Gjashtë vite nga premtimi deri te dështimi, Diga e Sllupçanit nuk do të ndërtohet as këtë vit

Projekti për ndërtimin e digës në lumin e Sllupçanit nuk ka nisur as pas gjashtë viteve që kur u premtua si investim për zgjidhjen e problemit me furnizimin me ujë të pijshëm në Komunën e Likovës. Edhe pse afati i paraparë për realizimin e tij ka kaluar, projekti vazhdon të mbetet vetëm në letër, ndërsa nuk do të fillojë as këtë vit, shkruan Portalb.mk.

Para rreth gjashtë viteve, më 13 tetor 2020, ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha, njoftoi se diga në Lumin e Sllupçanit do të bëhej investim i madh për Komunën e Likovës, me vlerë rreth 22 milionë euro, dhe se do ta zgjidhte problemin e furnizimit me ujë të pijshëm në këtë zonë. Sipas planit fillestar, projekti duhej të realizohej brenda katër vitesh.

Ndërkaq, katër vjet më parë u hartua studimi i fizibilitetit dhe u kryen inspektimet e terrenit për ndërtimin e digës. Megjithatë, që atëherë projekti ngeci.

Disa banorë me të cilët biseduam, u shprehën skeptikë ndaj realizimit të projektit, sipas tyre fillimisht nisën disa punime përgatitore, por ato u ndërprenë dhe nuk pati vazhdim.

Zëvendësministri aktual i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albërim Hoxha, për Portalb.mk, tha se Diga e Sllupçanit, tanimë është kaluar si projekt dhe për shkak të disa mosmarrëveshjeve me banorët e fshatit dhe mungesës së mjeteve buxhetore nuk është futur si projekt në buxhetin e këtij viti. Hoxha tha se ka realizuar takime me banorët e Sllupçanit dhe ka sqaruar rëndësinë e projektit. 

“Mund të them se parimisht jemi pajtuar në parim dhe kemi një marrëveshje që një pjesë të projektit ta përfshijmë në buxhetin e vitit të ardhshëm. Qëllimi ynë është që të sigurojmë rreth pesë milion euro në buxhetin e vitit të ardhshëm që të fillojmë me realizimin e projektit. Ndërsa pjesa tjetër të sigurohet viteve të ardhshme sipas fazës dhe buxhetit”, u shpreh Hoxha.

Portalb.mk kontaktoi edhe Komunën e Likovës rreth projektit, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk morëm përgjigje.

Ndryshe, me ndërtimin e Digës në Sllupçan do të duhet të ndërtohet edhe një rrugë tjetër lokale për në fshatin Runicë. Për këtë projekt, Qeveria në seancën e mbajtur më 13 tetor 2020 kishte miratuar informacionin për marrjen e lejes nga Qeveria për zbatimin e procedurës për furnizim disa vjeçar dhe mbi këqyrje të punimeve. 

“Informacion mbi marrjen e miratimit nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për zbatimin e një procedure për prokurim publik shumëvjeçar të punimeve dhe mbikëqyrje mbi kryerjen e punimeve për ndërtimin e Digës në lumin e Sllupçanit, me objektet shoqëruese”, thuhet në procesverbalin e Qeverisë.

Sipas planit fillestar, ndërtimi ishte paraparë të zgjaste katër vjet, ndërsa vlera e përgjithshme e projektit ishte vlerësuar në rreth 22 milionë euro.

Nga ana tjetër, edhe pse qyteti i Kumanovës furnizohet me ujë nga liqenet e Gllazhnjës dhe Likovës, jo të gjitha vendbanimet e Komunës së Likovës janë të lidhura me këtë sistem. Në disa fshatra rrjeti i ujësjellësit është përmirësuar dhe banorët janë kyçur në rrjet, por një pjesë e vendbanimeve ende nuk kanë qasje në këtë burim të ujit të pijshëm. Ndërtimi i Digës së Sllupçanit shihet si një nga projektet që pritet të përmirësojë furnizimin me ujë në këtë zonë.

Komuna e LikovësMinistria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU)Portalb Fakt - Premtime parazgjedhoreQeveria e Maqedonisë së VeriutSllupçani