Për pesë nga tetë ligjet nga paketa e parë e ligjeve nga Agjenda e Reformave me afat deri në qershor 2025, Ministria e Drejtësisë po bën përpjekje që të hyjë në procedurën parlamentare më së voni deri më 23 të këtij muaji, tha Ministri i Drejtësisë Igor Filkov në fillim të konferencës së sotme për mediat, transmeton Portalb.mk.
Ai siguroi se shumica e ligjeve janë paraqitur dhe janë në procedurë qeveritare.
Tre nga ligjet nga Agjenda e Reformave kërkojnë shumicën Badenter.
Filkov tha se kjo është një çështje për të cilën të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të mos praktikojnë politikë ditore në kurriz të qytetarëve. Ai theksoi se Ministria e Drejtësisë i ka hartuar ligjet.
“Në pakon prej tetë ligjeve me afat deri në qershor të këtij viti, katër janë paraqitur në Qeveri dhe janë në procedurë të shkurtuar. Këto janë Ligji për Pagat e Gjyqtarëve, Ligji për Pagat e Prokurorëve Publikë, Ligji për Pagat e Anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Ligji për Pagat e Anëtarëve të Këshillit të Prokurorit Publik”, informoi Filkov.
Ligji për Këshillin Gjyqësor është përgatitur dhe paraqitur në Komisionin e Venedikut për mendim dhe është publikuar në ENER (Regjistri Unik Kombëtar i Rregulloreve). Ligji për Shërbimin Gjyqësor është paraqitur në procedurën qeveritare dhe teksti po harmonizohet me mendimet e institucioneve përkatëse.
Teksti përfundimtar i Ligjit për Prokurorinë Publike është përgatitur nga Grupi i Punës dhe po bëhen përgatitjet për publikim në ENER. Teksti i Kodit Zgjedhor është përgatitur nga shërbimet eksperte të Ministrisë së Drejtësisë në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it.
Nga ligjet me afat deri në dhjetor 2025, teksti i Ligjit për Procedurën Penale është përgatitur nga Grupi i Punës.
Ligje të tjera në të cilat po punon Ministria janë Ligji për Gjykatat, i cili është miratuar me shumicë prej 2/3, dhe për të cilin është krijuar një grup pune për të punuar në një zgjidhje ligjore. Ligji për Kundërvajtjet, si pjesë e projektit “Qytet i Sigurt”, është publikuar në ENER dhe teksti është duke u harmonizuar, Ligji për Provë është përgatitur dhe është në fazën përfundimtare para publikimit në ENER, dhe teksti i Ligjit për Faljen është përgatitur gjithashtu, informoi Ministri Filkov.
Përndryshe, zbatimi i Agjendës së Reformave të Planit të Rritjes duhet të rezultojë në përfitime të prekshme për qytetarët, përshpejtim të integrimit të vendit në BE dhe burime shtesë në buxhetin e vendit për të mbështetur reformat e nevojshme.
Kujtojmë se Agjenda e reformës e Maqedonisë së Veriut u miratua më 23 tetor 2024 nga Komisioni Evropian, e njëjta është e orientuar drejt adresimit të sfidave thelbësore që pengojnë konvergjencën socio-ekonomike të vendit me Bashkimin Evropian (BE). Nga e njëjta, varet edhe lëshimi i parave, fonde të BE-së, për vendin tonë.