Të pandehurit Ramis Merko, Egzona Shei dhe Dritan Kaba morën dënim me kusht për emërimin e paligjshëm të drejtoreshës në shkollën në Veleshtë. Nëse brenda dy viteve nga forma e prerë e dënimit kryejnë një vepër penale të re, ata do të dënohen me dënim me një vit burg, njofton Portalb.mk.
Sipas Gjykatës, në rastin me të pandehurën Egzona Shei, e cila akuzohet për falsifikim të një dokumenti, nuk ka dokument të rremë. Gjykata vlerësoi se për të pandehurën Egzona ka elemente të veprës penale Përdorim i dokumenti me përmbajtje të rreme. Dokumenti nuk ka qenë i rremë, por ajo që ka qenë e shkruar në të nuk ka qenë e vërtetë, shpjegoi gjykatësi Jovan Jovanov. Të pavërteta ka pasur edhe në Vërtetimin për stazhin praktik, Vërtetimin për përvojën e punës dhe mendimin e këshillit mësimor, në të cilin thuhet se i ka përvetësuar të gjitha 42 kompetencat e parapara.
“Gjykata, në aspektin e kualifikimit ligjor që i është dhënë të pandehurës Egzona, vlerësoi se që të ekzistojë një akt i tillë është e nevojshme të ketë një dokument të rremë që e pandehura më vonë do ta përdorë si të vërtetë. Megjithatë, si dokument i rremë konsiderohet ai dokument që ngjan me dokumentin e vërtetë sipas pamjes dhe formës së tij, por nuk është i tillë sepse pjesë të caktuara janë korrigjuar ose ndryshuar me qëllim që të krijohet një përshtypje e rreme se dokumenti është i vërtetë. Nëse është përgatitur nga një person i paautorizuar, një institucion i paautorizuar, ka nënshkrim të falsifikuar, vulë, ndërsa në rastin konkret nuk ka diçka të tillë”, tha gjykatësi Jovan Jovanov.
Ai shpjegoi se dokumentet janë lëshuar nga shkolla, janë nënshkruar nga persona të autorizuar, qoftë ai sekretari apo ndihmës drejtori dhe janë regjistruar siç duhet me një numër arkivi. Nga një aspekt formal, siç tha ai, nuk ka asgjë problematike sepse nuk bëhet fjalë për një dokument të rremë.
Jovanov tha se sipas rregullave Egzona si apsollvente është dashur të punësohej si praktikante, t’i caktohej mentor, ndërsa pas një viti stazhi, të diplomojë. Pasi të ketë marrë statusin e mësimdhënësit pas 5 vitesh përvojë pune të kandidonte për drejtoreshë.
“Egzona ka pasur statusin e praktikantes edhe në vitin 2022 kur ka diplomuar, ndërsa në të njëjtin muaj që ka diplomuar ajo është zgjedhur si u.d. drejtoreshë, ndërsa shtatë muaj më vonë ka aplikuar për ta dhënë provimin profesional për mësimdhënëse, por aplikimi i saj nuk është miratuar sepse mentori i cili i ishte caktuar ishte zgjedhur vetëm disa ditë para se të dorëzohej aplikimi, kështu që nuk ka pasur raport të cilin duhet ta jepte mentori. Në prill të vitit 2023 mentori ka dhënë mendim pozitiv dhe ajo sërish ka aplikuar për ta dhënë provimin profesional për mësimdhënëse në një kohë kur e ka filluar mandatin e saj të tretë dhe të fundit si u.d. drejtoreshë”, shpjegoi Jovanov.
Ramis Merko u dënua për punë të pandërgjegjshme në shërbim për emërimin e Egzonës si u.d. drejtoreshë pa i përmbushur ajo kushtet, nuk ka pasur certifikatë të vlefshme për njohjen e gjuhës angleze, nuk e ka kaluar provimin profesional për drejtoreshë, e as nuk ka pasur 5 vjet përvojë si mësuese.
Në lëndën për emërimin e paligjshëm të drejtorit në Shkollën Fillore “Vëllezërit Milladinovci” në Strugë, të pandehurit sot u dënuan me një gjobë prej 50 gjobash ditore prej 50 eurosh secila, ose 2.500 euro në kundërvlerë me denarë.
Sipas Prokurorisë, nuk mundet që për të njëjtën vepër penale një vendim të jetë me kusht dhe një tjetër me para. Pas kësaj prokurori Xhemal Lloga paralajmëroi se do të bënte ankesë.
Paraprakisht në qershor 2025, Gjykata Themelore e Strugës i vendosi gjobë prej 10,000 eurosh Merkos, me akuzën për kryerje të pakujdesshme në shërbim, konkretisht, për parregullsi të kryera në emërimin e drejtorëve në detyrë të shkollave fillore në fshatrat Labunishtë, Ladorishtë dhe Podgorcë. Ndërkohë Prokuroria Publike tashmë ka ankimuar vendimet e mëparshme të gjyqtarit Jordan Jovanov.
Merko mori lirim nga akuzat në fillim të qershorit 2025, në rastin që po zhvillohej kundër tij për shpërdorim të detyrës zyrtare në blerjen e një makine Audi me vlerë 67,000 euro.
Ndryshe, Merko, në muajin shtator 2024 është përfshirë edhe një rast tjetër gjyqësor, ku dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit rreth ndriçimit të shtratit të lumit Drin.
- LEXO: Gjykata i shqiptoi Merkos gjobë prej 10 mijë eurosh për emërimin e paligjshëm të drejtorëve të shkollave në rajonin e Strugës
- LEXO: Merko u lirua nga aktakuza, Gjykata vlerësoi se Audiu luksoz nuk ishte provë e mjaftueshme për vepër penale
- LEXO: Merko dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit rreth ndriçimit të shtratit të lumit Drin