Me një festë të veçantë partiake, pesë ditë para Ditës së Pavarësisë, opozitarja LSDM dje eshënoi 8 Shtatorin. Festimin ia kushtuan rolit historik të presidentit të parë, Kiro Gligorov, transmeton Portalb.mk.
Lideri i partisë, Filipçe, theksoi meritat e tij për pavarësimin paqësor dhe ruajtjen e shtetit nga lufta.
Filipçe porositi se politika shtetformuese e Gligorovit duhet të jetë udhërrëfyes edhe sot, veçanërisht në procesin e integrimit evropian, dhe bëri thirrje për vendime të përgjegjshme, veçanërisht në procesin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë kusht që Maqedonia të vazhdojë rrugën e integrimit evropian.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Ministrja austriake për Evropën: Propozimi për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar meriton shqyrtim serioz
- LEXO: Mucunski thotë se Qeveria po punon për zgjidhje të përhershme për zhbllokimin e eurointegrimeve, por nuk zbuloi detaje
- LEXO: Mickoski: Nuk do të lejoj ndryshime kushtetuese të tilla siç kërkon Bullgaria, por do të vazhdojmë bisedimet