Njëmbëdhjetë vende të BE-së kërkuan heqjen e së drejtës së vetos, si do të ndikojë kjo në rrugën e Maqedonisë së Veriut?

Një grup prej 11 shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian i kërkoi me shkrim Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) që t’i jepet fund vendimmarrjes me unanimitet në nivel të BE-së në fushën e politikës së jashtme, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ato kërkojnë zbatimin e parimit të ashtuquajtur të “bashkëpunimit besnik”, i cili, sipas letrës, duhet të ketë përparësi.

Letra iu dërgua përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, dhe u nënshkrua nga Austria, Danimarka, Belgjika, Finlanda, Franca, Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Rumania, Spanja dhe Suedia.

Çfarë thuhet në letër?

“Veprimi i jashtëm i Bashkimit Evropian përballet me rrethana thelbësisht të ndryshuara, të karakterizuara nga konkurrenca strategjike, paqëndrueshmëria në rritje dhe përpjekjet për të minuar rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Në një mjedis të tillë, aftësia e Bashkimit për t’i mbrojtur vlerat dhe interesat e veta varet nga mundësia për ta mobilizuar shpejt dhe në mënyrë efikase peshën e përbashkët politike, ekonomike dhe diplomatike”, thuhet në letrën në të cilën ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë.

Në të shtohet se rrethanat aktuale kërkojnë një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, e cila mund të japë rezultate dhe të marrë vendime shpejt, pikërisht kur shpejtësia, vendosmëria dhe pesha politike nevojiten më së shumti.

Këto 11 vende vlerësojnë se e ashtuquajtura “kulturë e konsensusit” është burim i rëndësishëm i legjitimitetit të BE-së dhe se konsensusi duhet të synohet kudo ku është e mundur.

Megjithatë, në dokument bëhet thirrje për vendimmarrje më efikase në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, duke ruajtur konsensus sa më të gjerë mes vendeve anëtare.

Dokumenti parasheh, gjithashtu, që kundërshtimet eventuale ndaj vendimeve të marra me shumicë të cilësuar, të bazohen në interesa kombëtare thelbësore dhe të argumentuara qartë, në mënyrë që të lihet hapësirë për konsultime dhe kompromis.

Një tjetër letër për reformimin e shërbimit të jashtëm të BE-së

Më herët gjatë verës u shfaq e ashtuquajtura nismë franko-gjermane, e cila propozon reformimin e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), në mënyrë që Bashkimi Evropian të mund të reagojë më shpejt dhe në mënyrë më të koordinuar ndaj krizave ndërkombëtare.

Një nga ndryshimet kryesore do të ishte forcimi i rolit të përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme – pozitë që aktualisht mbahet nga Kaja Kallas.

Sipas propozimit, ajo do të bëhej nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian dhe do të merrte kompetenca më të mëdha për koordinimin e fushave si: bashkëpunimi për zhvillim, ndihma humanitare, mbrojtja dhe politika e fqinjësisë.

Dokumenti, në të cilin po ashtu ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, propozon edhe integrimin e një pjese të konsiderueshme të EEAS-it në strukturat e Komisionit Evropian.

Synimi është që politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë të lidhet më mirë me instrumentet e tjera të veprimit të jashtëm të BE-së.

Parisi dhe Berlini kërkojnë, gjithashtu, orientim më të fuqishëm të politikës së jashtme nga Këshilli Evropian, duke ruajtur rolin qendror të vendeve anëtare, si dhe një rol më të madh të Këshillit të BE-së në menaxhimin e instrumenteve të politikës së jashtme.

Franca dhe Gjermania kërkojnë që puna për reformën të nisë menjëherë.

Kjo çështje u diskutua edhe në takimin joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së, të mbajtur në Irlandë më 2 shtator.

Me të është hapur një debat më i gjerë politik për reformimin e mënyrës se si BE-ja e udhëheq politikën e saj të jashtme.

Franca dhe Gjermania kërkojnë gjithashtu që Irlanda, si vendi që kryeson BE-në, t’i paraqesë Këshillit Evropian një raport deri në fund të vitit 2026.

Kallas e rezervuar ndaj bartjes së kompetencave te Komisioni

Shefja aktuale e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, tashmë ka shprehur rezerva ndaj kësaj ideje.

Pas takimit joformal të ministrave, ajo paralajmëroi se bartja e më shumë kompetencave për politikën e jashtme nga vendet anëtare te Komisioni Evropian do ta zvogëlonte kontrollin e drejtpërdrejtë të shteteve anëtare.

“Aktualisht, unë jam përfaqësuese e lartë/nënkryetare e Komisionit. Kjo është lidhja mes vendeve anëtare dhe Komisionit, të paktën në letër dhe në teori. Sepse, e vërteta është se unë e kam këtë rol. Por, nëse kemi situata ku ekziston dikush mbi mua që në fakt merr vendime, atëherë kjo nuk funksionon kështu”, tha Kallas në një konferencë për media më 2 shtator në Irlandë.

“Le të jemi plotësisht të sinqertë. Problemi që kanë përmendur shumë vende anëtare është se, nëse gjithçka ia kalojmë Komisionit, veçanërisht shtetet e vogla anëtare humbin kontrollin mbi politikën e jashtme, sepse nuk do të ketë më çdo muaj Këshill të Punëve të Jashtme, ku koordinohemi me të gjithë, ku unë i di qëndrimet e vendeve anëtare dhe ku përpiqemi të arrijmë qëndrime të përbashkëta”, tha ajo.

A do të vlente kjo edhe për vendimet për zgjerimin?

Propozimi i Francës dhe Gjermanisë për reformimin e vendimmarrjes në politikën e jashtme, të paktën tani për tani, nuk do t’i ndryshonte automatikisht rregullat për zgjerimin, pasi ky është një proces i veçantë ku vazhdon të kërkohet unanimiteti.

Megjithatë, ndikimi i mundshëm në zgjerim nuk është i papërfillshëm.

Një model i ngjashëm vendimmarrjeje mund të zbatohet në të ardhmen edhe në faza të caktuara të procesit të anëtarësimit, ndërsa vendimi përfundimtar për pranimin e një shteti në BE do të vazhdonte të kërkonte unanimitet.

Komisioni Evropian kishte përmendur që në vitin 2024 mundësinë e përdorimit të shumicës së cilësuar për disa hapa të ndërmjetëm, si hapja e grup-kapitujve.

Por, ka theksuar se mbyllja e kapitujve negociues dhe vendimi përfundimtar për anëtarësim do të vazhdonin të kërkonin unanimitet.

Në këtë kontekst, nuk janë të rralla rastet kur vendet e rajonit janë përballur me veton e shteteve anëtare.

Maqedonia e Veriut është një nga shembujt më të qartë.

Për më shumë se një dekadë, ajo u përball me veton e Greqisë, e cila e kushtëzoi nisjen e negociatave të anëtarësimit me zgjidhjen e kontestit për emrin.

Pas heqjes së vetos greke, Bullgaria vendosi veton e saj, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth çështjeve historike, gjuhësore dhe identitare.

As Serbia nuk mund të përparojë me hapjen e grup-kapitullit të ardhshëm në procesin e anëtarësimit pa unanimitetin e vendeve anëtare, pavarësisht angazhimit të disa prej shteteve më të fuqishme të BE-së.

Mali i Zi, si vendi më i avancuar në procesin e anëtarësimit, mund të përballet me një veto të Kroacisë, e cila tashmë e ka përdorur këtë të drejtë për të penguar mbylljen e Kapitullit 31, që lidhet me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Bosnje dhe Hercegovina e mori statusin e vendit kandidat vetëm pasi Sllovenia kërcënoi se do ta bllokonte dhënien e këtij statusi Ukrainës, nëse e njëjta gjë nuk bëhej edhe për Bosnje dhe Hercegovinën.

E drejta e vetos nga shtetet anëtare vështirëson edhe përparimin e Kosovës drejt BE-së, pasi në këtë rrugë ajo pengohet nga vendet anëtare që nuk e njohin pavarësinë e saj.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Bashkimi Evropian (BE)BullgariaEurointegrime Negociata RMV-BEKaja KallasMarrëveshja e Prespës (me Greqinë)Marrëveshja me BullgarinëMinistria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ)