Një video e publikuar në rrjetin social “TikTok” u bë pjesë e hetimit të policisë së Maqedonisë së Veriut, pasi aty shfaqen pamje si digjet flamuri i Maqedonisë së Veriut. Prokuroria ka paralajmëruar parashtresë përkatëse,, transmeton Portalb.mk.
“Pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve operative, më 23.09.2026 është përcaktuar identiteti i autorit të profilit. Bëhet fjalë për një të mitur nën moshën 14- vjeçare nga Tetova”, raportoi Policia, duke theksuar se në video duken edhe tre të mitur të tjerë.
Në video shfaqet vepra penale e dënueshme në bazë të nenit 319, nga paragrafi 1 i Kodit penal “shkaktimi i urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit në baza kombëtare, fetare dhe në baza të tjera diskriminuese”.
“Në ambientet e policisë, në prani të prindit dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale Tetovë, me të miturin është zhvilluar bisedë zyrtare, me ç’rast ai e ka pranuar veprën. Me pëlqimin e prindit, për nevojat e procedurës dhe fotodokumentimin e provave, është siguruar telefoni celular nga i cili është publikuar videoja”, raportoi Policia.