Është publikuar thirrje për pranimin e 300 ushtarëve profesionistë në ARM

Ministria e Mbrojtjes sot publikoi thirrje publike për rekrutimin e 300 ushtarëve profesionistë në shërbim të Armatës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Kushtet e përgjithshme: të jenë shtetas të Maqedonisë, të jenë në moshë madhore dhe të kenë aftësi të veçanta shëndetësore dhe fizike.

Kushtet e veçanta: të kenë përfunduar arsimin e mesëm dhe të mos jenë më të vjetër se 25 vjeç në datën e mbylljes së shpalljes për rekrutimin e ushtarëve profesionistë, si dhe të gjitha detajet e tjera janë renditur në shpalljen publike, e cila është publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes. Shpallja publike zgjat 15 ditë duke përfshirë ditën e publikimit.

Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve të rinj dhe të interesuar të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të jenë pjesë e Armatës që ofron një karrierë të qëndrueshme dhe të sigurt, trajnim të vazhdueshëm dhe zhvillim personal, zhvillim të aftësive ekipore dhe vlerave të vërteta.

Kujtojmë se edhe në mars të vitit të kaluar u publikua shpallje për pranimin e 300 ushtarëve të rinj profesionistë dhe shpallje për 10 nënoficerë në Armatë. Nuk dihet nëse nga ky konkurs u pranuan ushtar dhe nëse bëhet fjalë për konkurs të përsëritur.

Armata e Maqedonisë së Veriut (ARM)Ministria e Mbrojtjes (MM)NATO (M)