SHGM dënoi thirrjet për dhunë ndaj gazetares nga Maqedonia

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon komentet shqetësuese, fyerjet dhe thirrjet e drejtpërdrejta për dhunë të drejtuara ndaj gazetares Milka Smilevska në rrjetin social Facebook, transmeton Portalb.mk.

Një profil me emrin “E vërteta dhemb” ka shpërndarë një fotomontazh tendencioz të koleges Smilevska, pas së cilës, në komentet nën publikim, janë shfaqur thirrje të drejtpërdrejta për dhunë ndaj saj. Ndër to është edhe komenti: “Thyerje të eshtrave për laviret e paguara nga djalli Soros”. Një formulim i tillë përbën thirrje të drejtpërdrejtë për dhunë fizike dhe është veçanërisht shqetësues për shkak të përmbajtjes së tij eksplicite, thuhet në reagimin e SHGM-së.

Këto përmbajtje, theksojnë nga shoqata, janë krejtësisht të papranueshme dhe përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë personale të gazetares, por edhe përpjekje të drejtpërdrejtë për frikësimin dhe heshtjen e gazetarëve përmes hapësirës digjitale.

“Kujtojmë se liria e shprehjes nuk duhet të përdoret si arsyetim për kërcënime, nxitje të dhunës, diskreditim personal dhe gjuhë që rrezikon sigurinë e gazetarëve. Asnjë mospajtim me një qëndrim gazetaresk, raportim apo angazhim profesional nuk mund të jetë arsyetim për thirrje për dhunë”, thonë nga SHGM-ja.

SHGM-ja e ka denoncuar rastin në Sektorin për Krim Kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe kërkon veprim të menjëhershëm, identifikimin e personave që kanë bërë kërcënimet dhe ndërmarrjen e masave dhe sanksioneve përkatëse ligjore ndaj autorëve.

“Njëkohësisht, kërkojmë nga MPB-ja që me seriozitet dhe pa vonesa t’i hetojë përmbajtjet e publikuara dhe të ndërmarrë masa për mbrojtjen e sigurisë personale të koleges Smilevska. Institucionet nuk duhet t’i trajtojnë kërcënimet e tilla si komente të zakonshme në rrjetet sociale, veçanërisht kur bëhet fjalë për thirrje të drejtpërdrejta për dhunë fizike”, thonë nga SHGM-ja.

Gazetarë - Gazetari - MediaKërcënimShoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM)