Çfarë përfitojmë nga Programi Europa Digjitale?

Në kuadër të Dialogut Rregullues me Ballkanin Perëndimor, më 30 qershor 2023, Komisioni Europian nënshkroi një marrëveshje asociimi – për Programin Europa Digjitale – me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Serbinë. Me këtë rast, afarizmi, administrata publike dhe organizatat e tjera të pranueshme të këtyre vendeve fqinje do të kenë qasje në fondin prej 7.5 miliardë euro për periudhën 2021-2027.

Një shumë kaq marramendëse duhet shfrytëzuar me përpikëri nga vendet e përmendura. Le të flasim pak për programin në fjalë dhe si mund të shfrytëzohet.

Programi Europa Digjitale mbështetet financiarisht prej BE-së dhe përqendrohet në afrimin e teknologjisë digjitale me afarizmin, qytetarët dhe administratën publike. Infrastruktura dhe teknologjia digjitale luajnë rol t rëndësishëm në jetën tonë private dhe në mjedisin afarist. Ne varemi nga to sepse komunikojmë, punojmë, përparojmë në shkencë dhe u përgjigjemi çështjeve të mjedisit. Periudha e Covid-19 na tregoi qartë se sa varemi nga teknologjia. Gjithashtu, Europa dhe vendet tona e kuptuan më së miri se sa është e rëndësishme pavarësia dhe zgjidhjet e mundshme që shpesh i gjejmë në rajonet jashtë Europës.

Programi Europa Digjitale do të ofrojë financim strategjik me të cilat do t’u bëjmë ballë sfidave të ndryshme të kësaj natyre, do të mbështeten projektet në këto pesë sfera kyç: superkompjuterët, inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike, shkathtësitë e avancuara digjitale, si dhe në sigurimin e përdorimit të gjerë të teknologjisë digjitale në ekonomi dhe shoqëri, përfshirë qendra digjitale të inovacionit (Digital Innovation Hubs).

Si ndahet fondi i caktuar për këtë program?

Fondi i Programit Europa Digjitale është i ndarë në pesë pjesë:

– 2.2 miliardë euro për superkompjuterët (shtetet do të kenë mundësi të blejnë superkompjuterë)

– 2.1 miliardë euro për inteligjencën artificiale (shtetet do të kenë mundësi të investojnë në përdorimin e kësaj inteligjence nga afarizmi dhe administrata publike)

– 1.6 bilionë euro për sigurinë kibernetike (shtetet do të forcojnë bashkërendimin me mjetet dhe infrastrukturën e të dhënave të Shteteve Anëtare)

– 580 milionë euro për shkathtësi të avancuara digjitale (shtetet do të përgatisin programe të posaçme, trajnime për ekspertët e ardhshëm)

– 1.1 miliardë euro për përdorimin e gjerë të teknologjisë digjitale nga ekonomia dhe shoqëria (shtetet do të përfshijnë teknologjinë në çështje të interesit publik, si shëndetësi, komunikimin e mençur, agjendën e gjelbër dhe kulturë)

Si të konkurrojmë për fonde?

Komisioni ka përpiluar rregullat e duhura se si të konkurrojmë për fondet në fjalë si më poshtë:

1. Komisioni Europian dhe trupat financues shpallin thirrje për propozime në Portalin për Financim dhe Tendera (Funding & Tender Portal). Bëhen kërkimet e nevojshme sipas temave të thirrjeve konkrete për të cilat jeni të interesuar të përpiloni një projekt dhe të konkurroni.

2. Për të fituar një projekt, duket të kërkoni një partner. Përzgjidhni një organizatë sipas profilit të tyre se pjesëmarrjes së mëhershme.

3. Duhet që të keni një profil apo llogari (EU login account). Nëse nuk e keni, e çelni një.

4. Organizatën tuaj duhet ta regjistroni në Regjistrin e pjesëmarrësve të Komisionit (Participant Register). Për të konkurruar, duhet të regjistroni organizatën, që të pajiseni me numrin nëntëshifror të identifikimit (Participant Identification Code-PIC).

5. Dorëzoni propozimin tuaj për grant

Duhet të kemi parasysh që duhet respektuar afatet e përcaktuara për çdo thirrje. Pas dorëzimit të propozimit, ata vlerësohen sipas kritereve të përcaktuara në Programin e punës (Work Programme). Pas këtij hapi, organizatat njoftohen për rezultatet e vlerësimit, pra përfituesit, si dhe përgatitet marrëveshja për grantin që përshkruan aktivitetet të cilat duhet të ndërmerren sipas qëllimeve të thirrjes, kohëzgjatjes së projektit, buxhetit, tarifave dhe shpenzimeve, kontributit të Komisionit Europian, të drejtave dhe detyrimeve, përfshi specifikat e tjera. Çdo grant zgjat deri nëntë muaj pas mbylljes së thirrjes për konkurrim.

Ku ndodhet Maqedonia e Veriut?

Hapin drejt erës digjitale e ka hedhur edhe Maqedonia e Veriut. Ministri i ri i Shoqërisë Informatike dhe i Administratës (MShIA), Azir Aliu vjen nga fusha e teknologjisë informatike dhe përvoja e tij e fushës mund të jetë shtytëse e madhe drejt digjitalizimit siç është përcaktuar edhe në Programin Europa Digjitale. Në konferencën e organizuar para ca javësh nga Forumi për Ndryshime në Arsim, ministri Aziri tha se shoqëria në Maqedoninë e Veriut nuk është e gatshme për digjitalizimin për shkak të mungesës së burimeve njerëzore, duke shtuar se me një mungesë të këtillë përballen edhe vendet e zhvilluara europiane. Ai theksoi se lënda e digjitalizimit duhet të futet në shkollat fillore dhe të mesme në mënyrë që të veprohet aty ku është e nevojshme.

Foto: Faqja zyrtare e ministrit Azir Aliu

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Aliu tha se partnerët europianë kanë vlerësuar angazhimin e MShIA-së dhe të Qeverisë së RMV-së për digjitalizimin e vendit.

“Sot partnerët tanë, që na kanë qëndruar në krah gjatë revolucionit digjital dhe reformave sfiduese kanë vlersuar angazhimin e Ministrisë së Shoqerisë Informatike dhe të Administratë për këtë arritje të shënuar, tranformimin digjital që ka sjellë transparencë në administratën publike përmes digjitalizimit të shërbimeve publike. Qeveria jonë mbetet e vendosur për të vijuar transformimin digjital me kërkesat dhe parametrat e BE. Kjo marrëveshje e rëndesishme tregon angazhimin e Maqedonisë së Veriut në përparimin e infrastrukturës digjitale dhe pranimin e mundësive të epokës digjitale.” – shkroi Aziri në faqen e tij zyrtare në Fejsbuk.

Ajo çfarë i mbetet Maqedonisë së Veriut është përpilimi i projekteve të mira dhe tërheqëse, në mënyrë që shteti të thithë sa më shumë grante prej shtatë miliardë sosh të ndara nga Bashkimi Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Agjenda Digjitale e BENa Shkruani
Comments (0)
Add Comment