Edutainment: Të mësuarit me qejf (I)

Sa herë ju ka ndodhur që ligjërata e dikujt t’ju jetë dukur e mërzistshme, e stërngarkuar dhe e lodhshme? Në veçanti nëse jeni brezi milenial, Gen X ose Boomer gjatë shkollimit tuaj me siguri keni shijuar mësimdhënës që s’lëvizin nga katedra, që flasin për 90 minuta pandërprerë dhe juve në kokë ju kalojnë njëmijë e një mendim, mes tjerash edhe “As s’ishte boll më?” E sot, brezi Z dhe ai Alfa s’kanë durimin për dëgjim pasiv të këtillë, për fjalime maratonike; ata s’bëhen “vesh tolerant” i juaji; duan direkt pikën, shkurt e shqip, duan vizualitet, zë, teknologji që i nxjerr nga monotonia dhe që mësimin ua bën të këndshëm, kënaqësi e jo mundim e ferr. Është koha e mësimit inovativ, jo monoton, jo e monologut! Siç shprehet edhe Howard Gardner në veprën e tij Unschooled Mind (Mendja e pashkolluar, 2011), “shkollat si institucione janë tepër anakronike”, andaj duhen ndryshime rrënjësore në funksionimin e tyre, nga mendësia e mësimdhënësve deri te metodologjia dhe veglat që shfrytëzohen në orët mësimore.

Sot do trajtojmë një temë e cila nga titulli duket e panjohur por është shumë aktuale kur kemi parasysh se jetojmë në kohën e e-learning (të mësuarit elektronik), ICT, të teknologjive të informacionit dhe komunikimit, të multimedias, digjitalizimit, të inteligjencës artificiale, të ChatGPT, kur të njëjtat kanë ndikim të madh produktivitetin dhe në shëndetin personal dhe social të njeriut. Termi “edutainment” është një kalk i përbërë nga dy fjalë, education (arsimim) dhe entertaintment (zbavitje). Universiteti i San Diegos e përkufizon si vijon: edutainment=education+entertainment. Në përkthim: edukimi argëtues, zbavitës ose dëfryes. Edutainment, të cilin White, Haywar dhe Chartier (2004) e kanë quajtur “Gjëja e madhe e sodit” (Today’s big thing), si term është shpikur nga Walt Disney në vitin 1954 i popullarizuar që nga vitet 1980 në mesin e hip-hop komunitetit nga KRS-One (Teacha), ndërsa përdorimin primar e ka gjetur CD-Rom-et për lojëra kompjuterike.

Është medium që edukon përmes argëtimit, mënyrë ligjërimi ku nxënësit-studentët mësojnë dhe zbaviten, dalin prej klimës së ngurtë të në klasë, sallë, amfiteatër. Bloom dhe Hanych pohojnë se barazimi i të mësuarit me argëtimin sugjeron se nëse nxënësit apo studentët nuk kënaqen, ata nuk nxënë, nuk mësojnë gjë prej gjëje.

“Almanaku i Richardit të varfër” (Poor Richard’s Almanack) konsiderohet si një shembull i hershëm i këtij lloji të edukimit-arsimimit, mësimdhënies-mësimnxënies tejklasike. Një një tekst udhëzues për kolonistët, Franklin ka kombinuar përmbajtje argëtuese dhe arsimore si puzzle dhe rregullat e sjelljes. (Lathan, 2023) Sot flitet për “big screen class time at home”, për “Tregimet 2.0 të krevatit” kur ju në vend të librit përdorni një tablet ose smartfonin për ta vënë në gjumë fëmijën tuaj, kur gjatë ditës mund të shfrytëzoni një projektor portabël për t’i lëshuar atij një film edukativ ose diçka të ngjashme.

McKenzie (2000) ka shpikur një term tjetër “technotainment” (tekno-zbavitja) që e përkufizon teknologjinë si të lidhur ngusht me argëtimin; sipas technotainment-it i mungon ‘ashpërsia’ dhe vlerat. (Okan, 2003: 255) Titutjt e software-vë të edutainmentit shprehin natyrën e mesazhit në vijim: “Fun for Brains, Play and Learn” (Argëtim për mendjet, luaj dhe mëso!) Ky lloj arsimimi përdor edhe slogane si: “Të lodhur nga mësimnxënia? Ne kemi diçka që do ju edukojë duke ju argëtuar!” Ndërkohë ofron edhe shpërblime: “Fun for Brains is fun for all, You won’t just learn you’ll have a ball!” (Argëtimi për mendjet është argëtim për të gjithë. Ju jo vetëm që do të mësoni, do të kënaqeni.)

Edutainment mund të jetë interaktiv/pjesëmarrës, jointeraktiv/spektator dhe hibrid. (White, 2004) Ky lloj edukimi i vitalitetit kognitv që bashkon argëtuesen me të dobishmen, ka qëllimin që të nxënit të jetë i këndshëm. Ai atakon tekstet apo librat tradicionalë që zakonisht janë të thatë, trysnues dhe stresues për recipientin. Në epokën e të nxënit të tipit edutainmet, qëllimi është që nxënësi-studenti të ndjehet i entuziazmuar dhe i emocionuar gjatë mësimit, të jetë i lidhur vazhdimisht me njësinë mësimore dhe mësuesin apo profesorin. “Edutainment ose arsimimi përmes lojës është lloj i argëtimit i krijuar që në të njëjtën kohë të edukojë dhe të animojë.

Edutainment paraqet bazën për mësim më efikas dhe më të shpejtë. Suksesi i edutainment-it është verifikuar me faktin se arsimi bëhet më vital, më satisfaksionues kurse mësimdhënsit kanë mundësinë që të poërcjellin dijen në mënyrë që është edhe interaktive edhe interesante. (Labus, 2011:52)

Ndonëse është zbavitje, edutainmentin s’duhet përçmuar, ai është goxha serioz dhe profesional. Fakti që është kënaqësidhënës nuk do të thotë që është i pakuptimtë dhe i pavlefshëm. (ELM Learning, 2021) Në klasë, përdoren mediat, lojërat, lodrat dhe përvojat ndërkohë që miksohet argëtimi me mësimin për të motivuar studentët. Filma rreth historisë mund të jenë vegla të fuqishme për t’u mësuar studentëve ngjarje të rëndësishme duke i mbajtur ata të angazhuar. Për shembull: “The Princ of Egypt”, “Troy” (histori antike), “Fiddler on the Roof” (histori e shek. XX), “The Sound of Music” (Lufta e Dytë Botërore), “Hidden Figures” (histori e gruas, të drejtat civile), “Becket” (histori europiane) etj. Në kontekstin shqiptar në orët e sociologjisë mund të shikohen dhe të analizohen me sy kritik filmat si “Skënderbeu” (1954), “Liri a vdekje” (1979), “Kur pranvera vonohet” (1979), “Vdekja e kalit” (1992), “Si qeni n’rush” (2011) e të ngjashëm. /vijon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit