Profesoresha universitare, Gjylymsere Kasapi është ndër fituesit e çmimit shtetëror “11 Tetori” për vitin 2026. Çmimi u nda sot në Sallën e Kristaltë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me rastin e Ditës së Kryengritjes Popullore, shkruan Portalb.mk.
Në fushën e shkencës, krahas Kasapit, u nderuan edhe Dimitar Pandev dhe Vllado Popovski, ndërsa në fushën e kulturës dhe artit çmimi iu nda shkrimtarit Venko Andonovski.
Gjylymsere Kasapi për Portalb.mk tha se çmimi “11 Tetori” përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për angazhimin e saj shumëvjeçar në arsim, shkencë dhe jetën shoqërore e politike.
“Për mua, ky çmim përfaqëson një nga arritjet më të rëndësishme të karrierës sime arsimore, edukative, shkencore, shoqërore dhe politike. Gjatë jetës kam qenë e angazhuar në shumë fusha, si në vend, ashtu edhe jashtë tij. Një falënderim të veçantë ua drejtoj anëtarëve të Bordit Shtetëror të Çmimit ‘11 Tetori’, të kryesuar nga Svetozar Antoviç. Edhe pse nuk më njihnin personalisht, ata më besuan dhe më nderuan me këtë çmim. Për këtë u jam shumë mirënjohëse.
Këtë çmim ua kushtoj fëmijëve të mi, Jehonës, Albinit dhe Shpatit, i cili nuk është më mes nesh, por që do të gëzohej jashtëzakonisht shumë për këtë vlerësim.
Në kohën kur aplikova, po kaloja një periudhë shumë të vështirë për shkak të tragjedisë që përjetova. Shpresoj që ky çmim të më japë vullnet dhe forcë për të vazhduar më tej. Kam disa libra të lënë përgjysmë dhe shpresoj t’i përfundoj.
Sot kam ftuar mikeshat e mia, të cilat të gjitha mbajnë tituj shkencorë. Përmes pranisë së tyre dhe shembullit tim, dëshiroj t’i motivoj të gjithë ata që më dëgjojnë dhe më shohin të vazhdojnë punën dhe angazhimin e tyre”, tha Kasapi.
Ky çmim shtetëror jepet për kontributin e individëve në fushën e shkencës, artit, biznesit dhe veprimtarive tjera në interes të publikut në Maqedoninë e Veriut. Çmimi shtetëror “11 Tetori” u dha për herë të parë në vitin 1995.