Tradita e gdhendur në gur, kujtesa kulturore dhe shprehja bashkëkohore artistike do të bashkohen në ekspozitën e gjashtë personale të akademikut Izet Zeqiri, të titulluar “Mozaiku në kohë, nga tradicionalja te bashkëkohorja”. Ekspozita do të hapet më 16 tetor, në orën 19:00, në Shtëpinë e Kulturës në Tetovë, ku do të prezantohen rreth 26 vepra artistike që lidhin të kaluarën me të tashmen përmes artit të mozaikut, shkruan Portalb.mk.
Izet Zeqiri për Portalb.mk thotë se kjo ekspozitë është vazhdimësi e rrugëtimit të tij artistik, por edhe përpjekje për t’i dhënë traditës një dimension të ri.
“Koncepti artistik i kësaj ekspozite mbështetet në idenë e vazhdimësisë së artit përmes kohës, duke krijuar një lidhje ndërmjet trashëgimisë tradicionale dhe shprehjes bashkëkohore. Për mua, mozaiku nuk është vetëm një teknikë artistike e bashkimit të gurëve, por një mënyrë për të rrëfyer histori, për të ruajtur kujtesën dhe për të shprehur vlera kulturore e njerëzore. Pesë ekspozitat e mia të mëparshme-‘Mozaik me copëza jete’, ‘Gruaja në copëza guri’, ‘Nënë Tereza-nga Shkupi deri në Kalkut’, ‘Tradita në gurë’ dhe ‘Natyra në gurë’-kanë trajtuar tema të ndryshme, duke filluar nga jeta dhe figura njerëzore, te personalitetet me rëndësi të veçantë, tradita dhe natyra. Ekspozita e gjashtë i ndërthur këto përvoja dhe i çon në një dimension të ri artistik. Dallimi qëndron në përpjekjen për ta interpretuar traditën përmes një qasjeje bashkëkohore, duke ruajtur vlerat e saj, por njëkohësisht duke kërkuar forma të reja të shprehjes artistike. Mesazhi kryesor i ekspozitës është se tradita nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por një burim i gjallë frymëzimi për artin e sotëm dhe të ardhmen”, deklaroi Zeqiri.
Në krijimtarinë e tij, motivet tradicionale, ornamentet, simbolet dhe ngjyrat e trashëgimisë kulturore marrin një interpretim të ri. Zeqiri thekson se qëllimi i tij nuk është thjesht riprodhimi i elementeve të së kaluarës, por krijimi i një gjuhe artistike që ndërthur identitetin kulturor me ndjeshmërinë bashkëkohore.
“Trashëgimia jonë kulturore është një nga burimet kryesore të frymëzimit në krijimtarinë time. Motivet tradicionale, ornamentet, format gjeometrike, simbolet dhe ngjyrat që i gjejmë në kulturën tonë materiale përmbajnë një pasuri të madhe estetike dhe kuptimore. Ato dëshmojnë për mënyrën se si kanë jetuar, krijuar dhe shprehur ndjenjat e tyre brezat para nesh. Në punën time artistike, këto elemente nuk i trajtoj thjesht si motive për t’u riprodhuar, por si pikënisje për një interpretim të ri. Përpiqem që përmes gurit natyror, përzgjedhjes së ngjyrave, kombinimit të materialeve dhe kompozicionit, t’u jap formave tradicionale një shprehje të re artistike. Kalimi nga tradicionalja drejt bashkëkohores nuk do të thotë braktisje e traditës. Përkundrazi, ai realizohet duke e kuptuar traditën, duke e respektuar dhe duke e interpretuar në përputhje me ndjeshmërinë artistike të kohës sonë. Për mua, guri ka një domethënie të veçantë, sepse është material natyror që i reziston kohës. Kur copëzat e gurit bashkohen në një kompozicion, ato krijojnë jo vetëm një tërësi estetike, por edhe një rrëfim që mund të përcjellë emocione, kujtime dhe mesazhe kulturore. Synimi im është që shikuesi të njohë elementet e traditës, por njëkohësisht të zbulojë në to diçka të re, një interpretim bashkëkohor dhe një përjetim personal”, u shpreh Zeqiri.
Duke folur për risitë që sjell ekspozita dhe vendin që zë mozaiku në skenën artistike, Zeqiri vlerëson se kjo formë arti ka ende hapsirë të madhe për zhvillim. Sipas tij, nevojitet angazhim më i madh institucional për promovimin e mozaikut dhe afrimin e brezave të rinj me këtë teknikë artistike.
“Kjo ekspozitë përfaqëson vazhdimin e kërkimit tim artistik për mundësitë shprehëse të mozaikut. Risia nuk qëndron vetëm te mënyra e vendosjes së gurëve apo te kombinimi i ngjyrave dhe formave, por edhe te mënyra se si këto elemente organizohen për të krijuar kompozicione me identitet të veçantë. Përdorimi i gurit natyror, ndërthurja e teksturave, kontrastet e ngjyrave dhe ritmi i formave më mundësojnë të eksploroj mundësi të ndryshme artistike. Në këtë proces, çdo copëz ka rëndësinë e vet, ndërsa raporti ndërmjet pjesëve krijon harmoninë dhe kuptimin e veprës së përfunduar. Sa i përket skenës sonë artistike, mendoj se mozaiku ka potencial më të madh sesa i është kushtuar deri më tani. Ai është një art që kërkon njohuri teknike, durim, përkushtim dhe ndjeshmëri estetike. Megjithatë, nëse duam që mozaiku të zërë një vend më të rëndësishëm në artin bashkëkohor, nevojitet më shumë vëmendje nga institucionet kulturore, galeritë, organizatorët e ekspozitave dhe institucionet arsimore. Do të ishte e rëndësishme që të organizoheshin më shumë ekspozita, punëtori artistike dhe aktivitete që promovojnë këtë teknikë, veçanërisht te brezat e rinj. Mozaiku mund të jetë një urë lidhëse ndërmjet artizanatit tradicional, trashëgimisë kulturore dhe artit modern”, tha Zeqiri.
Përmes ekspozitave të tij ai thotë se përpiqet të kontribuojë në afirmimin e kësaj forme artistike dhe të dëshmojë se mozaiku nuk i përket vetëm së kaluarës.
“Ai mund të jetë një gjuhë e fuqishme e artit bashkëkohor, me mundësi të shumta për inovacion dhe shprehje individuale. Besoj se vlera e mozaikut qëndron pikërisht në aftësinë për ta bashkuar të kaluarën me të tashmen, traditën me krijimtarinë dhe materialin natyror me mendimin artistik. Në këtë kuptim, ekspozita ‘Mozaiku në kohë-Nga tradicionalja tek bashkëkohorja’ është edhe një ftesë për ta parë trashëgiminë tonë jo vetëm si diçka që duhet ruajtur, por edhe si një pasuri që duhet zhvilluar dhe interpretuar përmes artit”, përfundoi Zeqiri.