Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e shtetit janë regjistruar gjithsej 26 zjarre në ambiente të hapura. Sipas informacioneve më të fundit nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK), deri në orën 7:30 të mëngjesit, dy zjarre janë ende aktive, katër janë lokalizuar dhe janë vënë nën kontroll, ndërsa 20 janë shuar plotësisht, transmeton Portalb.mk.
Nga QMK bëjnë të ditur se aktiv është zjarri në Komunën e Sarajit, mes fshatrave Kopanicë dhe Radushë, ku është përfshirë pyll me trungje të ulëta dhe vegjetacion i ulët.
Ende po digjet edhe në Komunën e Shtipit, mes fshatrave Sellcë, Puhçe, Stepancë dhe Lakavicë, ku gjithashtu është përfshirë vegjetacion i ulët.
Nën kontroll janë vënë katër zjarre, përkatësisht në zonën mes fshatrave Bitovë, Zagrad dhe Strajane në Komunën e Makedonski Brodit, ku janë përfshirë pyll me trungje të ulëta, vegjetacion i ulët, kullota dhe fier. Gjithashtu, nën kontroll janë edhe zjarret në fshatin Dragov Dol në Komunën e Makedonski Brodit, mbi fshatin Paligrad në Komunën e Zelenikovës dhe në deponinë e qytetit në Dellçevë.
Nga QMK bëjnë të ditur se janë shuar plotësisht 20 zjarre në disa komuna, ku kanë djegur vegjetacion i ulët, shkurre, pyje me pisha dhe pyje të përziera, kashtë të mbetur pas korrjes dhe mbeturina.