Gashi e mbështet votimin elektronik nëse mundësohet identifikimi i votuesit dhe fshehtësia e votimit

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, e mbështet idenë për votim elektronik nëse mundësohet identifikimi i votuesve dhe fshehtësia e votimit. Ai u bëri thirrje koordinatorëve të grupeve parlamentare që të përpiqen t’i tejkalojnë qëndrimet e ndryshme dhe të arrijnë kompromis për Kodin Zgjedhor, transmeton Portalb.mk.

Në një takim informues me gazetarët, kryetari i Kuvendit tha sot se votimi elektronik ka qenë edhe në programin e partisë së tij politike, Alternativa.

“Unë jam për votimin elektronik, madje jam që edhe te ne të mundësohet votimi elektronik, por nuk e di se kur do të ndodhë kjo. Ky është mendimi im personal”, tha Gashi.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve, ai theksoi se mendon se edhe në vendin tonë duhet të mundësohet një mënyrë e tillë votimi, në mënyrë që të mos cenohet barazia në votim.

“Në disa vende kjo praktikë është funksionale dhe ka shembuj pozitivë për këtë. Nëse tashmë paguajmë faturat përmes bankës, bëjmë pagesa dhe gjithçka është elektronike… Pyeta edhe disa ekspertë të IT-së nëse mund të sigurohen privatësia dhe siguria e votimit, ata më thanë se kjo mund të bëhet, por për këtë duhet vullnet politik”, tha kryetari i Kuvendit.

Pas koordinimit të rregullt të së hënës me drejtuesit e grupeve parlamentare, ai informoi se më 13 korrik është seanca për rikonstruimin e Qeverisë, e cila duhet të zgjasë dy ditë, ndërsa anëtarët e rinj të Qeverisë do të votohen veçmas.

15 korrik është caktuar seancë e re, në të cilën janë edhe pyetjet e opozitës.

Debati i përgjithshëm për ribalancimin e Buxhetit do të zgjasë deri më 8 korrik, kur fillon shqyrtimi i amendamenteve. Janë dorëzuar 224 amendamente, prej të cilave më së shumti nga BDI – 90, LSDM ka dorëzuar 78, Levica 51, ndërsa pesë janë nga VLEN. Ribalancimi i Buxhetit duhet të jetë në rend dite në seancën e 23 korrikut.

30 korrik është seanca për pyetjet parlamentare, e fundit para pushimit veror të deputetëve.

Ndërkaq, nesër në Kuvend do të promovohet zyrtarisht Kodi Etik i deputetëve, i hartuar së bashku me OSBE-në.

Gjatë këtij dhe muajit të ardhshëm do të punohet për rregullimin e parkingut të Kuvendit.

Kujtojmë se Kodi Zgjedhor me shumë gjasa nuk do të përfshihet në ligjet reformuese të zbatuara për të cilat Maqedonia duhet të paraqesë raport në Komisionin Evropian më 15 korrik mbi atë që është bërë deri në fund të 30 qershorit. Kodi Zgjedhor do të mbetet i pazbatuar, njoftoi dje kryeministri Hristijan Mickoski.

Afati fillestar për miratimin e këtij ligji ishte 30 qershori 2025, por pasi ky afat nuk u përmbush, qeveria mori qëndrimin se afati nuk ishte shkelur sepse ka një periudhë “grejs” deri në fund të qershorit 2026.

Grupi i punës për reformën e Kodit Zgjedhor u formua më 3 mars të këtij viti, katër muaj para afatit për reformat zgjedhore, dhe punoi në një dokument me ndryshime të propozuara të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë në qershor 2025.

Afrim GashiDiasporaKodi Zgjedhor