Ekspozita “Persekutimi i Hartuesve të Alfabetit Shqip” pasqyroi të kaluarën e errët dhe formësimin kombëtar të shqiptarëve

Mbrëmë në hollin e Institutit Albanologjik në Prishtinë u hap ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”, organizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë në bashkëpunim me Institutin Albanologjik në Prishtinë, transmeton Portalb.mk.

Kjo ekspozitë hedh dritë mbi një periudhë të errët të historisë sonë, duke nderuar sakrificën e atyre që u përballën me represion për mbrojtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar.

Mysafirët e pranishëm në këtë ekspozitë i përshëndetën me fjalë rasti ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Shkëlqesia e Tij, Petrit Malaj, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Naim Berisha dhe drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë, Çelo Hoxha.

Nga faqja zyrtare e Institutit Albanologjik bëjnë të ditur se kjo ekspozitë prezantoi fakte të panjohura mbi persekutimin komunist të hartuesve të alfabetit shqip dhe familjeve të tyre, solli dokumente dhe fotografi të pazbuluara më parë mbi këtë tematikë. Fotografitë që u shpalosen në këtë ekspozitë dëshmojnë për një kohë të errët për shqiptarët, andaj kujtesa për një kohë të tillë është shumë e rëndësishme për të mos e harruar kalvarin e vuajtjeve të popullit shqiptar.

Pamje nga ekspozita. Foto: Dorina Daiu (Facebook)

Në kuadër të kësaj ekspozite, u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi në mes të Institutit Albanologjik dhe Institutit për Studimet e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, për organizime të përbashkëta, shkëmbime idesh dhe përvojash profesionale dhe administrative, si dhe shkëmbim të literaturës shkencore të botuar nga dy institucionet tona.

Autorja e kësaj ekspozite, Dorina Daiu, ndau me të pranishmit një shpjegim të saj profesional dhe akademik lidhur me përmbajtjen dhe rëndësinë e fotografive të ekspozuara.

“Arsyeja që ne kemi ardhur me këtë ekspozitë, pikërisht. Ekzekutimi komunist i disa hartuesve të alfabetit shqip dhe disa prej familjarëve të tyre, është pikërisht se në Shqipëri vitin e kaluar data 22 nëntor u shpall festë zyrtare “Dita e gjuhës shqipe” dhe Instituti i Krimeve të Komunizmit dhe pasojat e krimeve në Tiranë në bashkëpunim me Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir ideuam krijimin e kësaj ekspozite”, është shprehur Daiu.

Gjatë ekspozitës u prezantuan fakte të panjohura më parë mbi persekutimin komunist të hartuesve të alfabetit shqip dhe familjeve të tyre.

Pamje nga ekspozita. Foto: Dorina Daiu (Facebook)
EkspozitëKultura shqiptareKulturë lajme