Shkruan: Afrim Ramadani
Në kujtesën e fshatit shqiptar, mes arave të mbjella, kopshteve të gjelbra dhe pemishteve të mbushura me fruta, ekziston një figurë e veçantë, e heshtur dhe disi misterioze, një shëmbëlltyrë njeriu: dordoleci.
I ndërtuar zakonisht me disa shkopinj druri, i veshur me rroba të vjetra – zakonisht rrecka, me një kapelë të dalë boje dhe me një pamje që synon të ngjallë frikë, dordoleci ka qenë për shumë breza një nga mënyrat më të thjeshta për t’i mbrojtur të mbjellat nga zogjtë.
Ai nuk flet, nuk lëviz dhe nuk ankohet. Qëndron aty, në mes të arës, duke përballuar shiun, erën, borën dhe vapën e verës. Edhe pse është vetëm një figurë prej druri e rrobash të vjetra, prania e tij ka një mision të rëndësishëm: të ruajë frytet e punës së njeriut.
Dordoleci është dëshmi e zgjuarsisë popullore dhe e marrëdhënies së hershme të njeriut me natyrën. Në kohët kur teknologjia nuk kishte hyrë ende në bujqësi, njerëzit gjenin zgjidhje praktike duke shfrytëzuar materialet që kishin në dispozicion.
Një këmishë e vjetër, një palë pantallona të grisura, pak kashtë dhe dy-tri copa druri mjaftonin për të krijuar një rojtar të pazakontë.
Por dordoleci nuk është gjithmonë aq i suksesshëm sa duket. Zogjtë, me kalimin e kohës, mësohen me praninë e tij dhe kuptojnë se pas asaj pamjeje nuk fshihet asnjë rrezik i vërtetë.
Përtej funksionit të tij bujqësor, dordoleci mund të shihet edhe si një metaforë interesante e jetës njerëzore.
Në shoqëri ekzistojnë figura që, ashtu si dordoleci, krijojnë përshtypjen e autoritetit, të forcës dhe të rëndësisë, por që në të vërtetë nuk kanë as zë, as veprim dhe as ndikim real.
Ata qëndrojnë në vend, vishen me petkun e rëndësisë dhe presin që të tjerët t’i marrin seriozisht. Mirëpo, ashtu si zogjtë që mësohen me dordolecin, edhe njerëzit me kalimin e kohës arrijnë ta dallojnë pamjen nga përmbajtja, paraqitjen nga realiteti dhe autoritetin e vërtetë nga ai i shtirur.
Sot, në kohën e mekanizimit dhe të teknologjisë moderne, dordoleci vazhdon të gjendet në shumë kopshte, ara dhe pemishte. Për disa është vetëm një mjet tradicional, ndërsa për të tjerët është pjesë e nostalgjisë së fëmijërisë dhe e kujtimeve nga jeta rurale.
Ai na kujton një kohë kur njeriu, me pak mjete dhe shumë përkushtim, përpiqej të ruante atë që kishte mbjellë me mund.
Në fund të fundit, dordoleci është më shumë se një figurë e vendosur në mes të arës. Ai është një simbol i traditës, i zgjuarsisë popullore dhe, njëkohësisht, një metaforë që na kujton se pamja nuk është gjithmonë dëshmi e përmbajtjes. Sepse edhe në jetën e përditshme, sikurse në arë, nuk mjafton të dukesh si rojtar. Duhet të kesh aftësinë, përgjegjësinë dhe guximin për të bërë diçka të dobishme.
Dhe, në fund, ndoshta dordoleci nuk është aq i padobishëm sa mendojmë. Ai, të paktën, e kryen një detyrë: qëndron në arë për të trembur zogjtë, edhe pse nuk ka as dije, as zë dhe as ndonjë aftësi të veçantë.
Por çuditërisht, në jetën tonë shoqërore hasim edhe dordolecë që nuk qëndrojnë nëpër ara, por nëpër zyra, institucione dhe poste të rëndësishme. Dallimi është se dordoleci i arës është aty për një arsye të caktuar, ndërsa disa prej këtyre të tjerëve as nuk e dinë ku dhe pse janë aty.
Të paktën, dordoleci nuk shtiret se është i mençur, nuk mban fjalime nëpër mitingje dhe festa dhe nuk premton mrekulli – ai thjesht qëndron në heshtje. Ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse, në disa raste, dordoleci rezulton më i ndershëm se ata që e kanë marrë veten shumë seriozisht!
Sepse dordolecin e vendosin në arë për të trembur zogjtë, kurse disa njerëz i vendosin në poste për të trembur… arsyen!!!