Do të kryhet mbikëqyrje e re për rastin e pacientes e cila ngeli në karrocë pas lindjes me prerje cezariane

Ministria e Shëndetësisë informoi se Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në institucionet shëndetësore ku pacientja Stanka Mihajllova ngeli në karrocë pas lindjes, transmeton Portalb.mk.

Mbikëqyrjet u realizuan në Spitali i Përgjithshëm Strumicë, Spitali Klinik Shtip, dhe Klinika Universitare e Neurologjisë. Inspektorët shqyrtuan evidencën shëndetësore dhe dokumentacionin mjekësor, ndërsa u morën edhe deklarata nga punonjësit shëndetësorë të përfshirë në trajtim.

“Megjithatë, duke pasur parasysh komplikimet serioze shëndetësore të pacientes, është miratuar vendim për kryerjen e një mbikëqyrjeje profesionale mbi të gjithë rrjedhën e lindjes dhe trajtimit të saj të mëtejshëm”, tha Ministria e Shëndetësisë.

Megjithatë, nga aty thonë se me qëllim të sigurimit të një vlerësimi profesional të plotë, të pavarur dhe objektiv, ministri i Shëndetësisë kërkoi që në Komisionin për mbikëqyrje profesionale të përfshihet edhe një ekspert mjekësor nga një shtet fqinj.

“Ai do të marrë pjesë në shqyrtimin e të gjithë dokumentacionit mjekësor të pacientes dhe në përgatitjen e mendimit profesional për procedurat diagnostikuese dhe terapeutike të ndërmarra. Pas përfundimit të mbikëqyrjes profesionale, Ministria e Shëndetësisë do ta informojë opinionin për konstatimet dhe përfundimet”, informoi Ministria e Shëndetësisë.

Dje, Platforma për barazi gjinore kërkoi që institucionet të hetojnë në formë të pavarur dhe transparente rastin e 19-vjeçares.

Ndryshe, 19 vjeçarja Stanka Mihajllova nga rrethi i Strumicës, pas lindjes me prerje cezariane në Spitalin e Shtipit po përballet me pasoja shëndetësore dhe aktualisht është në karrocë invalidësh pasi nuk mund të ecë.

Ministria e Shëndetësisë (MSH)ShtatzënaShtipiStrumica