Ethet e Nilit Perëndimor e morën viktimën e tetë në Maqedoninë e Veriut

Ka ndërruar jetë edhe një pacient nga Ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për një burrë 70-vjeçar nga lagjja Draçevë e Shkupit

Pacienti po trajtohej në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup dhe ishte në gjendje kritike. Ai kishte edhe disa sëmundje shoqëruese.

Deri tani janë konfirmuar 58 raste të personave të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor.

Të gjithë personat që kanë vdekur nga ethet e Nilit Perëndimor kanë qenë burra të moshës 62 deri në 83 vjeç, ndërsa Akishin edhe sëmundje të tjera.

Numri më i madh i rasteve të etheve të Nilit Perëndimor është raportuar në komunat e Shkupit: Kisela Vodë, Aerodrom, Gazi Babë dhe Butel.

Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.

Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.

Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

Ethet e Nilit Perëndimor