“Gazi Baba 2013”: Ku jemi sot? (II)

Sipas hulumtimit tonë (2013) 63.9 % e gazibabasve janë ankuar nga problemet me rrugët, të cilat kanë qenë ose pa asfalt ose me gropa, që me një të rënë të shiut shndërrohen në përrocka ose mini këneta, 53.8% janë shprehur se kanë telashe me ndriçimin publik, që është e çuditshme për një lagje që është vetëm 3 km afër qendrës, gjegjësisht sheshit “Makedonija”, ku vërëhet një pamje ultra dhe postmoderne e Shkupit (2014), me shumë ura, drita neoni, skulptura gjigante, galera, ku aplikohet baroku, neoklasicizmi, ku janë harxhuar qindra miliona euro për të krijuar një legoland, një neverland me pak antikitet, pak Romë, pak Paris, pak Vjenë, “Expo 2014”.

95.1% e të anketuarve kanë thënë se jeta e tyre në komunën ku jetojnë ose është keqësuar ose nuk ka ndryshuar fare. Një e treta kanë qenë decidë se jeta në ambjentin e tyre komunal shënon vijë negative, shkon keq e më keq.

Pjesa e dytë e punimit tonë empirik rreth Gazi Babës përbëhet nga analiza e intervistave gjysmë të strukturuara që ngërthenin nga pesë pyetje, përmes të cilave kemi kërkuar nga amvisëritë të shprehen për probleme të ndryshme të kësaj lagjeje. Cilësimi i intervistuarve për lagjen Gazi Babë ka qenë tejet negativ: “…vend i Afrikës e jo i Evropës” (int. nr. 1 dhe 5), “…ndër lagjet më të prapambetura në Evropë”, “Gazi Baba, ashtu sikurse komuna Çair, është geto. Është Gaza e Ballkanit” (int. nr. 7), “…sikur të jemi diku në ndonjë vend të shkretë të Afrikës apo të Afganistanit (Kandahar)” “…madje edhe taksistët nuk futen me dëshirë në këtë lagje, pasi që shpeshherë ankohen se i kanë dëmtuar automobilat e tyre…” (int. nr. 6)

Ata ankoheshin edhe nga “neglizhenca e institucioneve shtetërore”, të cilat zbatojnë “standarde të dyfishta” (int. nr. 2), nga pushteti qendror që “asnjëherë nuk investoi si  në lagjet maqedonase”, p.sh. Aerodrom, Karposh (int. nr. 5). Ata pohonin se si pushteti monist ashtu edhe ai në kohën e demokracisë i ka lënë në mëshirën e fatit” (int. nr. 4), se “deri më tash asnjë ministër nuk i ka vizituar” (int. nr 7). Ata kanë detektuar edhe papunësinë, rrugët e dërrmuara, mungesën e ndriçimit, mungesën e parqeve për fëmijë, pamundësinë për t’i paguar faturat, diskriminimin (…”andej Urës së Gurit jetojnë pikërisht si banorë të Evropës dhe me një standard të lartë ekonomik dhe infrastrukturor, ndërsa ne, për fat të keq, jemi shumë larg standardit të tyre” – int. nr. 3)

Shumica e të intervistuarve kanë gufuar defetizëm lidhur me ardhmërinë, kanë pohur se nuk shohin ndonjë zgjidhje në horizont. Një nga të intervistuarit është shprehur: “Perspektivë për të rinjtë momentalisht nuk shohim, ndërsa e vetmja zgjidhje është ikja nga ky vend dhe migrimi në shtete të Evropës, ndoshta edhe më larg. Gjendja e rëndë ekonomike  papunësia që ka kapluar vendin i detyron të rinjtë të migrojnë.” (int.  nr. 1) Vetëm disa të intervistuar kanë deklaruar se ka solucion: “Rizgjimi i, popullatës, ngritja e zërit; të protestojmë për çdo gjë, kjo është formë e demokracisë. (int. nr. 5), “pushteti qendror dhe ai komunal të thërrasin/tërheqin investues…” (int. nr. 6), “mediat të luajnë rolin e tyre duke alarmuar gjendjen e popullsisë së Gazi Babës” (int. nr. 4)

Gazi Baba është një lagje e veçantë, një rast specifik që nga emërtimi, bart emrin me të cilin është mbiquajtur një Komunë pjesë e së cilës kurrë s’ka qenë, dy toponime të njëjta, njëra lagje, njëra komunë, të përbashkët vetëm emrin, ndërsa të ndryshme standardet për jetesë. Është një zonë suburbane, një zorrë qorre e kryeqytetit të RMV-së, Shkupit; është një hapësirë jetike rurbane, një terren që vazhdon të jetë objektiv i sociologjisë urbane dhe habitatologëve. Rekomandojmë që pushteti në përgjithësi të merret me plagët e vërteta të jetës urbane, me lagjet që kanë nevojë për “ndihmë të shpejtë”, financiare-infrastrukturore, t’i kanalizojë investimet ku duhet, të gjejë solucione që përmes investimeve vendore dhe atyre të jashtme, përmes projekteve e donacioneve të ndryshme të përmirësohet cilësia e jetesës në zonat suburbane të vendit. Sot, para zgjedhjeve vendore të vitit 2025, është kohë e fundit që pushtetarët që do ta marrin timonin e Komunës së Çairit t’i përveshin mëngët për të ndryshuar këtë realitet të tmerrshëm infrastrukturor dhe për të ngritur cilësinë e jetesës në këtë lagje arkaike të Shkupit. Ky shkrim është një kartë identitare sociologjike e Gazi Babës së para 12 viteve, që mund t’iu shërbejë kërkuesve të votës për të parë të çarat reale në terren dhe perceptimet e qytetarëve që kanë frymuar në këtë hapësirë dhe “ndryshimet”/”avancimet” që kanë ndodhur dhe ato çfarë duhet ndërmarrë në 4 vitet e ardhshme dhe përtej. Në këtë drejtim shumë punë duhet të bëjnë edhe vetë banorët e kësaj lagjeje që duhet të ndryshojnë konceptin e tyre për hapësirën dhe mënyrën e tyre të jetesës. Menaxhmenti i komunës s’mund t’i realizojë objektivat e veta nëse nuk ndryshojnë rutinat negative të qytetarëve. Kultura e ankesës duhet të zëvendësohet me kulturën e aksionit-aktivizmit. Të shpresojmë që në vitin 2033 në saje të vizionit dhe bashkëpunimit mes instancave të ndryshme të krijohet një imazh dhe realitet tjetër i kësaj lagjeje konform kërkesave të urbanizimit të shek. XXI. Përfshirja e arkitektë-urbanistëve Michel Rojkind dhe Vardar Bajram janë vlerë e shtuar e këtij cikli zgjedhor, që gjasme tregon se “punët e shehrit po merren më gjithë mend” (!)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit