitura në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapur parashikojnë më shumë aktivitete me të cilat proceset për miratimin e akteve apo vendimeve për çështjet ekologjike duhet të fitojnë transparencë më të madhe publike dhe llogaridhënie më të lartë të institucioneve ndaj qytetarëve të cilët i tangojnë këto çështje, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Plani Aksionar Aktual përmban dy zotime në pjesën e mjedisit jetësor dhe klimës, por asnjëri prej tyre nuk është përmbushur plotësisht. Plani skadon këtë vit, ndërsa pritet që së shpejti të dalë plani i ri, i shtati, i cili do të duhet të përmbushet në dy vitet e ardhshme.
Një nga zotimet, të cilat në vitin 2024 u krijuan në tryezë të përbashkët mes institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile, i referohet rritjes së informimit të qytetarëve për aktivitetet e institucioneve që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike përmes avancimit të bashkëpunimit ndërsektorial ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU) dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH). Qëllimi është të tejkalohet problemi i cenueshmërisë së prodhimtarisë bujqësore nga ndryshimet klimatike, gjë që do të arrihet me bashkëpunim më të madh dhe shkëmbim informacionesh mes dy ministrive. Por, në dy vitet e kaluara është arritur shumë pak në këtë fushë.
Aktivitetet për përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet MBPEU dhe MMJPH janë në vijim e sipër, përkatësisht është punuar vetëm në formimin e grupit ndërsektorial ose një mekanizmi tjetër që do ta mundësojë komunikimin e rregullt ndërmjet institucioneve në pjesën e ndryshimeve klimatike dhe në përcaktimin e përmbajtjes që do të publikohet rregullisht në portalet e të dyja ministrive. Mirëpo, aktivitetet për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së ministrive në pjesën e ndryshimeve klimatike, përmes krijimit të shtabit të posaçëm për ndryshimet klimatike në kuadër të MBPEU, nuk kanë filluar aspak.
Zotimi i dytë nga plani aktual kombëtar që i referohet mjedisit jetësor parasheh pjesëmarrje efikase të publikut në marrjen e vendimeve në fushën e së drejtës të ujërave, por asnjë nga tre të arriturat nuk është realizuar gjatë periudhës së kaluar dyvjeçare. E para ka të bëjë me ndryshimin e një neni të Ligjit për Mjedisin Jetësor, me çka do të mundësohet pjesëmarrja e publikut në procedurat për hartimin dhe miratimin e elaborateve për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Dy të tjerat parashikojnë hartimin e një platforme në ueb-faqen e MMJPH-së, e cila do të jetë e dedikuar për publikimin e dokumenteve nga fusha e së drejtës së ujërave që janë të detyrueshme për konsultim me qytetarët dhe publikun e gjerë, si dhe publikimin e rregullt të të gjitha dokumenteve që kanë të bëjnë me lejet për të drejtën e ujërave në atë platformë, që pothuajse as nuk kanë filluar.
Paraprakisht, në kuadër të Planit të pestë Aksionar Kombëtar për vitet 2021-2023 u arritën arritje të rëndësishme në fushën e përmirësimit të informimit të qytetarëve për ndotjen e ajrit. Si pjesë e zotimeve Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor vendosi katër stacione të reja matëse në kuadër të rrjetit shtetëror të monitorimit në Prilep, Shtip, Ohër dhe Berovë për ta plotësuar vëllimin e informacioneve për nivelin e ndotjes në këto katër qytete, të cilat publikohen në portalin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Edhe në këtë plan, si edhe në atë aktualin, ishte paraparë zotim për zvogëlimin e efekteve të ndryshimeve klimatike mbi aktivitetet bujqësore, i cili duhej të realizohej përmes rritjes së vëllimit të informacioneve mes popullsisë rurale për efektet negative nga ndryshimet klimatike dhe ndotja e mjedisit jetësor, me edukim për praktika të mira bujqësore, sanksionim nëse ato nuk zbatohen, si dhe me hartimin e rregullores të re për praktika të mira bujqësore, por asnjë nga këto të arritura nuk është filluar.
Në Planin më të ri të Aksionar, të shtatin, i cili është në përgatitje e sipër dhe do të duhet të realizohet deri në fund të vitit 2028, propozohen disa zotime që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor. Një nga ato është edhe avancimi i transparencës në ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, gjë që në vitet e kaluara u dëshmua se është një nga proceset që zhvillohet larg syve të publikut. Të dhënat nga institucionet kompetente në këtë fushë janë të kufizuara, ndërsa qytetarët nuk kanë pasqyrë të qartë se si këto kontrata ndikojnë mbi ekonominë dhe mjedisin jetësor. Në këtë moment ekziston vetëm regjistër me informacione bazë, të cilat nuk janë të mjaftueshme për ta përcaktuar gjendjen faktike me ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, dobinë prej tyre, mënyrën e funksionimit apo rrethanat nën të cilat është lidhur kontrata. Qëllimi kryesor i zotimit është vendosja e një regjistri të vetëm të kontratave për koncesione të hidrocentraleve të vogla, i cili do të sigurojë transparencë në procesin e dhënies dhe zbatimit të tyre.
Plani në përgatitje parasheh edhe vendosjen e sistemit për publikimin e rregullt të të dhënave dhe raporteve lokale për menaxhimin me mbeturinat, përfshirë planet, afatet dhe statusin e zbatimit, gjë që do t’i detyrojë komunat t’i hapin këto të dhëna dhe t’u japin mundësi qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara ta ndjekin punën e komunave dhe ndërmarrjeve komunale, të marrin pjesë në proceset e marrjes së vendimeve dhe të kërkojnë llogaridhënie për rezultatet e arritura. Parashihet edhe hartimi i hartës strategjike për zhurmën dhe vendosja e rrjetit për monitorimin e zhurmës në zonën urbane, që duhet të publikohet publikisht dhe në mënyrë transparente. Një nga zotimet është edhe revitalizimi i sistemit ekzistues ose vendosja e sistemit të ri SCADA në nivel të Qytetit të Shkupit, i cili do të mundësojë monitorim të centralizuar, alarmim automatik dhe menaxhim efikas të infrastrukturës së ujësjellësit dhe kanalizimit, me fokus të veçantë në mirëmbajtjen dhe funksionimin e Stacionit për përpunimin e ujërave të zeza në Vollkovë.
Plani aksionar që është në përgatitje e sipër parasheh edhe krijimin e atlasit digjital klimatik të Maqedonisë, i cili njëkohësisht do të jetë Platformë GIS, përkatësisht platformë për të dhëna gjeografike. Nevoja për një zotim të tillë vjen nga fakti se të dhënat që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike, rreziqet klimatike dhe masat për përshtatje janë të shpërndara ndërmjet institucioneve, projekteve dhe bazave të ndryshme të të dhënave, me ç’rast shpesh nuk janë lehtësisht të qasshme, të lidhura apo të kuptueshme për publikun, pushtetin lokal dhe palët e tjera të interesuara. Mungon një platformë e vetme digjitale përmes së cilës në një vend do të jenë të qasshme të dhëna hapësinore dhe analitike për trendet klimatike, rreziqet nga dukuritë ekstreme të motit, cenueshmërinë e zonave të ndryshme, masat për adaptim, si dhe informacione që kanë të bëjnë me planifikimin urbanistik, standardet e ndërtimit dhe menaxhimin e burimeve natyrore.
Është paraparë edhe vendosja e hartës publike interaktive të deponive ilegale, e cila do të mundësojë pasqyrë transparente për lokacionin dhe statusin e tyre, paraqitjen e lokacioneve të reja nga ana e qytetarëve, si dhe ndjekjen e veprimeve të institucioneve kompetente.
Teksti është përgatitur në kuadër të projektit “Së bashku për Partneritetin për Qeverisje të Hapur: Mbështetje për procesin e zbatimit dhe hartimin e së ardhmes”, i financuar nga Sekretariati për Partneritet për Qeverisje të Hapur.
- LEXO: RMV, lufta kundër korrupsionit në udhëkryq, si po fshihen pronarët e vërtetë të kompanive që marrin tenderë shtetërorë?
- LEXO: RMV, gati e pamundur zbulimi i plotë të pronarëve të vërtetë të kompanive që fitojnë tenderë
- LEXO: Nga të dhënat e hapura te e-komunat, si po e bën Partneriteti për Qeverisje të Hapur Maqedoninë e Veriut më digjitale dhe transparente?
- LEXO: Transparenca e pushtetit është kusht për uljen e korrupsionit, si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve