Redaksia e Portalb.mk ka analizuar pasqyrimin fushatës zgjedhore presidenciale dhe betimin e presidentes të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, në mediat greke, përkatësisht në gazetën Kathimerini. Përpos presidentes që anashkaloi emrin kushtetues “Maqedonia e Veriut”, shqetësimi i vënë në pah, madje në titujt e faqeve të para, lidhet edhe me qëndrimet e funksionarëve të VMRO-DPMNE-së që janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës, me përdorimin e emrit “Maqedonia” . Reagimet greke në lidhje me këtë çështje, theksojnë rrezikimin e procesit euro-integrues të vendit.
Fjalimet e kandidatëve nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Siljanovska Davkovës për presidente, dhe Hristijan Mickoskit në zgjedhjet parlamentare në RMV, cilësohen si kërcënim për Marrëveshjen e Prespës, mundësi e rindezjes së një tensioni 30 vjeçar, ndërkaq përdorimi i emrit “Maqedonia” pa përcaktim gjeografik, në Greqi llogaritet si përvetësim i një zone historike me rëndësi të veçantë për historinë e lashtë greke.
“Që të dy, Siljanovska Davkova dhe Hristijan Mickoski duke përjashtuar ndonjë ngjarje të paparashikuar, kanë kërcënuar në vazhdimisht se nuk do të zbatojnë Marrëveshjen e Prespës, të nënshkruar me Greqinë. Marrëveshja e Prespës i dha fund tensioneve 30 vjeçare për shkak të emrit “Maqedoni” të cilin grekët e konsideruan si përvetësim i padrejtë të një njësie gjeografike që në fakt është trashëgimi e Mbretërisë së Lashtë greke Maqedoni”, thuhet në raportimet e Kathimerinit.
“Përdorimi i emrit “Maqedonia” provokon një reagim të fortë grek, fakti që Greqia akuzon fqinjin e saj verior për përvetësim të emrit grek në lidhje me historinë e Mbretërisë së lashtë greke të Maqedonisë e cila ka ekzistuar shekuj më parë, para popujve sllav si maqedonasit etnikë bashkëkohor që arritën në këtë zonë”, thuhet më tej në Kathimerini.
Ambasadorja greke në RMV, Sofia Filipidou, u largua nga seanca e inaugurimit në shenjë proteste ndaj presidentes Davkova, e cila nuk i’u referua emrit zyrtar kushtetues “Maqedonia e Veriut” gjatë betimit.
“Gordana Siljanovska Davkova gjatë inaugurimit në seancën parlamentare iu referua vendit si Maqedoni duke mos përmendur emrin zyrtar Maqedonia e Veriut. Ambasadorja greke Sofia Filipidou në shenjë proteste u largua nga seanca me direktivë të Ministrisë së Jashtme greke”, shënon Kathimerini.
Nuk mungoi as reagimi i MPJ-së greke, e cila shpreh shqetësimin e saj në lidhje me mos-respektimin e Marrëveshjes së Prespës dhe Kushtetutës së RMV-së. Integrimi evropian dhe marrëdhëniet e ndër-shtetërore kategorikisht janë të ndërlidhura me zbatimin e plotë të marrëveshjes, njashtu dhe emrit kushtetues.
“Ky akt shkel në mënyrë të rëndë Marrëveshjen e Prespës dhe Kushtetutën e vendit fqinj, e cila është ndryshuar për të përmbushur detyrimet e tij ndërkombëtare. Qeveria greke, megjithë kundërshtimet që kishte shprehur për marrëveshjen, e respektoi atë si një traktat ndërkombëtar të ratifikuar mbi çdo dispozitë tjetër ligjore. Greqia, në këtë kontekst, thekson kategorikisht se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Maqedoninë e Veriut, si dhe kursi evropian i kësaj të fundit varet nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe, në veçanti, përdorimi i emrit kushtetues të vendit”, thuhet në reagimin e MPJ-së greke.
Kryeministri i Greqisë, Kirjakos Micotakis, në një prononcim të tij për Kathimerini tha se është i prerë në lidhje me çështjen e Marrëveshjes së Prespës, gabime të ngjashme nuk do pranojnë më tej, dhe se marrëdhëniet diplomatike e procesi integrues varet nga respektimi i duhur i emrit.
Ne deklarojmë prerazi se nuk do të pranojmë gabime të ngjashme. Dhe ritheksojmë se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çdo hap i Shkupit drejt Evropës, varet nga respektimi i sinqertë i marrëveshjeve, përdorimi i duhur i emrit kushtetues të vendit fqinj dhe, natyrisht, nga shmangia e provokime”, tha Micotakis.
Nënshkrimi i marrëveshjes historike në Prespë mes Maqedonisë dhe Greqisë më 17 qershor 2018, i dha fund një sherri 27-vjeçar, për çështjen e emrit, pasi pretendonte se Maqedonia e ka vjedhur emrin e një rajoni grek. Si rrjedhojë, Maqedonia e ndryshoi emrin në Maqedonia e Veriut, ndërkaq Greqia u bë zë i përkrahjes së vendit i cili kulmoi me anëtarësimin në NATO, por nuk i nisi negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian, pasi ia preu udhën Bullgaria, një tjetër fqinj i cili nuk e njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas, duke pretenduar se janë bullgare.