Ish zv.kryeministri Artan Grubi, para fillimit të seancës gjyqësore për rastin “Lotaria Shtetërore”, ka konfirmuar informacionet e publikuara dje se do t’i ftojë për të dëshmuar ministrat e qeverisë së kaluar, shkruan Portalb.mk.
Grubi deklaroi shkurt se do të ftojë jo vetëm ministrat për të cilët ishte raportuar dje, por edhe të tjerët.
“Po. Jo vetëm ata, por edhe të tjerët”, deklaroi Grubi.
Ndërkaq, seanca gjyqësore për këtë rast ka vazhduar sot me dëshminë e dëshmitarit të radhës të Prokurorisë.
Ndryshe, seanca e djeshme (20 tetor) gjyqësore në rastin “Lotaria Shtetërore”, ku të akuzuar janë ish zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, u shty për sot për shkak të mungesës së dëshmitares së Prokurorisë. Dëshmitarja, e punësuar në Lotarinë Shtetërore, i kishte njoftuar prokurorët një ditë më parë se ndodhej në udhëtim zyrtar dhe nuk do të mund të merrte pjesë në seancë.
Përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë lëndë gjyqësore janë të akuzuar edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.
Të gjithë të akuzuarit gjatë procedurës së deritanishme janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprat për të cilat ngarkohen.
Akuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ka të bëjë me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat të akuzuarit kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre zyrtare, megjithëse e kanë ditur se SHA “Lotaria Shtetërore” nuk ka të drejtë të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve videolotarie. Kjo e drejtë që në vitin 2013 ishte investuar si kontribut jo-monetar në vlerë prej 6,2 milionë eurosh në themelimin e kompanisë së përbashkët “Lotaria Shtetërore Videolotarie e Republikës së Maqedonisë – KASINOS AUSTRIA”, ku SHA “Lotaria Shtetërore” zotëron 51 përqind të aksioneve.
Ndryshe, gjatë hetimit të akuzuarit ngarkoheshin për veprën penale “përvetësim në shërbim”, për të cilën, sipas nenit 354 të Kodit Penal, parashihet dënim më i lartë, por me dorëzimin e propozim-akuzës, prokurorët nga PTHP Shkup e rikualifikuan veprën në “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.
Risi në propozim-akuzë është se Prokuroria e ka saktësuar më tej atë, gjë që ka rezultuar nga ekspertiza dhe, sipas saj, në vend që të akuzohen për dëm në vlerë prej 507.623.173 denarësh ose 8,2 milionë eurosh, të akuzuarit tani ngarkohen për dëm prej rreth 9,7 milionë eurosh ose 596.125.511 denarësh.
Procesin gjyqësor e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevska, si gjyqtare e vetme, pasi lënda është ngritur me propozim-akuzë dhe jo me aktakuzë dhe zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.