Drita e m’simit si drita e synit

Shkruan: Naim Iljazi

Hajër u boftë, ama jetojmë me nji shoqni t’kapun prej injorancës, që ta han integritetin e t’barazon, madje t’përbuz. Po mirë ka thanë Konica, ma mirë me ngranë pleh njeriu se me e m’su shqiptarin.

Fatkeqsisht, sot kemi thasë me mbushë me t’arsimum e pak t’dijshëm.

N’kohnat e kalueme thojshin se drita e m’simit si drita e synit, por ironia e fatit se m’simi u kthy n’errsin. Ani çka se vet e ndërtum k’te shoqni, e pra tashi e gzofshim.

E tash me nerr me thanë, dija e arsimi s’janë njejtë. Me fol drejt e ka del shpirti, njeriu mund me qenë i dijshëm edhe pa qenë i arsimum.

Sipas mendimit tem, i dijshëm asht ai që ngjiz dije, e ai që ka arsye të shëndoshë dhe prap nuk i bindet arsyes si e vërtetë e pathyeshme. I arsimum asht ai që ndjek mësimet e që i përsërit ato që i ka thanë i dituni. Ama prapseprapë s’mujsh me u bo i ditun me zort.

Në fakt, nuk mundesh me qenë i dijshëm vetëm se je arsimue e ke diplomë. Dija asht kredibilitet, jo pazar për diplomë. Nëse s’të del hesapi me mend, arsimimi nuk t’vlen me u mburrë.

Çdokush asht n’gjendje me i thanë dy fjalë, çdokush e ka për kreni, mbase ma shumë për ego, me thanë se “Unë kam menim”. Ama kur përdor pa ndal përemnin vetor ‘UNË’, nuk bahesh ma i mençun. Personalisht, më japin nji ndjesi t’çuditshme njerëzit që në këtë pasuni fjalësh, ‘UNË’-n e nxjerrin prej goje po aq shpesh sa frymën.

Sidoqoftë, pozita në shoqni nuk ndërtohet as prej UNË-it, as prej fjalës, por prej kuptimit të asaj që thu, se njeriu i dijshëm i kursen e i peshon fjalët, e nuk i hedh si lopa-baglën.

E ky trushterp i diplomum s’turpnohet ma, përkundrazi, flet me vetëbesim, sikur me e pasë dijen e gjithë botës n’dorë. Paçka se padija nuk ia kufizon veç mendjen, por edhe gjuhën, se fjalori i tij asht i vorfën, i mbështetun në pak fjalë t’lodhuna, që i përsërit çdo ditë në t’njejtën trajtë e me t’njetin ritëm.

Pa me e tepru ma shumë, po e përmbyll me krahasimin që e nisa, se në vend që arsimi me e kalitë dijen, po e kalit injorancën. E dhimbshme, me pa të arsimum që mbesin peng i nji bote që e flasin, por kurrë s’e kuptojnë, në nji kohë të mundësive.

Na Shkruani