Gjatë muajit të kaluar janë paguar 623.150.780 denarë në bazë të kompensimit të pagës për paaftësi të përkohshme për punë, informojnë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor (FSSh). Nga kjo shumë, 414.050.780 denarë janë paguar për pushime të lehonisë, transmeton Portalb.mk.
Sipas FSSh-së, bëhet fjalë për një realizim jashtëzakonisht të lartë mujor, i cili, siç thonë, është arritur përmes përpunimit të përshpejtuar të lëndëve dhe planifikimit të kujdesshëm të mjeteve në dispozicion. Qëllimi, shtojnë nga aty, është që pagesat për të siguruarit të kryhen rregullisht dhe me dinamikë të qëndrueshme.
„Gjatë përpunimit të lëndëve u respektua renditja kronologjike, ndërsa përparësi iu dha të siguruarve, kërkesat e të cilëve janë me datë më të hershme. Me këtë dinamikë, Fondi krijoi kushte që kompensimet për pushime mjekësore, veçanërisht kompensimet për pushim të lehonisë, të paguhen në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt“, thonë nga FSSh.
Nga aty shtojnë se me pagesën e mjeteve për kompensimet e lehonisë nuk është cenuar përmbushja e rregullt e detyrimeve të tjera financiare të Fondit.
Nga FSSh thonë se pagesa e rregullt e pushimeve mjekësore, me fokus të veçantë te kompensimet për pushim të lehonisë, mbetet një nga prioritetet, paralelisht me sigurimin e stabilitetit financiar dhe përmbushjen e papenguar të të gjitha detyrimeve të tjera ndaj të siguruarve dhe sistemit shëndetësor.