Edhe ky vit shkollor për nxënësit shqiptarë në Idrizovë fillon me problemin e vjetër. Nxënësit nga klasa e pestë mësimin nuk do ta ndjekin në shkollën ‘Negjosh’ pasi nga klasa e pestë deri në të nëntën nuk ofrohet mësimi në shqip, për këtë ata do vijojnë udhëtimin në vendbanime tjera. Në ndërkohë kreu i Kuvendit bëri thirrje që të gjendet zgjidhje nga autoritetet lokale, shkruan Portalb.mk.
Nnxënësit shqiptarë në Idrizovë edhe këtë vit shkollor detyrohen të zgjedhin mes gjuhës amtare dhe largimit nga vendbanimi pasi mësimi në shqip në SHFK “Njegosh” mësohet vetëm deri në klasën e pestë.
Për të vazhduar arsimin fillor në shqip deri në klasën e nëntë, ata duhet të udhëtojnë në vendbanim tjetër, ndërsa alternativa tjetër është të vazhdojnë mësimin në gjuhën maqedonase.
Prindërit akuzojnë partitë shqiptare për neglizhencë dhe mungesë vullneti politik për zgjidhjen e problemit, kurse institucionet luajnë ‘ping-pong’ me përjgegjësinë derisa banorët me dekada përballen me këtë problem.
Për këtë, Portalb.mk e pyeti edhe kreun e Kuvendit, Afrim Gashin. Ai thotë se shkollimi në gjuhën amtare është e drejtë kushtetuese dhe çdo kryetar komune, çdo drejtor shkolle duhet të veprojë konform Kushtetutës.
“Nëse ka problem diku, duhet të shihet se ku është problemi konkretisht dhe të zgjidhet”, u shpreh Gashi.
Nga pozita e tij si kryetar i Kuvendit, Gashi tha se do të bëjë thirrje që kjo e drejtë të mos pengohet, ndërsa premtoi se do të ndërmarrë hapat që janë në kompetencat dhe mundësitë e tij.
“Komuna dhe kryetari i komunës duhet të garantojnë kushte të njëjta për të gjithë nxënësit. Unë si kryeparlamentar bëj thirrje të mos i pengohet kjo e drejtë askujt. Çfarëdo që kam në pushtet dhe mundësi të bëj, do të ndërmarr hapat e nevojshëm”, deklaroi Gashi.
Megjithatë, Gashi theksoi se zgjidhja konkrete e problemeve të tilla duhet të kërkohet edhe në nivel lokal.
Nga ana tjetër, prindi Rizvan Seferi, për Portalb.mk, ka thënë se problemi me mungesën e mësimit në gjuhën shqipe në këtë shkollë daton që nga vitet ’70-’80 dhe pavarësisht disa përpjekjeve për hapjen e një paraleleje shqipe, deri më sot nuk është gjetur zgjidhje.
“Ne ishim dakord që t’i sillnim fëmijët edhe në ndërrimin e dytë”, thotë Seferi, duke shtuar se prindërit ishin të gatshëm të ndihmonin edhe vetë për përmirësimin e kushteve, vetëm që fëmijët të mos detyroheshin të udhëtonin dhjetëra kilometra për të ndjekur mësimin në gjuhën shqipe.
Për problemin në SHFK “Njegosh” në Idrizovë, kanë reaguar edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Nga partia thonë se kjo është çështje që prej vitesh mbetet e pazgjidhur dhe se nxënësit shqiptarë përballen me pengesa për të ndjekur arsimin në gjuhën e tyre amtare.
“Është e papranueshme që në vitin 2026 fëmijët shqiptarë të përballen ende me pengesa të tilla”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, premtoi se problemi i mësimit në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë në Idrizovë do të zgjidhet, por pa dhënë afat të qartë. Ndërtimi i katër mësonjëtoreve të reja në SHFK “Njegosh” shihet si hapi i parë për krijimin e kushteve që nxënësit të mund ta ndjekin arsimin në shqip në vendbanimin e tyre.
“Ne si MASH kemi përgatitur një projekt për ndërtimin e katër mësonjëtoreve të reja, me të cilat mendojmë se do ta zgjidhim problemin e hapësirës. Një nga arsyetimet se pse nxënësit duhet të udhëtojnë në shkollat e tjera është pikërisht mungesa e hapësirës”, deklaroi Sulejmani.
Ndryshe, problemi me mungesën e mësimit në gjuhën shqipe për nxënësit e Idrizovës nuk është i ri. Në vitin 2023, pas kërkesave të prindërve dhe ndërhyrjes së Ministrisë së Arsimit, ishte paralajmëruar hapja e një paraleleje shqipe për klasën e gjashtë në SHFK “Njegosh”, ndërsa 13 nxënësit shqiptarë përkohësisht u sistemuan në SHFK “Kongresi i Manastirit” në Çair. Megjithatë, edhe pas ndërhyrjeve të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe Avokatit të Popullit, çështja nuk është zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa nxënësit vazhdojnë të përballen me të njëjtin problem për vite me radhë.
- LEXO: Sulejmani premton zgjidhje për mësimin në shqip, por pa afat të qartë: Në Idrizovë pas klasës së pestë gjuha shqipe nuk ekziston
- LEXO: Në Idrizovë shqipja ndalet në klasën e pestë: Pas saj, fëmijët duhet të zgjedhin mes maqedonishtes ose udhëtimit
- LEXO: Nxënësit e Idrizovës nesër nisin mësimin në Çair
- LEXO: Asnjë zgjidhje për paralelet shqipe në Idrizovë, në vend të formimit të paraleles, u ofrua mësim online