Edhe këtë vit Likova pa Këshill Rinor Lokal, Komuna “shpik” procedurë të re, ndërsa premton zgjidhje për vitin tjetër

Edhe këtë vit, të rinjtë e Komunës së Likovës do të mbeten pa Këshill Rinor Lokal (KRL) funksional. Komuna thotë se procedura për rifunksionalizimin e KRL-së do të vazhdojë pas Vitit të Ri, ndërsa si arsye për vonesën e përmend pritjen e një konfirmimi nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Nga Ministria, në anën tjetër, thonë se Komuna nuk ka nevojë për miratim të tillë dhe se themelimi i KRL-së është në kompetencë të pushtetit lokal, shkruan Portalb.mk.

KRL-ja në Likovë nuk ka qenë funksionale për një periudhë të gjatë. Pavarësisht kësaj, komuna së fundmi ka nisur procedurën për rifunksionalizimin e saj, ndërsa të rinjtë thonë se presin që ky këshill të krijohet dhe të fillojë të funksionojë.

Një student me inicialet V.Sh., i cili është në proces të themelimit të një organizate joqeveritare, për Portalb.mk tha se KRL-ja do t’u mundësonte të rinjve të Likovës t’i adresojnë më mirë problemet dhe kërkesat e tyre te pushteti lokal.

“Përmes Këshillit Rinor Lokal, ne do të shohim më qartë se cilat janë nevojat e të rinjve dhe ku duhet të intervenojmë. Do të rritet edhe bashkëpunimi mes organizatave veçanërisht atyre rinore që funksionojnë në Komunën e Likovës dhe kështu do të ndërtojmë një ambient dhe atmosferë më të mirë për të rinjtë e Komunës tonë”, u shpreh ai.

Nga Komuna e Likovës për Portalb.mk thanë se procedura për themelimin e KRL-së do të vazhdojë pas Vitit të Ri. Sipas tyre, aktualisht janë në pritje të konfirmimit nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë për shpalljen e konkursit për anëtarët e KRL-së.

“Presim miratimin e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, për thirrjen e anëtarëve të ri KRL-së”, thanë nga Komuna e Likovës.

Megjithatë, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë thotë se një miratim i tillë nuk është i nevojshëm dhe se përgjegjësia për themelimin e KRL-së i takon Komunës.

Nga Ministria iu referuan Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore, sipac të cilit procedura për themelimin e një Këshilli Rinor Lokal është në kompetencë të komunës.

“Sipas Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” Nr. 10/2020), veçanërisht nenet 16, 17 dhe 18, procedura për themelimin e një Këshilli Rinor Lokal është në kompetencë të komunës dhe zbatohet përmes Asamblesë Rinore Lokale”, thanë nga ministria.

Sipas tyre, edhe thirrja publike dhe verifikimi i zgjedhjeve janë në kompetencë të komunës dhe ligji nuk parasheh miratim nga ministria si kusht për vazhdimin e procedurës.

“Sipas nenit 18, Këshilli Rinor Lokal publikon thirrjen publike për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Rinor Lokal, kryen zgjedhjet dhe anëtarët e zgjedhur verifikohen nga Këshilli i Komunës bazuar në vendimin e zgjedhjes. Dispozitat ligjore të lartpërmendura nuk parashikojnë një konfirmim të veçantë nga Ministria si kusht për publikimin e thirrjes publike. Ministria mbetet e hapur për bashkëpunim dhe dhënie informacioni brenda kompetencave të saj”, thanë nga atje.

Portalb.mk kërkoi sqarime shtesë nga Komuna e Likovës lidhur me procedurën dhe arsyet e pritjes së konfirmimit nga Ministria, por nga Komuna nuk ndanë detaje të tjera për procesin e funksionalizimit të KRL-së.

Këshilli Rinor Lokal në Likovë parashihet të funksionojë në hapësirat e Qendrës Rinore në fshatin Mateç.

Qendra është paraparë si hapësirë për takime të KRL-së, organizatave rinore dhe grupeve joformale të të rinjve. Aty parashihet të organizohen trajnime, punëtori edukative, debate, aktivitete kulturore e artistike, fushata ndërgjegjësuese dhe iniciativa të tjera për aktivizimin dhe pjesëmarrjen e të rinjve.

Megjithatë, pa funksionalizimin e KRL-së, të rinjtë e Likovës vazhdojnë të mbeten pa mekanizëm të rregullt për përfaqësimin e tyre në nivel lokal.

Mungesa e mekanizmave funksionalë për pjesëmarrjen e të rinjve nuk është problem vetëm i Likovës.

Raporti i Monitorimit për zbatimin e Ligjit për Pjesëmarrje Rinore dhe Politika Rinore për vitin 2025, i publikuar më 15 maj nga Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë, evidentoi mangësi serioze në zbatimin e detyrimeve ligjore ndaj të rinjve në nivel lokal.

Sipas raportit, gjashtë vite pas miratimit të ligjit, një pjesë e konsiderueshme e obligimeve ligjore ende nuk janë përmbushur ose zbatohen vetëm formalisht.

Institucionet, sipas raportit, më së shpeshti përmbushin ato detyrime që nuk kërkojnë investime të mëdha financiare, ndërsa mekanizmat që kërkojnë mbështetje strukturore dhe përfshirje aktive të të rinjve mbeten jofunksionalë ose pjesërisht të zbatuar.

Këshilli Rinor Kombëtar i Maqedonisë KRNM- NMSMKomuna e LikovësLikovaMinistria e Politikës Sociale Demografisë dhe Rinisë (MPSDR)Të rinj - Rini - Rinia