Kryetari në largim i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, së fundmi është përfshirë edhe një rast tjetër gjyqësor, ku dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit rreth ndriçimit të shtratit të lumit Drin, transmeton Portalb.mk.
“Prokuroria Themelore Publike në Strugë sot ka ngrit aktakuzë kundër një personi për veprën penale – keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimit nga neni 353, paragrafi 4, në lidhje me nenin 1 nga Kodi Penal”, raportoi Prokuroria.
I akuzuari, kryetari i Komunës së Strugës, në periudhën prej 1 prillit të vitit 2021 e deri më 27 qershor të vitit 2022, ka lidhur kontrata për ndriçimin e shtratit të lumit Drini i Zi, por duke i tejkaluar kompetencat e tij. Komuna e Strugës për ndriçimin e shtratit në 900 metra gjatësi, në të dy anët, duke shfrytëzuar 300 shtylla ndriçimi, ka shpenzuar 6.7 milionë denarë.
Ai akuzohet se nuk ka marrë pëlqim nga Ministria për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor në lidhje me menaxhimin e ujërave, për çka edhe e ka dëmtuar sistemin hidrobiologjik të lumit.
Më 7 tetor pritet të shpallet vendimi gjyqësor ndaj kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, lidhur me dyshimet për shkelje ligjore në emërimin e drejtuesve të shkollave fillore “Vëllezërit Milladinovi” në Strugë dhe “Zini Hani” në Veleshtë. Në rastin e Veleshtës, Merko është një nga katër të pandehurit.
Paraprakisht në qershor Gjykata Themelore e Strugës i vendosi gjobë prej 10,000 eurosh Merkos, me akuzën për kryerje të pakujdesshme në shërbim, konkretisht, për parregullsi të kryera në emërimin e drejtorëve në detyrë të shkollave fillore në fshatrat Labunishtë, Radolishtë dhe Podgorcë. Ndërkohë Prokuroria Publike tashmë ka ankimuar vendimet e mëparshme të gjyqtarit Jordan Jovanov.
Ndryshe, Merko mori lirim nga akuzat në fillim të qershorit në rastin që po zhvillohej kundër tij për shpërdorim të detyrës zyrtare në blerjen e një makine Audi me vlerë 67,000 euro.
- LEXO: Më 7 tetor pritet aktgjykimi për Merkon lidhur me emërimet e paligjshme të drejtorëve në Strugë
- LEXO: Gjykata i shqiptoi Merkos gjobë prej 10 mijë eurosh për emërimin e paligjshëm të drejtorëve të shkollave në rajonin e Strugës
- LEXO: Merko u lirua nga aktakuza, Gjykata vlerësoi se Audiu luksoz nuk ishte provë e mjaftueshme për vepër penale