Fillimi i vitit shkollor e gjen RMV-në me klasa të zbrazëta, masa të reja nga 1 shtatori

Viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut  po fillon me numër më të vogël të nxënësve, optimizim të klasave dhe mbyllje të përkohshme të 26 shkollave rajonale. Ministrja e arsimit, Vesna Janevska, në konferencë për shtyp njoftoi se këtë vit në sistemin arsimor do të ketë 433 klasa më pak, raporton Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.

Në sistemin arsimor për momentin ka rreth 238.000 nxënës, prej të cilëve 174.000 janë në arsimin fillor, ndërsa 64.000 në atë të mesëm. Sipas të dhënave me të cilat disponon Ministria e Arsimit dhe Shkencës deri më tani janë regjistruar 14.952 filloristë dhe 16.932 nxënës në vitin e parë të arsimit të mesëm. Numri përfundimtar do të dihet pas përfundimit të regjistrimeve plotësuese.

Optimizim i klasave dhe më pak nxënës

Për shkak të numrit më të vogël të nxënësve Ministria po zbaton optimizim të klasave në shkolla, që nënkupton bashkimin e klasave më të vogla me qëllim që nxënësit të kenë kushte më të mira për socializim dhe mësim.

“Nuk është sekret që me vite me radhë ekzistojnë dy klasa me nga dy nxënës të së njëjtës moshë dhe në të njëjtën shkollë. Tani këto i kemi bashkuar, me çka këtë vit në sistemin arsimor do të kemi 433 klasa më pak, prej të cilave 222 në arsimin fillor dhe 211 në atë të mesëm“, deklaroi Janevska.

Ajo vlerësoi se bëhet fjalë për ndryshim pozitiv që është në interes të nxënësve dhe theksoi se asnjë mësimdhënës i punësuar nuk ka mbetur pa punë për shkak të optimizimit.

Sipas njoftimeve në vitin shkollor 2026/2027 do të ketë  numër dukshëm më të vogël të nxënësve krahasuar me vitet e kaluara. Pas përfundimit të regjistrimeve pritet që numri i filloristëve të jetë së paku për 3.000 më i vogël se ai vitin e kaluar.

Mbyllje e përkohshme e 26 shkollave rajonale

Përveç kësaj, për shkak të mungesës së nxënësve mbyllen përkohësisht 26 shkolla periferike në zonat rurale. Në disa prej tyre nuk ka asnjë nxënës të regjistruar në klasën e parë, ndërsa në të tjerat mësimin e kanë ndjekur vetëm nga disa nxënës.

Nxënësit nga këto shkolla mësimin do ta vazhdojnë në shkollat më të afërta më të mëdha. Sipas ministres, numri i përgjithshëm i objekteve shkollore në të cilat nuk ka nxënës ka arritur në 148.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave vitin e kaluar në arsimin e rregullt fillor janë regjistruar 174.040 nxënës, ndërsa në arsimin e mesëm 67.540 nxënës, pra gjithsej 241.580 nxënës. Vitin e kaluar shkollor në klasën e parë janë regjistruar 17.921 nxënës. Në krahasim me rreth 14.950 filloristët e regjistruar deri më tani këtë vit vihet rënie evidente e numrit, edhe pse numri përfundimtar do të dihet pas përfundimit të afatit plotësues të regjistrimit.

Qeveria po i zgjeron kapacitetet e shkollave

Janevska theksoi se Ministria dhe Qeveria vazhdojnë me investimet në infrastrukturën arsimore dhe i mbështesin komunat në prezantimin e procesit mësimor në një turn.

“Për momentin Ministria e Arsimit dhe Qeveria po i zgjerojnë kapacitetet e 14 shkollave, para së gjithash në komunat e Shkupit, ndërsa në muajt në vijim do të fillojnë të realizohen me faza 15 projekte të tjera “, tha ministrja.

Për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore janë angazhuar 1.358 asistentë arsimorë në arsimin fillor dhe 166 në atë të mesëm. Për nxënësit të cilët për shkak të arsyeve shëndetësore janë në mjekim më të gjatë spitalor apo shtëpiak është mundësuar ndjekje e mësimit online ose punë individuale me mësimdhënës.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës informuan se tekstet shkollore janë shpërndarë në kohë dhe tashmë gjenden në shkolla.

IShP me rekomandime për fillim të shëndetshëm dhe të sigurt të vitit shkollor

Në prag të fillimit të mësimit Instituti i Shëndetit Publik u publikuar rekomandime për nxënësit, prindërit dhe shkollat për ruajtjen e shëndetit dhe parandalimin e përhapjes së infeksioneve.

Nga Instituti theksojnë se larja e rregullt dhe e drejtë e duarve me sapun dhe ujë mbetet një nga masat më të rëndësishme preventive. Rekomandohet që duart të lahen të paktën 20 sekonda, sidomos para ngrënies, pas përdorimit të tualetit dhe pas ardhjes nga jashtë. Rekomandohet gjithashtu ajrosja e rregullt e klasave, mbajtja e higjienës personale dhe e mjediseve shkollore, si dhe mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes.

Nga IShP këshillojnë të mos ndahen sendet personale, si shishet e ujit, pajisjet e ngrënies dhe gjësendet e tjera përmes të cilave mund të transmetohen infeksionet. Përveç kësaj theksohet edhe rëndësia e vaksinimit sipas kalendarit të imunizimit.

Çmime më të ulëta të pajisjeve shkollore deri më 30 shtator

Në prag të vitit të ri shkollor Qeveria miratoi masa për uljen e çmimeve të pajisjeve shkollore, të cilat do të vlejnë deri më 30 shtator 2026.

Sipas vendimit tregtarët me shumicë obligohen t‘i ulin çmimet e pajisjeve shkollore për të paktën 10 përqind, ndërsa tregtarët me pakicë duhet të sigurojnë ulje prej të paktën 15 përqind. Masa përfshin një spektër të gjerë produktesh, si çantat e shpinës, fletoret, lapsat, stilolapsat, ngjyrat, fllomasterët, ngjitësit, gërshërët, kompasët, kalkulatorët, dosjet dhe materialet e tjera shkollore të nevojshme për fillimin e vitit shkollor.

Qëllimi është të zvogëlohen shpenzimet e familjeve në periudhën kur tradicionalisht blihen pajisjet shkollore për nxënësit.

Shqiptarët përballen me probleme të reja në fillim të vitit shkollor

Ndërsa Ministria e Arsimit e paraqet fillimin e vitit të ri shkollor si një proces optimizimi të sistemit arsimor, me më pak paralele dhe mbyllje të përkohshme të shkollave me numër të vogël nxënësish, për nxënësit shqiptarë vazhdojnë të mbeten të hapura probleme të tjera që lidhen drejtpërdrejt me të drejtën për arsimim në gjuhën shqipe.

Idrizovë, nxënësit shqiptarë përballen me mungesën e mësimit në gjuhën shqipe pas klasës së pestë. Pas përfundimit të klasës së pestë, nxënësit duhet të zgjedhin mes vazhdimit të arsimit në maqedonisht ose udhëtimit drejt një shkolle tjetër ku mund të ndjekin mësimin në shqip.

Edhe pse zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka premtuar se do të gjendet zgjidhje për këtë problem, ende nuk është bërë e qartë se kur dhe si do të sigurohet vazhdimi i mësimit në gjuhën shqipe.

Një tjetër rast është SHF “Petar Zdravkovski-Penko” në Butel, ku u ngrit shqetësimi për mbylljen e paraleles në gjuhën shqipe. Këshilltarët shqiptarë në Komunën e Butelit kundërshtuan mbylljen dhe kërkuan që nxënësve shqiptarë që jetojnë pranë shkollës t’u mundësohet vazhdimi i mësimit në gjuhën shqipe.

Ndërkohë, në Tetovë, në prag të 1 shtatorit, debati për arsimin është shoqëruar me përplasje rreth programeve të shkollave.

Këto raste tregojnë se, përtej statistikave për numrin e nxënësve, klasave dhe shkollave, fillimi i vitit të ri shkollor për një pjesë të nxënësve shqiptarë vjen me pasiguri rreth vendit dhe mënyrës se ku do ta ndjekin mësimin në gjuhën e tyre amtare.

Driton SulejmaniKushtet në shkollaMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Nxënës të shkollave fillore - filloristëShkolla të mesmeVesna Janevska