Fjala ime në debatin publik mbi projktligjin për arsimin e lartë të mbajtur në Universitetin e Tetovës

I nderuari auditor!
E lexova me vëmendje Projektligjin e ri për Arsimin e Lartë në RMV dhe, mes tjerash, kuptova se në qendër të tij është vënë hulumtimi shkencor dhe shkalla e renditjes së universiteteve në listen e Shangait, ku ne duhet të garojmë me universitetet më të fuqishme të botës, me universitetet e vendeve që investojnë shuma marramendëse parashë, që ndikojnë në cilësinë e mësimdhënies dhe të kërkimeve shkencore.
Shi për këtë, për të arritur deri diku atë standard, propozoj që paraprakisht të ndërmerren këta hapa:
1. Para se të kërkojmë hapërime të mëdha dhe të shpejta në arsimin e lartë, është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm reformimi serioz i sistemin arsimor në arsimin fillor dhe të mesëm.
2. Para se të kërkojmë shkencëtarë të niveleve më të larta dhe kërkime shkencore që duhet të botohen në revistat prestigjioze të botës, duhet të investojmë mjete të krahasueshme me ato të vendeve më të zhvilluara ose të përcaktojmë pritjet tona në përputhje me kapacitetet reale që kemi.
3. Para se të hyjmë në garë të drejtpërdrejtë me universitetet më superiore, duhet të hartojmë një plan të mirëmenduar për ngritjen e shkallëshkallshme të cilësisë së arsimit, sepse s’kemi kaçik të barazohemi me to brenda natës.
4. Duhet ta rrisim gradualisht buxhetin, sepse RMV asnjëherë nuk është fokusuar në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme në reformimin e arsimit në asnjë nivel të shkollimit; sepse prej vitesh përballemi me dobësi strukturore në menaxhimin dhe shpërndarjen e burimeve; sepse jemi shtet i vogël me kapacitete të kufizuara financiare dhe me borxh publik që do ta bartin edhe brezat e ardhshëm.
5. Dhe së fundmi, shteti duhet pa asnjë vonesë të sigurojë trajtim të barabartë dhe të drejtë të universiteteve publike. E theksoj këtë sepse pikërisht për shkak të neglizhencës institucionale, Universiteti i Tetovës nuk ka mundur të përparojë njësoj si universitetet e tjera publike në RMV.
Që të mos tingullojnë si fjalë boshe këto që thashë, më lejoni të përmend disa gjëra, që e ulin renditjen e UT-së në listën e Shangajit, e cila përmendet shumë shpesh në Projektligjin e Ministrisë së Arsimit:

  • UT ende ka një numër të konsiderueshëm profesorësh të angazhuar me honorar ose me kontrata të përkohshme, që nuk mund ta zëvendësojnë stafin e profesorëve me vendime pune.
    • UT ka një numër simbolik asistentësh të punësuar. Kjo e kufizon zhvillimin e universitetit dhe e bën atë pa të ardhme.
    • UT ka mungesë të punësimit të kuadrit të ri në vendet e punës që mbeten të lira pas pensionimit të profesorëve të rregullt.
    • UT-së i mongon infrastruktura universitare për disa fakultete, sidomos në shkencat natyrore.
    • Statistikat buxhetore të para dy viteve dëshmojnë se UT përballet edhe me padrejtësi në shpërndarjen e mjeteve për kokë studenti. Sipas tyre, për studentët e UKIM-it shteti ndan 2.709 euro, për studentët e “Klimentit të Ohrit” 2.763 euro, kurse për studentët e Universitetit të Tetovës 1.473 euro, që do të thotë pothuajse dyfish më pak se për kolegët e tyre.
    Megjithatë, si gjithmonë, edhe në Projektligjin aktual thuhet se shteti i trajton në mënyrë të barabartë studentët e të gjitha universiteteve, pa çka se realiteti tregon dallime të konsiderueshme në financim.
    Pa dyshim, këto padrejtësi ndikojnë në cilësinë e mësimdhënies, në cilësinë e kërkimeve shkencore dhe në renditjen e Listës së Shangait, metodologjia e së cilës në masë të madhe favorizon universitetet me infrastrukturë të fuqishme financiare dhe kërkimore.
    Po e mbyll fjalën time me shqetësimin lidhur me dispozitat e Projektligjit të ri për arsimin e lartë të cilat mund ta relativizojnë autonominë universitare përmes komisioneve politike që, me kompetencat e tyre, do t’i pezullojnë vendimet e organeve drejtuese dhe do ta zbehin integritetin institucional të universiteteve.
    Të shpresojmë se nuk do të arrijmë deri në një situatë të tillë pa vullnetin e universiteteve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit