Kur Bilall Kasami të bëhet Kryeministër, ai ndoshta do të thotë se kush do të jetë ministër dhe kush jo. Këtë e deklaroi sot ministri i Drejtësisë Igor Filkov, duke komentuar deklaratën e partnerit të koalicionit nga VLEN, Bilall Kasami, se në rikonstruksionin e Qeverisë të paralajmëruar për këtë pranverë, një nga ministrat që do të zëvendësohet është Filkov, transmeton Portalb.mk.
“Kur Bilall Kasami të bëhet kryeministër, ndoshta do të thotë se kush do të jetë ministër dhe kush jo, ndërsa deri atëherë, sundimi i ligjit dhe respektimi i Kushtetutës do të vlejnë për të gjithë”, tha Filkov sot, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske.
Në një intervistë për TV 21 mbrëmë, kreu i Besës Bilal Kasami tha se në riorganizimin e qeverisë së paralajmëruar, një nga ministrat që mund të zëvendësohet është ministri i Drejtësisë Igor Filkov, duke e akuzuar atë se po përpiqet të mbulojë dështimin e tij në trajtimin e çështjeve etnike.
“Është e njohur publikisht se një nga ministrat që do të përfshihen në rikonstruimin e Qeverisë do të jetë edhe ministri i Drejtësisë. Shoh se po përpiqet ta shfrytëzojë dobësinë e tij, dështimin e tij, duke e kthyer çështjen në tema ndëretnike, për të fituar më shumë pikë politike nga një pjesë e komunitetit maqedonas, duke u përpjekur ta arsyetojë shkarkimin e tij eventual me “këtu desha ta mbroj gjuhën maqedonase”, tha Bilall Kasami.
Kur u pyet për të konfirmuar këto akuza, kryeministri Hristijan Mickoski tha sot:
“Epo, nuk e di, ndoshta duhet ta pyesni z. Bilal Kasami për këtë”.
Ndryshe Mickoski sot i doli në mbrojtje ministrit Farmir Limani, për të cilin Kasami tha se mund ta shkarkojnë nga pozita. Kryeministri e quajti atë vlerë të shtuar në Qeveri.