Sado që nuk e hiqte veten për disident, Ismail Kadare thoshte: Një shkrimtar i vërtetë në një diktaturë është i detyruar të bëhet disident, edhe nëse nuk e shpall veten të tillë. Kjo hedh poshtë modestinë e autorit të veprave me frymë rebeliste, mes të cilave është dhe “Pallati i ëndrrave”, romani më subverziv dhe më i zymtë i Kadaresë, që, njësoj si “Dimri i vetmisë së madhe”, nuk ka asnjë pikëtakim me realizmin socialist.
Për Jean- Paul Champseix, autorin e studimit “Ismail Kadare: një disidencë letrare”, romani ‘Dimri i vetmisë së madhe’ është pa asnjë dyshim vepër disidente”. Me këtë roman Kadareja bëri atë që kanë bërë shumë krijues para tij: portretizoi dhunën e egër ndaj një populli të tërë, ndërsa, në anën tjetër “lëvdoi” të parin e shtetit. Kjo mënyrë e sfidimit të sistemit satrap është shumë e ngjashme me atë që bëri në shekullin XVII dramaturgu francez Molieri, i cili, nëpërmjet shtresave të nëntëshme zhveshi diktaturën dhe jetën e mjerueshme të popullit, por jo dhe prijësin e vendit, Luigjin XIV, që ishte fajtori kryesor për ligësitë që e shndërruan popullin në rajë mesjetare. Për këtë model shkrimi, Kaderaja ka thënë: “Bëra atë që pak a shumë e bëri Molieri në shekullin XVII me mbretin”.
Kur është në pyetje krijimtaria e Kadaresë, duhet thënë se veprat e tij ndryshojnë nga veprat e autorëve të tjerë. Se ç’lloj letërsie dëshironte të shkruante, e kuptojmë nga vetë ai, i cili ka thënë: “Asnjë projekt nuk më tërhiqte, nëse nuk kisha bindjen e thellë që ajo që unë shkruaja nuk ngjante në asgjë me letërsinë që ishte bërë deri atëherë”.
“Dimri i vetmisë së madhe” ka plot tipare antizhdanoviste, si: antisocializmi i dukshëm i romanit; mungesa e urrejtjes ndaj armiqve; heronjtë pa qëndrim partiak; kundërshtimi i luftës së klasave; vetmia e diktatorit; paraqitja e aleancës me sovjetikët si e gabuar; atmosfera e ngrysur e romanit; atdhetaria e masave që zhvendoset në kohëra që nuk kanë asnjë lidhje me stalinizmin shqiptar; përçmimi i inteligjencës; memecëria e shqiptarëve; ngjitja në poste të larta e të paaftëve; fryma e deheroizimit; numri i madh i personazhëve negativë; përmendja e alkoolizmit dhe prostitucionit; fryma borgjeze e revolucionit seksual; mospërshtatja e romanit me shijen e lexuesve shqiptarë; paraqitja e Tiranës si një metropol i pasur me rrugë përplot makina; me dyqane ku njerëzit, gjoja, blejnë gjithçka që dëshirojnë, njësoj si në botën e pasur perëndimore…
E gjithë kjo është një formë talljeje përmes bartjes së ligësive të sistemit në vende e periudha të tjera historike dhe lëvdimit me dokrra të prijësit të shtetit, i cili e pranoi se: “Romani është antisocialist, por, ta dënosh zyrtarisht ‘Dimrin’, do të thotë që t’u japish të drejtë sovjetikëve!”.
Kjo është arsyeja pse nuk u dënua Ismail Kadare nga Enver Hoxha? Ai e dinte se romani e kishte bërë të njohur edhe në botën perëndimore, ndaj dënimi i tij mund t’ia prishte imazhin. Kështu Kadareja ia doli ta vinte në kurth, duke i bërë një portret ku dukej shumë i kulturuar, madje intelektual dhe artist, i cili, në njërën anë donte ta dënojë Kadarenë, kurse në tjetrën ta falë, sepse i pëlqente të duket hero i urtë para lexuesve evropianë, tamam ashtu siç e portretizoi Kadareja. Thënë shkurt: duke e paraqitur diktatorin si një qenie të epërme dhe duke e bërë , permes paralelizmit, hero të periudhave të mëparshme histirike, Kadareja synoi ta shkëpuste nga bota komuniste, ndërsa Enveri, duke ia minimizuar fajet, synoi ta rikthente shkrimtarin në radhët e krijuesvë të realizmit socialist.
Mjerisht, edhe përkundër gjithë veprave antidiktatoriale, janë të shumtë mohuesit e disidencës së Kadaresë. Të tillët ose nuk e kuptojnë se disidenca letrare sfidon regjimin nëpërmjet simboleve, alegorive, aluzioneve dhe metaforave, ose e mohojnë atë për shkaqe krejtësisht jashtëletrare dhe jashtëkulturore.
Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe “studiuesit”, që e paraqesin Kadarenë si përkrahës dhe mashë të regjimit, duke e lidhur këtë akuzë me vjershën “Lamtumira e fundit”, të cilën Korifeu i letrave shqipe e shkroi në vitin 1953, pas vdekjes së Stalinit, kur ishte ende në moshë të mitur…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.