Galeria Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sonte më 3 shtator, me fillim nga ora 19:00, në Çifte Hamam në Shkup, do të hapë dy ekspozita artistike-“Inspirim” dhe “Mesazh në shishe”, të dyja nën kurimin e Narona Luma Veselit. Mbrëmja do të sjellë para publikut veprat e Bardha Buzës, Merita Myderrizi-Malokut, Vjosa Bujari-Maliqit dhe artistit të njohur të mozaikut Saimir Strati, shkruan Portalb.mk.
Bardha Buza, Merita Myderrizi-Maloku dhe Vjosa Bujari-Maliqi do të prezantohen me ekspozitën “Inspirim”, ku tri artiste, përmes tri gjuhëve të ndryshme piktorike, ndërtojnë botë që lidhen me kujtesën, natyrën, emocionin dhe përvojën njerëzore. Abstraktja, peizazhi, drita, ngjyra dhe materia ndërthuren në vepra që nuk e paraqesin vetëm realitetin, por e rikrijojnë atë.
Vëmendje të veçantë pritet të tërheqë edhe ekspozita “Mesazh në shishe” e artistit të njohur shqiptar Saimir Strati, një prej emrave më të spikatur ndërkombëtarë të mozaikut modern. Strati ka bërë emër duke e nxjerrë mozaikun jashtë kufijve tradicionalë dhe duke krijuar vepra monumentale me materiale të pazakonta-nga gozhdët dhe vidat industriale, deri te kokrrat e kafesë, fasulet, tapat, penelat dhe kapëset metalike.
Ai është mbajtës i 11 Rekordeve Guinness, me vepra të realizuara në Shqipëri, Kosovë, Portugali dhe Turqi. Në mesin e mozaikëve të tij rekord janë portretet dhe kompozimet kushtuar Leonardo da Vinçit, Michael Jacksonit, Nënë Terezës, José Saramagos dhe Mustafa Kemal Atatürkut.
Strati është anëtar i British Association of Modern Mosaic, është nderuar me titullin “Ambasador i Kombit” dhe veprat e tij janë prezantuar në disa kontinente. Në krijimtarinë e tij, një material i zakonshëm merr një jetë krejt tjetër, ndërsa mijëra elemente të vogla bashkohen për të krijuar një figurë, një histori dhe një kujtesë të re.
Kjo mbrëmje pritet të jetë një takim i veçantë mes pikturës, mozaikut dhe kujtesës artistike. Katër autorë, katër gjuhë krijuese dhe dy ekspozita do të bashkohen në të njëjtën hapësirë, duke i ofruar publikut një udhëtim nga ngjyra dhe emocioni, deri te materiali, figura dhe simbolika e mozaikut bashkëkohor.