Dëshmi për Koçanin: Nuk kam parë aparat kundër zjarrit, biletat u shiteshin edhe të miturve

Në “Pulse” nuk kam parë aparat kundër zjarrit, biletat shiteshin edhe për të mitur, ndërsa natën kur ndodhi zjarri u krijua stampedo dhe panik i madh, deklaroi Kristian Panov në dëshminë e tij në seancën e sotme të gjyqit për zjarrin në diskotekën e Koçanit “Pulse”, transmeton Portalb.mk.

Kristiani në zjarr e humbi vëllain e tij, Andrej Panov. Të dy kishin punuar në “Pulse”, Kristiani si kamerier, ndërsa Andreji si shankist.

Ai tha se nuk ishte i punësuar rregullisht, por vinte në punë me thirrje nga pronari i kabare-së, kur kishte ngjarje dhe festa.

Ai theksoi se në punë e kishte futur vëllai i tij, por nuk ishin të regjistruar zyrtarisht si të punësuar.

Në pyetjen se kush performonte në diskotekë, tha se bëhej fjalë për disa grupe muzikore dhe DJ nga vendi dhe nga jashtë.

Lidhur me përdorimin e mëparshëm të piroteknikës, tha se në një festë të mëparshme kishte pasur performancë të DJ-ve nga Greqia, të shoqëruar edhe nga balerina. Ata nuk kishin përdorur piroteknikë, por balerinat i argëtonin mysafirët duke rrotulluar pishtarë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së prokurores, tha se, aq sa ishte në dijeni ai, për sigurimin ishin angazhuar persona nga Koçani si sigurim i përhershëm dhe ata ishin të pranishëm në ngjarje.

Ai tha se detyra e tyre ishte të qëndronin te dera dhe t’u vendosnin vula në duar mysafirëve që kishin blerë biletë.

“Qëndronin te dera dhe kur blije biletë ua dorëzoje atyre, ndërsa ata të vendosnin vulë në dorë, ndonjëherë edhe jo. Vula shërbente që mysafirët, pasi të dilnin jashtë, të mund të hynin sërish brenda”, tha ai.

Ai konfirmoi se në kabare kishin qenë të pranishëm edhe të mitur. Në pyetjen nëse në ngjarje kishin ardhur policë me uniformë, tha se kishte raste, aq sa ishte në dijeni, por nuk e dinte arsyen e pranisë së tyre.

U konfirmua edhe përgjigjja e tij se policë që ai i njihte kishin qenë të pranishëm pa uniformë në ngjarjet e organizuara në “Pulse”.

Sa i përket rezervimit të vendeve për ngjarjet në kabare, tha se përgjegjës ishte menaxheri Boris Findacki, por rezervimet mund të bëheshin edhe përmes pronarit Dejan Jovanov-Deko.

Përgjegjës për shitjen e biletave, sipas tij, ishte Todor Jovanov, vëllai i pronarit Dejan Jovanov-Deko. Në pyetjen e prokurores, ai tha se biletat shiteshin edhe për të mitur.

Në pyetjen nëse kishte parë aparat kundër zjarrit në objekt, ai u përgjigj:

“Nuk kam parë aparat kundër zjarrit.”

Duke treguar për mbrëmjen kritike, ai tha se për më pak se një minutë u krijua kaos.

Panov u përpoq të hynte brenda te vëllai i tij pasi stampedoja u shpërnda, sepse më herët kjo nuk kishte qenë e mundur.

“Brenda ishte e vështirë të qëndroje më shumë se 5–10 sekonda. Kjo ishte rreth 20 minuta pas stampedosë, po e kërkoja vëllain tim. Në momentet e para kishte panik të madh, dhe ai e shkaktoi stampedon”, tha ai.

Ai tha se kishte shumë njerëz që ndihmonin dhe se edhe ai ndihmoi sa mundi.

“Teksa po ecja, diçka ra mbi mua, u shpërnda dhe u detyrova të dal. Kur u ktheva për herë të dytë, e gjeta vëllain tim pranë hyrjes. Brenda kishte shumë trupa, askush nuk ishte në vetëdije. I lëvizja trupat për ta gjetur vëllain. Ai tashmë ishte jashtë, dikush e kishte nxjerrë te hyrja. Fillimisht nuk isha i sigurt nëse ishte ai, por e njoha nga tatuazhet”, tha ai.

Dëshmitari tjetër Ivan Danaillov, i cili e ka mbijetuar pa lëndime zjarrin në “Pulse”, sot para Gjykatës tregoi se çfarë kishte ndodhur natën kritike. Ai ishte mysafir i shpeshtë në këtë lokal, më shpesh para pandemisë së COVID-it, e më pas më rrallë, siç tha ai. Për herë të parë kishte hyrë në “Pulse” kur ishte 16 vjeç, si i mitur. 

Për natën e 16 marsit 2025, ai tha se gjithçka kishte rrjedhur normalisht derisa dëgjuan një anëtar të bendit DNK që u bëri thirrje të gjithëve të dilnin jashtë. Zjarri fillimisht nuk ishte vërejtur, pasi ndodhej pikërisht mbi kokat e tyre. 

“Para performancës së bendit kishte DJ. Performanca e bendit filloi në orën 2. Diskoteka ishte e mbushur, por nuk mund të jap një numër të saktë. Mes tavolinave ishte mjaft ngushtë dhe kalimi pranë tyre ishte i vështirë”, tha Danailov. 

Duke iu përgjigjur një pyetjeje shtesë, ai tha se gjatë festës në objekt kishte edhe persona të mitur. Ai dhe shoqëria e tij ishin ulur në tavolinat e para pranë skenës dhe nuk kishin vërejtur kur policët kishin hyrë në objekt për të kryer kontroll aksionar. Për këtë kishte mësuar nga një anëtar i bendit DNK, i cili nga skena tha se policë kishin hyrë dhe u kërkoi mysafirëve të silleshin me kulturë dhe korrektësi. Kjo ndodhi pak para se të shpërthente zjarri, ndërkohë që festa nuk ishte ndërprerë nga policia. 

Në një pyetje tjetër, ai tha se policia kishte ardhur edhe më herët për kontrolle nëse kishte të mitur, por nuk i kujtohej që dikush të ishte nxjerrë nga kabareja për këtë arsye. 

“Një pjesë ishin me uniformë, e një pjesë me rroba civile”, tha ai, duke shtuar se edhe gjatë kontrolleve të mëparshme festat nuk ishin ndërprerë. 

Ai tha se edhe më herët ishte përdorur piroteknikë, por vetëm herë pas here. 

Gjatë vizitave të tij në lokal, ai nuk kishte vërejtur aparate kundër zjarrit, as dalje për evakuim. Përveç hyrjes kryesore, ai tha se kishte vetëm edhe një derë pas banakut, e cila, sipas tij, nuk e kishte parë ndonjëherë të përdorej. Tha se zjarri kishte filluar në orën 2:32. 

“Në fillim, unë dhe shokët nuk e vumë re zjarrin sepse ishte mbi kokat tona, jashtë fushës sonë të shikimit. Anëtarët e bendit e vunë re dhe thanë se kishte rënë zjarr. I kërkuan pronarit të sillte aparat kundër zjarrit”, tha dëshmitari. 

Në momentet e para nuk kishte parë askënd me aparat kundër zjarrit, por gjatë daljes vuri re djalin e pronarit të “Pulse”, Mihajllo Jovanov, duke ardhur me një aparat të tillë. 

“Kur e kuptuam se situata ishte serioze dhe kur u bashkuam me stampedonë, tashmë ndihej tymi që të mbyte. Mbaj mend se në atë shtyrje të gjithë përpiqeshin të dilnin jashtë. Në shkallë, dikush nga turma ra para meje dhe të gjithë u rrëzuam mbi të. Nuk pashë askënd që të vendoste rregull apo të organizonte evakuimin. Gjëja tjetër që mbaj mend është se isha shtrirë në fund të shkallëve, në shkallën e fundit; përpiqesha të ngrihesha, por këmbët më ishin bllokuar nga persona të tjerë të rrëzuar”, tha ai. 

Në ato momente, ai vuri re një nga sigurimi që e nxori jashtë. 

“E pashë Stolen nga sigurimi, i zgjata dorën, ai më kapi dhe më nxori. U ngrita dhe fillova t’i kërkoj shokët për të parë nëse kishin dalë”, tha ai. 

Pasi u bashkua me disa prej tyre dhe pa se ishin mirë, shkoi te automjeti i tij. Me këtë rast vuri re dy-tre policë që qëndronin anash dhe nuk merrnin pjesë fare në nxjerrjen e të lënduarve. 

“Qëndronin mënjanë dhe nuk ndërmerrnin asnjë aktivitet për nxjerrjen e njerëzve. Ndoshta prisnin koordinim, por thjesht qëndronin dhe nuk bënin asgjë”, tha dëshmitari. 

Gjëja tjetër që i shkoi ndër mend ishte të shkonte me makinë te pompa më e afërt e karburantit për të blerë shishe uji, që t’ua shpërndante njerëzve që dilnin nga lokali. 

“Ndërsa njerëzit që dilnin ishin të mbuluar me blozë dhe me shenja të rënda nga zjarri”,
tha ai. 

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë.

Tetë muaj pas aksidentit, 37 të pandehur u ulën në bankën e të akuzuarve, nga të cilët 34 ishin individë dhe tre ishin persona juridikë. Pronarë baresh, menaxherë, inspektorë, roje sigurie, nëpunës civilë dhe ish-kryetarë komune janë të akuzuar.

Zjarri në diskotekën në Koçan