Gratë, vajzat dhe shkenca

Shkruan: Besa Arifi

Para dy ditësh, me 11 Shkurt bota shënoi ditën e grave dhe vajzave në shkencë. Gjatë historisë, gratë kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në përparimin shkencor, megjithatë rruga e tyre shpesh ka qenë e mbushur me sfida. Pavarësisht inteligjencës, këmbënguljes dhe talentit të tyre, shumë gra në shkencë vazhdojnë të përballen me pengesa sistemike, veçanërisht në promovimin akademik, si dhe me pritshmëritë shoqërore që ndikojnë në rrugëtimin e tyre profesional.

Në aspekt global, një nga sfidat më të mëdha për gratë në shkencë është vështirësia në avancimin akademik. Studimet tregojnë vazhdimisht se gratë janë të nënpërfaqësuara në pozitat e larta akademike dhe sa më i lartë pozicioni, aq më pak gratë janë të pranishme. Shumë studime ndërkombëtare theksojnë që edhe kur gratë prodhojnë kërkime të një cilësie të barabartë ose më të lartë se kolegët e tyre meshkuj, ato kanë më pak mundësi për promovim, tituj akademikë ose role drejtuese. Arsyet për këtë janë të ndërlikuara dhe të shumëfishta. Paragjykimi i nënvetëdijshëm, mungesa e mundësive për mentorim dhe strukturat institucionale që favorizojnë rrugët tradicionale të karrierës kontribuojnë në këtë pabarazi. Shumë universitete dhe institucione kërkimore në botë ende funksionojnë sipas sistemeve të krijuara në një epokë kur shkenca dominohej kryesisht nga meshkujt. Si rezultat, gratë shpesh duhet të punojnë më shumë për të fituar të njëjtin nivel njohjeje dhe besueshmërie.

Megjithatë, universitetet kanë luajtur një rol kyç në ofrimin e mundësive për gratë që të angazhohen në kërkime shkencore dhe të ndërtojnë karrierat e tyre. Universitetet tona, duke përfshirë këtu edhe Universitetin e Evropës Juglindore ku unë veproj,  kanë bërë përparime të rëndësishme në sigurimin e përfshirjes gjinore në arsimin e lartë. Në strukturat e këtij universiteti shihet një përfaqësim i lartë i grave në pozitat e larta menaxheriale dhe akademike. Gjatë veprimtarisë sonë profesionale shohim një numër premtues të studenteve që shkëlqejnë në studimet universitare. Në UEJL në Fakultetin e Drejtësisë, për shembull, në rolin tim si profesoreshë dhe si mentore, kam vënë re se studentet jo vetëm që janë më të shumta në numër sesa kolegët e tyre meshkuj, por gjithashtu arrijnë nota mesatare më të larta. Megjithatë, sfidat shfaqen kur këto vajza kalojnë në studimet pasuniversitare. Shumë prej tyre, në këtë fazë të jetës, duhet të balancojnë aspiratat akademike me pritshmëritë shoqërore, si martesa dhe rritja e fëmijëve. Si rezultat, kolegët e tyre meshkuj, edhe kur janë studentë mesatarë, shpesh përfundojnë studimet master më herët, ndërsa studentet femra, edhe kur janë studente të shkëlqyera, ngecin në studimet pasuniversitare, gjë që më pas ndikon në punësimin e tyre dhe vonon fillimin e karrierës së tyre profesionale.

Një diskrepancë tjetër mund të shihet në fakultetin më të popullarizuar në vitet e fundit, atë të Shkencave Kompjuterike dhe Teknologjive, ku numri i studenteve femra është gati se dyfish më i vogël se sa numri i studentëve meshkuj. Jam e mendimit se kjo gjendje është pasojë direkte e një shoqërie që i dekurajon vajzat të ndjekin studime në lëndët  STEM. Kjo është veçanërisht shqetësuese kur marrim parasysh se studentët e shkencave kompjuterike dhe teknologjisë zakonisht sigurojnë punësim ende pa përfunduar studimet, ndryshe nga studentët e fakulteteve të shkencave shoqërore dhe humane, ku numri i studenteve femra është më i lartë, por edhe shkalla e papunësisë mbetet e lartë. Kjo hedh dritë mbi pabarazitë strukturore më të gjera në tregun e punës dhe mundësitë e ndryshme që u ofrohen burrave dhe grave.

Sfida kryesore pra buron nga rolet gjinore shoqërore, të cilat ndikojnë në mënyrën se si vlerësohet dhe perceptohet puna e grave në shkencë. Që në moshë të hershme, shumë vajza dekurajohen në mënyrë të pavetëdijshme për të ndjekur karrierë në STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë). Ato mund të drejtohen drejt fushave që konsiderohen më ‘të përshtatshme’ për gratë, si shkencat humane ose shoqërore. Kështu vajzave të vogla zakonisht u sugjerohet që kur të rriten të bëhen mësuese ose infermiere por jo edhe inxhinere, shkencëtare të fizikës nukleare ose koduese sistemesh kompjuterike. Edhe për ato që vazhdojnë studimet në këto shkenca, pritshmëritë për të balancuar përgjegjësitë profesionale dhe familjare krijojnë një barrë shtesë. Shkencëtaret gra shpesh përballen me nevojën për të përballuar kërkesat e hulumtimit me detyrimet familjare, shpesh pa mbështetjen e nevojshme institucionale. Kjo pritshmëri për të balancuar shumë role mund të ngadalësojë përparimin në karrierë dhe të kontribuojë në hendekun gjinor në pozitat e larta shkencore.

Për më tepër, mungesa e modeleve femërore në shkencat STEM dekurajon brezat e rinj nga hyrja në këtë fushë. Përfaqësimi ka rëndësi. Kur gratë e reja shohin shkencëtare të suksesshme që udhëheqin kërkime novatore, drejtojnë institucione dhe ndikojnë në politikëbërje, ato kanë më shumë gjasa të shohin veten duke ndjekur një rrugë të ngjashme. Fatkeqësisht, shumë komunitete shkencore ende luftojnë për të siguruar që gratë të jenë të dukshme në rolet drejtuese.

Pra, çfarë mund të bëhet për të adresuar këto sfida? Së pari, institucionet duhet të zbatojnë politika të drejta dhe transparente për punësim dhe promovim, duke siguruar që kontributet e grave të vlerësohen në mënyrë të barabartë. Së dyti, programet e mentorimit duhet të forcohen për të mbështetur gratë në të gjitha fazat e karrierës së tyre shkencore. Së treti, politikat për balancën punë-jetë duhet të përmirësohen për të mos e vënë gratë përpara zgjedhjes mes përgjegjësive familjare dhe suksesit profesional. Së fundi, duhet të vazhdojmë të advokojmë për ndryshime kulturore, të sfidojmë stereotipet dhe të inkurajojmë më shumë vajza të ndjekin karrierë në shkencat STEM.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Besa ArifiKolumnat e Portalbit