Gjorgjievski paralajmëroi nisjen e projektit BRT, të cilin VMRO-DPMNE e bllokoi për 4 vite dhe e quante të shtrenjtë dhe joefikas për Shkupin

Projekti BRT për Shkupin mori dritën jeshile nga Qeveria pas gjashtë vitesh ngecje. VMRO-DPMNE e kishte kritikuar më parë, ndërsa tani po e realizon me 70 milionë euro nga BERZH dhe me 100 autobusë të rinj, transmeton Portalb.mk.

Pas rreth gjashtë vitesh ngecje, Qeveria të martën (24.03) miratoi Marrëveshjen për implementimin e projektit “Vendosja e transportit të shpejtë me autobus në Shkup”.

“BRT është transport publik modern që funksionon si metro mbi rrota, me korsi të veçanta, përparësi në kryqëzime dhe frekuencë të lartë”, tha kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Projekti parashikon: dy linja: Lindje–Perëndim dhe Veri–Jug, furnizim me autobusë BRT me CNG/hibridë me dysheme të ulët, stacione inteligjente, sistem informimi për udhëtarët, integrim me qendrën e trafikut të Qytetit të Shkupit

Mjetet nga kredia e BERZH-it – 70 milionë euro – do të transferohen si mjete të pakthyeshme për projektin. Qeveria paralajmëroi edhe furnizimin me 100 autobusë ekologjikë, por ende nuk ka një datë të qartë për ardhjen e tyre.

Projekti që për vite ishte kritikuar, sot është ndër më të dëshiruarit

VMRO-DPMNE në vitin 2021 kur ishte në opozitë kritikoi se transporti BRT është i shtrenjtë dhe joefikas dhe do të krijojë kaos në komunikacion dhe se ideja e kryetarit të atëhershëm Petre Shilegov nga LSDM nuk përputhej me realitetin dhe është edhe një truk marketingu.

Kjo retorikë vazhdoi për vite, ndërsa projekti, që disa herë u gjend në rend dite të Këshillit të Qytetit të Shkupit, nuk arriti të marrë dritën jeshile për të lehtësuar transportin në kryeqytet.

Projekti, i cili ishte paralajmëruar me ambicie, në vitet në vijim u përball me kritika të ashpra dhe bllokada. Ai u ndal në mandatin (2021–2025) të ish-kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, dhe u bllokua nga një pjesë e këshilltarëve. Për këtë projekt, Qeveria e udhëhequr nga LSDM kishte siguruar kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 70 milionë eurosh.

Deri në vitin 2025, projekti u rikthye në fokus për shkak të zgjedhjeve lokale, kur BRT sërish u bë një nga zgjidhjet infrastrukturore më të përmendura, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita.

Kujtojmë se viteve të fundit transporti publik në kryeqytet ka qenë në kolaps dhe është përballur me probleme të mëdha.

Autobusët e ShkupitLidhja Social Demokrate (LSDM)Orce GjorgjievskiQeveria e Maqedonisë së VeriutQyteti i ShkupitVMRO-DPMNE